
Dekreti i presidentit, Hashim Thaçi, për kandidatin për kryeministër të ri të Kosovës, tashmë disa ditë në pezullim, po pret përgjigjen përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas politologut Ramush Tahiri, vendim ndryshe nga Kushtetuesja se ai që i jep të drejtë presidentit në këtë rast nuk do të ketë.
Tahiri për GazetaBlic ka theksuar se as për partinë e cila ishte parashtruese e kërkesës për shqyrtim, Vetëvendosje, nuk do të ishte në favor një vendim tjetër, i cili do të mund të çonte në bllokim të sistemit parlamentar.
“Vendimi nuk mund të merret assesi ndryshe përveç që me i dhënë të drejtë presidentit që me e caktu mandatarin dhe mos me i dhënë të drejtë VV-së që qeveria mos me u kriju pa partinë e parë. Kjo sepse edhe VV nuk do ishte e kënaqur sikur të jepej vendimi për të sepse ky do të ishte një vendim pa paprecedentë që do merrej vetëm këtë herë por do bëhej rrugë edhe për të tjera. VV si parti parlamentare nuk e ka në interesin e saj që gjithmonë partia e parë me e bë qeverinë dhe gjithmonë qeveria e parë me e fitu shumicën parlamentare, sepse VV në këto zgjedhje ka dalë e para, në zgjedhjet e tjera nuk ka qenë e para. Nuk mundemi me paramendu që partitë tjera tash, ta zëmë PDK ose LDK me e blloku gjithë sistemin parlamentar, sepse parlamenti është ai që e zgjedhë qeverinë”, tha ai.