Front TV

Ish-ministri i Shëndetësisë jep alarmin, Kosova mund të bëhet si Italia – duhet masa urgjente

Ish-ministri i Shëndetësisë jep alarmin, Kosova mund të bëhet si Italia – duhet masa urgjente
20:00 | 08 Korrik 2020

Rrëzimin e Qeverisë po e konsideron si një ndër shkaqet kryesore ku stagnoi menaxhimi me pandeminë Covid-19.

Për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Aganin, rrëzimi i Qeverisë “Kurti” nuk do të duhej të ndodhte në  këtë situatë pandemike, pasi siç thotë ai, Qeveria e re i ka humbur disa javë derisa është adaptuar me situatën në të cilën ndodhet vendi.

Ish-ministri Agani, në një intervistë për Front Online, thotë se në shtimin e rasteve me Coronavirus në vend ka ndikuar edhe hapja dhe lehtësimi i shpejt i masava derisa kritikon institucionet për mossigurimin e mjaftueshëm të testeve.

“Mendoj se dështimi ka qenë në radhë të parë për shkak të krizës politike e cila u shkaktua në vend dhe ndërprerjes së zinxhirit të qeverisjes, pra Qeveria e re i ka humbur dy deri në tri javë derisa është adaptuar në situatën aktuale dhe i ka vazhduar proceset e filluar të ballafaqimit me virusin, e dyta mendoj se hapja është bërë shumë shpejt, pra është bërë pa përgatitje adekuate nuk është bërë në mënyrë graduale, dhe e treta nuk janë ngritur kapacitetet njerëzorë dhe institucionale spitalore në radhë të parë posaçërisht në aspektin e sigurimit të mjaftueshëm të testeve për  identifikimit e virusit dhe testeve serologjike për ta përcaktuar  shkallën  e imunitetit  kolektiv në popullatë”, tha ai për Front Online.

Për ish-ministrin Agani ka qenë e pritshme rritja enorme e rasteve me Coronavirus, marrë parasysh faktin se hapja me 1 qershor ka qenë më e shpejt se që është dashur të jetë.

Një zgjidhje adekuate, sipas ish-ministrit Agani, do të ishte krijimi i imunitetit të popullatës ndaj virusit.

“Hapja që është bërë me 1 qershor ka qenë më e shpejt me përmasa më e madhe se sa është dashur të jetë. Në tre muajt e parë është dashur të kemi mbyllje dhe shumë aktivitete të kufizohen që kanë pasur për synim ngadalësimin e  përhapjes së virusit, por në anën tjetër mendoj se është dashur që të lejohet në mënyrë graduale në segmente të caktuara që virusi të depërton, të shtrihet, të krijohet një imunitet i popullatës ndaj tij, më pas të bëhet një edukim shëndetësorë i popullatës e jo tash që pas 4 muaj ne të vijmë në situatë ku një e treta e popullatës ende ka dyshime se a ekziston virusi”, thotë Agani për Front Online.

Ish-ministri Agani: Nëse vërtetohen defektet në sistemin e oksigjenit, duhet dhënë përgjegjësi

Mëngjesi i ditës së diele nuk ishte i zakonshëm në Klinikën Infektive.

Në mesnatë në këtë Klinikë vdiqën 4 pacientë që po trajtoheshin me Covid-19.

Dyshimet e para për vdekjen e këtyre pacientëve ishin se ka pasur defekt në sistemin e oksigjenit.

Për, ish-ministrin Agani, në rast se vërtetohet se ka pasur defekt në sistemin e oksigjenit, përgjegjësi duhet të japin të gjithë akterët që udhëheqin me shëndetësinë.

“Sigurish se nga përgjegjësia nuk është i liruar askush veçanërisht kur kjo rezulton me vdekjen e qytetarëve, unë jam i prirur të mendoj se nuk ka qenë e rastit një gjë e tillë pasi që do të ishte shkallë e lartë e papërgjegjësisë ku në këto ditë, në këto momente ku dihet se prej oksigjenit është  varur jeta e qytetarët ku është lejuar se për shkak të një defektit të vije deri të një situatë e tillë. Jam i informuar nga mediat se është duke u zhvilluar procedura hetimore lidhur me këtë çështje dhe nuk është mirë që të jepen kurrfarë supozime ose përfundime të cilat nuk janë të bazuara në prova”, tha për Front Online.

Ish-ministri i Shëndetësisë: Kosova rrezikon ta ketë fatin e Italisë me Coronavirus

Gjatë tre mujorit të parë të pandemisë me Coronavirusin, Italia ishte vendi që pësoi më së shumti me numrin e të vdekurve si shkak i infektimit me Coronavirus.

Ndërkaq, ditëve të fundit, Kosova po shënon rritje drastike të rasteve me këtë virus.

Lidhur me këtë, ish-ministri Agani për Front Online thotë se një rrezik i tillë ekziston që Kosova ta ketë fatin e Italisë, duke e pasur parasysh shpejtësinë e zhvillimeve  dhe pasojave që mund t’i lë virusi në popullatë.

Agani tha që të mos përsërit një skenar i Italisë edhe në Kosovë, duhet që të merren të gjitha masat dhe të fillon kontrolli mbi masat të cilat i ka marrë Qeveria së fundmi.

“Rreziku ekziston gjithmonë sepse nuk dihen përmasat e pasojave të cilat virusi mund t’i lë në popullatën e përgjithshme në qoftë se zhvillimet vazhdojnë të zhvillohen me këtë shpejtësi marramendëse dhe nuk kemi kontrolle të proceseve dhe shpresoj se do të rritet kjo kontrollë pas masave të fundit të Qeverisë dhe masave të ardhshme që pres se do të ndërmerren. Natyrisht se duhet të merren të gjitha masat se skenari i  Italisë të mos përsëritet në vendin tonë, kam shpresë të madhe se duke i falënderuar përpjekjeve heroike të punëtorëve shëndetësorë, infektologve, epidemiologëve do të arrijmë të eliminojmë skenarin e mundshëm  italian në hapësirat tona”, tha Agani për Front Online.

Ish-ministri Agani : Në krye të Shëndetësisë duhet të jetë një person me integritet profesional dhe i gatshëm për punë

Qeveria “Hoti” u kritikua për emërimin e njerëzve jo-kompetentë në postet ministrore. Më të zëshme ishin kritikat për ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, që me profesion është jurist.

Lidhur me këtë, ish-ministri Agani, tha se menaxhimi i situatës me pandeminë e Coronavirusit kërkon që në krye të Ministrisë së Shëndetësisë të jetë një personalitet i cili ka përgatitje profesionale dhe gatishmëri për punë.

“Siç e dini postet ministrore janë poste politike, i nënshtrohen një kodeksi tjetër të parimeve me rastin e vendimmarrjes, mendoj se ajo që është e rëndësishme në këto momente kur kemi të bëjmë me një ballafaqim me këtë infeksion, me një situatë emergjente e cila kërkon masa afatshkurta, pra kërkon një personalitet me integritet në radhë të parë profesional me një gatishmëri për punë ekipore me gatishmëri për konsultime e bashkëpunim me ekipet e ekspertëve i cili do të shfrytëzon të gjitha potencialin që i ka në dispozicion për t’i vënë në shërbim të popullatës”, thotë ai për Front Online.

Ish-ministri i Shëndetësisë lavdëron punën e Arben Vitisë, thotë se menaxhoi mirë situatën me Covid-19

Ish-ministri Agani u pyet edhe për punën e ish-ministrit Arben Vitia i cili udhëhoqi Ministrinë e Shëndetësisë për tre muaj.

Ai tha se Vitia e ka menaxhuar mirë situatën me Coronavirus duke e vë në funksion të gjithë Ministrinë e Shëndetësisë për zbatimin e rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

“Ministri Vitia mendoj se e ka menaxhuar mirë situatën në muajt e parë të ballafaqimit me këtë virus, në radhë të parë duke e vënë në funksion të gjithë aparatin politik të MSh-së dhe shërbimet e kësaj ministrie në shërbim të rekomandimeve të Institutit. Pra ka qenë në funksion të plotë realizimi i rekomandimeve, kërkesave dhe mendoj me një konsistencë dhe stabilitet i ka zbatuar ato rekomandime gjë që ka rezultuar në fund të tre mujorit me rezultate inkurajuese si me numër të të infektuarve ashtu edhe të të vdekurve krahasuar me shtetet e rajonit”, tha Agani për Front Online.

Neuropsikiatri Agani: Periudha e izolimit gjatë pandemisë, ua riktheu qytetarëve traumat e luftës

Ferid Agani i cili është me profesion neuropsikiatër, foli edhe për pasojat që ka pasur pandemia e  Coronavirusit në shëndetin mendorë të qytetarëve.

Ai tha se masa e izolimi social e cila është bërë për më shumë se tre muaj, ka bërë që qytetarët të kenë ankthe dhe përkeqësim të sëmundjeve psikosomatike si tensioni i gjakut,  ithati në lukth, hipërtireoza e diabeti.

“Pasojat janë të shumta, janë afat-shkurtër, afat-mesme dhe afat-gjata. Në radhë të parë bëhet fjalë për një stres të ri i cili është në nëndijen e qytetarëve, në nëndijen e cila është e ngarkuar me shumë përvoja traumatike nga dekadat e kaluara. Kjo shtresë e re e stresit në shumë situata e ka përkujtuar, e ka rikujtuar atë përjetim traumatik të para 20 vjetëve e më tepër, veçanërisht të periudhës së luftës. Pra, kemi pas të bëjmë me ri përjetime të ngjarjeve traumatike, shkalla e lartë e ankthit e cila e ka përcjellë këtë periudhë të izolimit social prej më shumë se 3 muaj ka pasur reperkusion në rrafshin psikosomatik duke shkaktuar përkeqësim të sëmundjeve psikosomatike, si tensioni i gjakut, ithati në lukth, hipërtireoza, s’mundja e sheqerit etj”, tha Agani për Front Online.

Agani: Punëtorëve shëndetësorë duhet t’u ipet kompensim i merituar për punën e jashtëzakonshme

Ditë më parë Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi e rrëzoi Ligjin e Pagave, pasi që shumë Sindikata u ankuan se po diskriminohen nga ky ligj.

Agani për Front Online tha se pas rrëzimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, ligji i ri i cili do të hartohet duhet t’i ketë për bazë të gjitha të gjeturat e Gjykatës Kushtetuese dhe t’u jepet pagë e merituar punëtorëve shëndetësorë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk diskutohet, ne nuk do të hyjmë në analizë sepse kjo ka ndodh dhe si ka mundur të ndodh, kjo flet për atë se ky ligj kur është punuar nuk është punuar me kujdesin e duhur dhe ka lënë hapësira të cila Gjykata i ka evidentuar. Ajo që duhet të ndodh është se ligji i ri duhet të punohet mbi bazën e vlerësimeve të Gjykatës Kushtetues dhe punëtoreve shëndetësorë t’u jepet paga dhe kompensimi i merituar për punën e jashtëzakonshme që po e bëjnë dhe po shihet se me çfarë mundi është duke u ballafaquar sistemi shëndetësorë me epideminë e COVID 19”, tha ai për Front Online.

Agani ka apeluar te qytetarët që t’i respektojnë rekomandimet e Instituti dhe të vendosim  maska që të mbrohen nga prekja e Coronavirusit.

Kredi me afat rekord të shqyrtimit dhe aprovimit

Të tjera