×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Dalja e shqiptarëve në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut shënon rënie

    FrontOnline
    26 Prill 2024

    Dalja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar një rënie krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe kjo vjen si pasojë e dëshpërimit të tyre me partitë politike dhe ikjes së të rinjve nga vendi, sipas njohësit të çështjeve politike, Xhelal Nezirit.

    Më pak se 30 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote dolën për të votuar të mërkurën, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të Maqedonisë së Veriut (KSHZ).

    Dy grupimet politike që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale me kandidatët e tyre, Fronti Evropian me Bujar Osmanin (13,37%) dhe koalicioni VLEN me Arben Taravarin (9,20%), i fituan rreth 210.000 vota së bashku. Mbi 830.000 qytetarëve maqedonas votuan në zgjedhjet e së mërkurës, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Asnjëri prej kandidatëve shqiptarë nuk ia doli të kalojë në rundin e dytë, pasi Kandidatja opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, dhe presidenti aktual Stevo Pendarovski, fituan më shumë vota.

    Dalja e ulët në votime, sipas njohësve të çështjeve politike, ka të bëjë me dëshpërimin e elektoratit shqiptar me partitë politike, për shkak të mungesës së ofertave reale për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

    Preokupim kryesor për të rinjtë, por edhe shtresat e tjera, janë papunësia, ulja e standardit jetësor, prania e madhe e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rënia e madhe e besimit në sundimin e ligjit.

    Dalja e ulët ka qenë evidente edhe në ciklet e kaluara zgjedhore dhe, sipas dhënave të KSHZ-së, në dhjetë vjetët e fundit numri i elektoratit shqiptar është tkurrur për mbi 50.000 vota.

    Në zgjedhjet e vitit 2014 kishin hedhur votën 250 mijë shqiptarë, por krahasuar me zgjedhjet e mëhershme, ulja është edhe më e madhe.

    Xhelal Neziri, njohësi i çështjeve politike, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e ofertave të sinqerta politike dhe largimi i të rinjve jashtë vendit, janë dy faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit të votuesve në zgjedhje.

    “Edhe koalicioni VLEN, por edhe koalicioni i Frontit Evropian, mbase janë koalicione të reja, por janë të përbërë nga elementë të vjetër. Problemi qëndron te mungesa e një formule për t’i motivuar ata votues që janë apolitikë, që nuk votojnë asnjëherë. Pastaj te qasja politikbërjes nga ana e partive politike, apo mungesa e një opsioni që do të ishte atraktiv, sidomos për gjeneratat e reja”, tha Neziri.

    Sipas tij, është shqetësues edhe fakti se, në katër vjetët e fundit, mbi 35 mijë të rinj shqiptarë kanë arritur moshën për të votuar, por nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë.

    Koalicioni VLEN, i cili përbehet nga katër parti shqiptare, shihej si një alternativë për shqiptarët, dhe në zgjedhje arriti t’i fitojë rreth 83 mijë vota.

    Ky koalicion kishte mbështetjen edhe të partisë në pushtet në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, dhe nga partitë opozitare shihej si një nxitje për pjesëmarrje më të lartë në zgjedhjet e 24 prillit.

    Por, analisti Neziri theksoi se partitë opozitare nuk kanë arritur të kuptojnë se “shqiptarët nuk kanë kërkuar që Albin Kurti të vijë këtu dhe të lobojë, por ata kanë kërkuar një model të politikanit të Kurtit” në Maqedoninë e Veriut.

    “Nuk besoj se dikush nga jashtë, qoftë Albin Kurti, Edi Rama apo ndonjë politikanë tjetër që është i popullarizuar ndër shqiptarët, do të mund të ketë fuqi bindëse për t’i detyruar, apo motivuar votuesit që ta përkrahin një opsion vetëm me deklarata, ose me mbështetje më të theksuar logjistike dhe mediatike”, shtoi ai.

    Numri i votuesve shqiptarë që kanë dalë në zgjedhjet e këtij muaji mund të jetë edhe më i ulët sesa shifrat zyrtare, pasi pjesë e koalicionit të Frontit Evropian, që udhëhiqet nga BDI-ja, ishin edhe katër parti të komuniteteve, turq, rom dhe boshnjak.

    Bashkimi Demokratik për Integrim ka qenë pjesë e qeverive të Maqedonisë së Veriut prej vitit 2002, me një ndërprerje të shkurtër në periudhën 2006-2008.

    Neziri nënvizoi se me figurat që tani janë pjesë e politikës në Maqedoninë e Veriut “vështirë se do të mund të ketë ndonjë ndryshim”, duke paralajmëruar se numri i votuesve shqiptarë “do të vazhdojë të shënojë ulje” në ciklet e ardhshme zgjedhore.

    Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sipas tij, u mungon një lëvizje e mirëfilltë me fytyra të reja politike të cilat kanë “vizion dhe guxim” t’i trajtojnë problemet me të cilat ballafaqohet qytetari shqiptar.

     

    Nesër këto zona do të mbesin pa rrymë deri në 7 orë
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Ditën e sotme (7 maj), kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat e qeverisë dhe...
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Në Shqipëri moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura, reshje lokale në zonën qëndrore. Era do të...
    Bota/Rajoni06 Maj 2024
    Një ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shkodër. Dyshohet se një grua bashkë me tre fëmijet e saj, janë hedhur në ujërat...
    Të tjera
    Bota/Rajoni07 Maj 2024
    Në Shqipëri moti do të jetë me kthjellime dhe vranësira mesatare deri të dendura, reshje lokale në zonën qëndrore. Era do të...
    Lajme07 Maj 2024
    Organizatat EcoZ, Riverwatch dhe Save the Blue Heart of Europe organizojnë sot një aktivitet në mbrojtje të mjedisit dhe habitatit natyror në...
    Lajme07 Maj 2024
    Agjencia e Statistikave të Kosovës do të mbajë konferencën e radhës lidhur me ecurinë e procesit të regjistrimit të popullsisë. Konferenca do...
    Lajme07 Maj 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa të dhëna lidhur me vrasjet në Kosovë nga viti 2021 deri në vitin 2024,...
    Lajme07 Maj 2024
    Sot në Strasburg pritet të takohen zëvendësministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit në faqen e Këshillit...
    Lajme07 Maj 2024
    Sot do të jetë një ditë e ngjeshur për komisionet parlamentare, pasi që parashihet të mblidhen pesë sosh. Komisioni për Mbikëqyrjen e...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.