
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës, ka thënë se kryeqyteti më s’ka vatër të epidemisë së koronavirusit.
Ai ka thënë se tash vendit i duhen edhe pak ditë që të konsiderojë për relaksim të masave.
“Sot ka qenë një lajm jashtëzakonisht i mirë. Janë liruar kompleksi ‘Rrezja’ në Mat, dhe rruga “Lidhja e Prizrenit” dhe një hapësirë në Hajvali. Tri pikat janë tërheqë, s’ka më bllokim të qytetarëve. Mbrëmë e sot 37 testime, që ishin pozitivë tashmë janë negativë e mund të themi se janë të shëruar. Më s’kemi vatër të epidemisë në Prishtinë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.Ahmeti ka thënë se ka biseduar me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ka thënë se masa e karantinës për Prishtinën do të mbetet në fuqi, deri në rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë.
“Edhe Naser Ramadani (kreu i IKSHPK-së) ka thënë se na duhen edhe disa ditë për të konsideruar relaksimin e masave. Prej 4 majit duhet të shohim relaksimin. Kam biseduar me ministrin në telefon. Është opsioni i tri fazave, që zgjasin nga dy javë deri kah mesi i qershorit, por qytetarët duhet të dinë që këto masa e data s’janë përfundimtare. Është mirë që të ulim akoma numrin për të menduar për relaksim”, ka deklaruar më tej ai.