×
  • Tenderët
  • Tenderët

    Alarmante/ Raporti ndërkombëtar: Korrupsioni në prokurim publik në Kosovë sivjet mund të shkojë deri në 308 milionë €

    FrontOnline
    31 Gusht 2020

    Shuma e paguar për ryshfet nga prokurimet publike në Kosovë për vitin 2020 mund të arrijë deri në 308 milionë euro, mbështetur në përllogaritjet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) sipas së cilës 57 % e ryshfeteve të huaja paguhen për të siguruar kontrata me fonde publike, dhe 20–30 % e vlerës së fondeve të vëna në dispozicion për përmbushjen e kontratave humbet në korrupsion. Kështu thuhet në një raport të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar me titull: Prurjet Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
    Sipas këtij raporti që e posedon “Front Online” prokurimet publike luajnë një rol të ngjashëm në lidhje me Prurjet Financiare të Paligjshme (PFP) që gjenerohen nga korrupsioni në Kosovë. “Kontrata me vlerë 1.03 miliardë euro janë planifikuar në buxhetin e vitit 2020, nga të cilat 672 milionë euro shkojnë për investime kapitale, dhe 357 milionë euro për prokurimin e shërbimeve publike”, thuhet mes tjerash në këtë raport që e posedon “Front Online”.
    Prurjet Financiare të Paligjshme që përkufizohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si “para që fitohen, shpenzohen apo transferohen në mënyrë të paligjshme, dhe që kalojnë kufijtë e shteteve,” dhe dalin nga aktivitete kriminale, korrupsioni dhe evazioni fiskal paraqesin sfida serioze për vendet e Ballkanit perëndimor. Ky raport, sipas Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar, studion dinamikat e PFP-ve në rajon, dhe përqendrohet mbi Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
    “Këto janë infomacione plotësuese në vazhdën e studimeve të shumta të kryera nga organizata ndërkombëtare, në kuadër të procesit të hyrjes në Bashkimin Evropian, dhe e analizojnë fenomenin nga këndvështrimi i shoqërisë civile”, bëhet e ditur në raport.

    Në Ballkanin perëndimor ndërmarrje kriminale dhe të paskrupullta krijojnë lidhje me politikanë me pushtet

    Ashtu si ndodh kudo nëpër botë, edhe ekonomia kriminale e Ballkanit perëndimor zhvillohet nën hijen e ekonomisë së ligjshme, dhe për pasojë zhvillimi i tregtisë botërore dhe globalizimi ka ndihmuar në lulëzimin e krimit të organizuar në vendet e Ballkanit perëndimor.
    Korrupsioni është një komponent kyç i prurjeve të paligjshme. Në Ballkanin perëndimor, sipërmarrje kriminale dhe të paskrupullta krijojnë lidhje me politikanë me pushtet, zyrtarë të administratës dhe sistemit të drejtësisë, si dhe institucioneve të tjera shtetërore për të arritur qëllimet e tyre.
    Nëpërmjet ryshfeteve, ushtrimit të influencës, ndërmjetësimit, abuzimit me pushtetin, dhe shantazheve, ata fitojnë akses dhe njohuri mbi informacione konfidenciale në lidhje me plane pune apo hetime të forcave të ruajtjes së rendit dhe sistemit të drejtësisë.
    Ata marrin leje dhe licensa, konçesione dhe kontrata me fonde publike, si dhe sigurojnë që trafikimi i mallrave të tyre nëpër kufij të vazhdojë i pandërprerë dhe i pakontrolluar. Pushteti i ligjit sabotohet akoma më tej si pasojë e pengesave që i veendosen sistemit të drejtësisë, si frikësimi i dëshmitarëve.

    Sipas raportimeve të brendshme nga të tre vendet e Ballkanit perëndimor, kostoja materiale e korrupsionit mund të përllogaritet në rreth 80 milionë euro në viti Sidoqoftë, është gati e sigurtë që kjo shifër duhet të jetë shumë më e lartë. Statistikat që zbërthejnë dhe analizojnë burime individuale korrupsioni dhe mitmarrje, sugjerojnë se një llogaritje më e përafërt për koston e korrupsionit arrin në qindra milionë euro.
     Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, korrupsioni është një nga burimet kryesore të aktiviteteve të pastrimit të parave, dhe një kërcënim i madh ndaj përpjekjeve për të luftuar këtë fenomen, ndërsa në Shqipëri, është burimi i dytë më i madh i Prurjeve Financiare të Paligjshme, pas trafikimit të narkotikëve.
    Informaliteti në Shqipëri përfaqëson 30–40 përqind të ekonomisë. Në vitin 2017, sipas përllogaritjeve, transaksionet e pastra kriminale përbënin 22 për qind të PBB. Në Kosovë, ekonomia informale është llogaritur se përbën 31.7 për qind të PBB, nga e cila 8 për qind ka të ngjarë të përfaqësojë forma të paligjshme të aktivitetit ekonomik. Edhe në Maqedoninë e Veriut, ekonomia informale llogaritet të përbëjë rreth një të tretën e PBB, bëhet e ditur në këtë raport ndërkombëtar që e posedon edhe “Front Online”.

     Lidhjet e krimit të organizuar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut

    Krimi për përfitime ekonomike, dhe krimi i organizuar në veçanti, dëmton aktivitetet ekonomike produktive, prish konkurrencën, dhe dekurajon investimet dhe sipërmarrjen.
    Krimi i organizuar shkon krah për krah me korrupsionin dhe dobësimin e qeverisjes pasi grupet kriminale mundohen vazhdimisht të sabotojnë respektimin e ligjit, sektorin e drejtësisë, dhe duan të manipulojnë strukturat politike për t’ia përshtatur nevojave të tyre. Po kështu, përdorimi i dhunës për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi tregjet e paligjshme dhe për të shtuar fitimet krijojnë probleme të rënda sociale.
    Krimi i organizuar në vendet e Ballkanit perëndimor është shumë i përhapur, dhe ka një histori të gjatë lidhjesh në Azi dhe Evropë. Ka gjithnjë e më shumë të dhëna për rolin e rëndësishëm që luajnë grupet kriminale nga Ballkani në skenën e krimit në rajon e më gjerë. Grupe nga Shqipëria, Kosova, dhe Maqedonia e Veriut përshkruhen si ‘poli-kriminale’: pasi përfshihen në aktivitete kriminale të shumëllojshme, dhe janë të afta që të përshtaten shpejt me situata dhe tregje të ndryshme. “Aktivitetet e tyre përfshijnë trafikimin e drogës (kokainë, heroinë dhe kanabis) si dhe kalimin e paligjshëm të personave dhe mallrave, duke përfshirë edhe pije e ushqime, mallra të markave të njohura, veshje, këpucë, dhe cigare”, bëhet e ditur në këtë raport

     Në “Korridorin Ballkanik” kalonë çdo vit 20 miliardë dollar drogë

    Korridori ballkanik, sipas këtij raporti, është një nga linjat e trafikimit të drogës më të përdoruara në botë, veçanërisht për heroinë, por edhe për kokainë dhe kanabis. Në vitin 2014, UNODC përllogariti se më shumë se 20 miliardë dollarë kalojnë nëpër këtë korridor çdo vit.
    Kanabisi i kultivuar në Shqipëri trafikohet përtej kufirit në Kosovë, për përdorim të brendshëm, apo për t’u transportuar për në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe kalon në Maqedoninë e Veriut, kryesisht për tregjet turke, bullgare dhe rumune. Kokaina kalon nga Shqipëria në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut për tregun e brendshëm të drogës. Drogat sintetike që prodhohen në Maqedoninë e Veriut transportohen drejt lindjes.

     900 emigrantë hynë për dy muaj në Kosovë, u paguan nga 200 euro trafikantëve

    Poashtu, sipas këtij raporti, më shumë se 900 emigrantë hynë në Kosovë vetëm gjatë dy muajve të parë të vitit 2020, dhe 300 prej tyre vinin nga Siria. Shumica prej tyre kishin hyrë në vend nga Shqipëria drejt rrugës për në Serbi. Disa prej tyre ishin kthyer në Kosovë nga Serbia, pasi nuk kishin qenë në gjendje të kalonin në Hungari.Një emigrant i tha Radios Evropa e Lirë se ishte kthyer në Prishtinë nga Serbia, dhe se do shkonte në Shqipëri, që të përpiqej to kalonte nga Durrësi për në Itali, dhe më tej në Gjermani.
    Disa emigrantë i kishin paguar shoferëve të taksive rreth 100 euro për person që t’i kalonin ilegalisht nga kufiri me Shqipërinë për në destinacion. Disa të tjerë kishin paguar 200 euro që të kalonin nga Shqipëria në Kosovë nëpërmjet një rruge mali.

    /Front Online/

    Një raport ndërkombëtar zbulon “korridorin Ballkanik” të heroinës, Kosova vend transit i drogës

    Si t’i përdorni radiatorët e ngrohjes që të kurseni deri në 25% të faturës së rrymës
    Nga Rubrika
    Lajme24 Prill 2024
    Komuna e Podujevës e cila drejtohet nga Shpejtim Bulliqi e ka shpërblyer me tender prej hiç më pakë se 413 mijë euro...
    Tenderët24 Janar 2024
    Ministria e Punëve të Brendshme (MB) që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka shpallur një tender prej 120 mijë euro për shërbime hoteliere,...
    Tenderët11 Janar 2024
    Telekomi i Kosovës ka shpërblyer me tender 15 milionësh kompaninë nga Kroacia “Ericsson Nikola Tesla d.d”, raporton Front Online. Në njoftimin e...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka dhënë meritat presidentes Vjosa Osmani për sigiurimin e donacionit të pajisjes PET Scan, nga organizata...
    Lajme26 Prill 2024
    Një delegacion i Doganës së Kosovës në krye me drejtorin Agron Llugaliu janë pritur në takim nga Dogana Franceze ku u bë...
    Lajme26 Prill 2024
    Për të shtunën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku gjatë pasditës pritet të ketë reshje të izoluara shiu, kryesisht...
    Lajme26 Prill 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje mbi takimet që ka zhvilluar këtyre ditëve në Gjermani. Ai tha se kryefjala e vizitës së...
    Bota/Rajoni26 Prill 2024
    Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi rrethin lindor të Tajvanit të Hualien këtë të shtunë (sipas kohës lokale). Njoftimi u dha nga...
    Lajme26 Prill 2024
    Klanin mund ta kenë inspirim, që në Kosovë të fillojnë një ndërtim. Kompania e njohur me seli në Zvicër “Lika Group”, themeluar...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.