Shtetasit e Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë – Hercegovinës prej sot për të hyrë në Maqedoninë e Veriut duhet që patjetër të kenë test PCR negativ për koronavirusi.
Kjo u vendos mbrëmë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut e cila obligon që shtetasit e këtyre vendeve duhet të kenë vërtetim mjekësor me rezultate negative të testit PCR për koronavirus, edhe ate me afat prej 72 orëve.
Përveç kësaj ata duhet të plotësojnë deklaratë me shkrim për kohën dhe vendin e qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, përcjell INA.
Ky vendim pasoi pas rekomandimeve nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendet e rajonit, dhe pas vlerësimit të shtimit të numrit të të infektuarëve në këto katër vende.
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe tha se vendimi bazohet në të dhënat e grumbulluara ditëve të fundit dhe pas komunikimit me autoritetet e katër vendeve.
Për shtetasit e Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë – Hercegovinës nuk do të nevojitet test PCR negativ nëse ata kalojnë transit nëpër Maqedoni. Qeveria nuk ka të dhëna se kur mund të hiqet kjo masë.