Kina drejton gishtin nga Europa. Shpërthimi i ri i Covid-19 në tregun e shumicës në Pekin e ka prejardhjen nga Kontinenti i Vjetër, por virusi i përket një gjenomi më të vjetër nga ai që po godet aktualisht Europën.
Pretendimi vjen nga Zhang Yong, zëvendësdrejtor i Qendrës së Kinës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Në një shënim për Komisionin për Inspektim dhe Disiplinë, ai thekson se shumë kampionë të marrë në tregun Xinfadi, tregojnë se koronavirusi ishte prezent aty prej kohësh.
Por autoritetet europiane nuk pranojnë këtë pretendim të Kinës duke nënvizuar se për momentin nuk ka shfaqur prova të mjaftueshme për ta mbështetur atë. Megjithatë Pekini zyrtar thotë se të dhënat i ka depozituar tek Organizata Botërore e Shëndetësisë. Detajet e publikuara nga Qendra për Mikrobiologji në Kinë zbuluan se gjenomët u bazuan në 3 mostra, 2 njerëzore dhe një mjedisore.
Më 11 qershor, Pekini raportoi rastin e parë me koronavirus pas disa muajve me zero të infektuar. Që prej asaj date, mbi 180 persona u prekën nga Covid-19, duke shndërruar tregun Xinfadi në vatër përhapjeje. Por pas ndërmarrjes së rregullave strikte si rikthimi i kufizimeve të mëdha në kryeqytetin kinez, gjurmimi i të gjitha rasteve të kontaktit me tregun, autoritetet ia dolën të frenonin përhapjen masive. Por shkencëtarët po studiojnë nëse koronavirusi i ri mund të përhapet më shpejt se më parë dhe nëse ka humbur fuqinë e tij apo disa nga simptomat.