Katër ditë kanë mbetur deri në përfundimin e kohës kur Gjykata Speciale duhet të marrë një vendim, lidhur me aktakuzat e para të pranuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në shkurt të këtij viti.
Gjyqtari i procedurës paraprake, sipas rregullores së procedurës dhe provave ka kohë gjashtë muaj që të konfirmojë apo të hedhë poshtë aktakuzën.
Lidhur me shqyrtimin e aktakuzave të pranuara në shkurt, nga Gjykata Speciale nuk kanë pranuar të japin shumë detaje. Zëdhënësi i saj, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, ka theksuar se procesi i shqyrtimit të aktakuzave mbetet konfidenciale derisa e njëjta të konfirmohet e të bëhet publike.
Michael Doyle, ka theksuar gjithashtu se sipas rregullit 88, gjyqtari i procedurës paraprake mund të kërkojë që aktakuza, pavarësisht konfirmimit, të mos bëhet publike, deri në paraqitjen fillestare të të akuzuarit para gjykatës.
“Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike. Derisa një aktakuzë e konfirmuar të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, si dhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e aktakuzave. Siç e dini, gjykatësi i Procedurës Paraprake ka në varësi të specifikave të një çështjeje individuale, deri në 6 muaj për të vendosur nëse do të konfirmojë ose të pushojë një aktakuzë. Në të njëjtën kohë, Rregullorja e Procedurës dhe Provave parashikojnë një numër skenarësh që mund të rezultojnë që një aktakuzë e konfirmuar të bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së tij me gjykatësit e procedurës paraprake. Për shembull, Rregulla 88 parashikon që Gjykatësi paraprak mund të urdhërojë moszbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose t’i shmangë ndërprerjet e procedurave. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës”, ka thënë Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Zhvillime brenda pak javësh lidhur me aktakuzat e para të Speciales, presin edhe avokatët e akredituar të saj.
Sipas Tahir Rrecajt, në rast se nuk konfirmohen, ekzistojnë disa skenarë se çfarë mund të ndodhë me aktakuzat e dorëzuara në gjykatë në muajin shkurt.
Në anën tjetër, avokati Artan Qerkini thotë se në rast të konfirmimit të aktakuzës, ajo do të bëhet e ditur brenda pak ditësh.
Dy muaj pas dorëzimit të aktakuzave të para, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi në gjykatë edhe një aktakuzë tjetër, e për të cilën njoftoi në fund të qershorit. Bëhet fjalë për atë ndaj presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Vendimi për hedhjen poshtë apo konfirmimin e tyre pritet të bëhet në muajin tetor, atëherë kur bëhen gjashtë muaj që nga dorëzimi i saj.