
Kreu i Lidhjes Demokratike Kosovës, Isa Mustafa, sot ka vendosur që Avullah Hoti të jetë emri i propozuar nga koalicioni LDK-AAK-Nisma-AKR dhe pakicat, për mandatarin për formimin e qeverisë.
Në lidhje me këtë për Front Online foli deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Ai tha se të gjitha partitë politike po e shohin rrezik Albin Kurtin.
“Jemi në një fazë kur të gjitha grupacionet politike që i ka bërë bashkë e kaluara e tyre në keqpërdorim të parasë publike e që vijnë nga LDK- PDK- AAK-NISMA, të cilat po e shohin rrezik Albin Kurtin dhe LVV”, tha ai për Front Online.
Më tej, ai tha se këto parti e kanë shkelur deri në themel Kushtetutën.
“Kanë shkuar deri aty sa të shkelin Kushtetutën deri në themel sepse Kushtetuta jonë është konceptuar ashtu që qeverisjen ta ndërlidhë fuqishëm me legjitimitetin qytetarë para atij parlamentar. Ne kemi një sistem kushtetues që qeverisja të ketë rrënjë në forcën që fiton zgjedhjet sepse ashtu reflekton vullnetin popullor e jo atë konjuktural”, shtoi ai.
Bajqinovci tha se do të përdorin të gjitha mjetet juridike dhe demokratike për të mos e shkatërruar rendin kushtetues.
“Lëvizja është forca e vetme që e lufton krimin e korrupsionit dhe qytetarët po e akceptojnë këtë sepse kemi dhënë prova për këtë fakt. Kosovës do të ja kthejmë dinjitetin e për këtë kemi prapa vetes besimin e sovranit”, tha ai./Front Online/