
Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj thotë se kryetari i AKR’së Behgjet Pacolli ka qenë në izolim javët e fundit dhe se s’ka arsye që ai të qëndrojë 14 ditë në karantinë në Qendrën e Studentëve në rast të kthimit në Kosovë.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Zyberaj thotë se karantinimi në konvikte është model kinez derisa Pacolli u është përmbajtur strikt rregullave të autoriteteve zvicerane.
Sipas tij, Pacolli do të hynte në Kosovë me avion privat direkt nga shtëpia e tij në Lugano, duke mos pasur kontakt me njerëz të tjerë.
“z.Behgjet Pacolli ka respektuar rreptësisht rregullat e autoriteteve zvicerane dhe ka qëndruar në shtëpinë e tij në Lugano në mbyllje në javët e fundit që nga shpërthimi i virusit. Ai nëse vjen, vjen direkt nga shtëpia e tij, me avion privat duke respektuar rregullat e udhëzuara në Zvicër”, thotë Zyberaj.
“Si del se autoritetet e Kosovës nuk kanë besim në rregullat e zbatuara nga autoritetet zvicerane?. Ideja për karantinë në një konvikt studentor është një model kinez që nuk është aplikuar në vendet e përparuara të Evropës”, shkroi ai.