
Prej disa ditësh numri i rasteve të reja më koronavirus në vend ka pësuar rënie. Kështu në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitivë vetëm 8 raste të reja nga 140 testime të kryera.
“Situata epidiemologjike paraqitet e qëndrueshme, me një nivel të ulët pozitiviteti krahasuar me të gjithë totalin e të gjitha rasteve të testuara. Gjatë kësaj jave përqindja e pozitivitetit ka arritur në nivelin e 4,3 për qind, pozitiviteti më i ulët i arritur gjatë fazë së epidemisë në Shqipëri. Nga rastet e reja, pesë raste i përkasin Tiranës, dy në Elbasan dhe një rast në Durrës”.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë, ku aktualisht 68% e tyre rezultojnë të shëruar.
Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktivë me COVID19.
“Pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”.
Duke filluar nga sot ka nisur lehtësimi i masave shtrenguese dhe shtimi i “zonave të gjelbërta” edhe në bashkitë ku ka risk të ulët të transmetimit të infeksionit. Në të gjithë vendin lejohet shërbimi taksi për udhëtimet ndërqytetase me deri dy pasagjerë, anëtarë të një familjeje. Të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesë.