
Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka dështuar që të ofroj emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re tek presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ka qenë ky i fundit ai i cili dje bëri bashkë në një tryezë diskutimi të gjithë liderët e partive politike në vend, për të folur rreth qëndrimeve të tyre, për sa i përket formimit të qeverisë së re.
Me përjashtim të VV-së, të tjera parti njëzëri u deklaruan kundër zgjedhjeve të reja. Në ndërkohë sot veçse u bë zyrtar emri i kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që pritet të hyjë në koalicion edhe AAK-në, AKR-në, Nismën dhe pakicat për të formuar qeverinë.
Këtij koalicioni pritet t`i prijë Avdullah Hoti, emri i të cilit së shpejti do t`i dërgohet presidentit të vendit me shkrim për ta caktuar zyrtarisht edhe si mandatar për formim të qeverisë.
Për këto zhvillime për “Front Online”, ka folur edhe politologu Ramush Tahiri. Ai ka vlerësuar që zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend kanë marrë rrugë drejt zgjidhjes.
Kjo, pasi që sipas tij, presidenti është duke u marrë me mbarëvajtjen dhe funksionalizimin e institucioneve, bazuar në kompetencat që i janë dhënë me ligj.
“Zhvillimet politike dhe institucionalë në vend po marrin rrugë dhe drejtim të zgjidhjes. Qeveria Kurti është shkarkuar me 2/3 e votave dhe është qeveri në dorëheqjeje në bazë të nenit 100 të Kushtetutës. Presidenti i Republikës së Kosovës në bazë të nenit 4 të Kushtetutës që e obligon për mbarëvajtjen e funksionalizimin e institucioneve dhe në bazë të nenit 84 që i jep kompetencat për ta caktuar mandatin për një parti politike, e cila i ka numrat për ta bërë Qeverinë”, ka thënë Tahiri për “Front Online”.
Sipas Tahirit në rastin e dhënies së mandatit për LDK-në janë respektuar të gjitha afatet kohore dhe ligjore.
“Në bazë të sqarimit të Gjykatës Kushtetuese pika prej 87 deri në 94 të 2014-ës, thotë se partia e parë e ka të drejtin e mandatit dhe jo mandatarit për ta formuar Qeverinë menjëherë pas zgjedhjeve. Nëse kjo qeveri dështon që ta formojë qeverinë në pamundësi të bërjes koalicion ose nëse mandatari i saj nuk i merr votat e mjaftueshme në Qeveri, atëherë presidenti pas konsultimeve me partitë politike vendos dhe konkludon me i`a dhënë mandatin një partie politike cilësdo dhe për të cilën është e bindur se i ka votat e nevojshme, pra 61 për tu votuar në Kuvend”, ka thënë Tahiri.
Tahiri: VV-ja e dëshiron pushtetin deri në zgjedhjet e ardhshme
Për sa i përket qëndrimit të VV-së, se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas kalimit të pandemisë COVID-19, Tahiri ka theksuar që kjo është një dëshirë e kësaj partie për të qëndruar në ekzekutiv deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar se formimi i qeverisë së re nga kuvendi është shkelje e Kushtetutës dhe u deklarua që vendi do të duhej të shkoj në zgjedhje dhe se kjo parti duhet të qëndroj në ekzekutiv deri në zgjedhjet e ardhshme , ani pse është e shkarkuar me 2/3 e votave”, ka thënë ai.
6 maji, afati i fundit për formimin e qeverisë
Në bazë të afateve kohore përllogaritet që 6 maji është afati i fundit për formimin e qeverisë. Këtë gjë e ka deklaruar edhe politologu Ramush Tahiri.
“Me 5 ose 6 maj i bie më së largu që të formohet Qeveria e re. Isa Mustafa sot tha që Qeveria e re do të formohet gjatë muajit prill, sepse veçse kanë biseduar me partnerët e koalicionit. Janë marr vesh për parimet dhe janë marr vesh që t`i kenë 15 ministri”, ka thënë Tahiri.
Pjesën e ministrive që i kanë takuar VV-së, sipas Tahirit pritet t`i marrin partnerët e koalicionit.
“Duket që pakicat nuk do t`i ndërrojnë dhe se të njëjtit do të mbesin. LDK-ja pjesën më të madhe të ministrave nuk do t`i ndërroj. Dhe nëse partitë e tjera që pritet të hyjnë në koalicion si Aleanca, AKR-ja dhe Nisma janë pajtuar për koalicion ministritë e VV-së do t`u kalojnë atyre dhe qeveria mund të krijohet menjëherë në javën tjetër.”, ka thënë ai.
Gjykata Kushtetuese do të refuzojë kërkesën e VV-së
Lëvizja Vetëvendosje kohët e fundit ka paralajmëruar që do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese presidentin Hashim Thaçi në rast se i njëjti, i jep mandatin për formimin e qeverisë LDK-së. Një gjë e tillë sipas Tahirit, do të refuzohet nga kjo gjykatë qysh në shqyrtimin paraprak.
“Albin Kurti mund ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese sipas mendimit tim 100% do ta refuzojë kërkesën në shqyrtimin paraprak dhe nuk do t`i fus hiq në procedurë, sepse në aktvendimin e saj të 1 korrikut 2014 ka vendosur për këtë çështje”, ka thënë ai për “Front Online”.
Sipas tij kjo gjykatë qysh në 2014 e ka përcaktuar qartë se kujt i takon mandati për formimin e qeverisë.
“Ajo që ka vendosur në 2014 prej pikës 87 deri në pikën 94, ka thënë që presidenti e cakton mandatin në bazë të bindjes së vet të bazuar cilësdo parti tjetër., duke e përfshirë edhe VV-në. Mandati i`u dha VV-së. Ajo nuk e bëri koalicionin dhe VV-ja nuk e dorëzojë emrin, me ç`rast kaloj edhe afati i arsyeshëm kushtetues prej 15 ditësh, afat ky që vlen edhe për Avdullah Hotin që e merr mandatin dhe presidenti me një letër para se t`i thërras liderët e konstatoj që kjo parti nuk e ka shfrytzuar mandatin”, ka thënë për fund Tahiri./Front Online/