Policia e Kosovës ka arrestuar shtatë persona në Prizren, meqë ata janë gjetur duke pirë kafe në një lokal, në këtë kohë kur në Kosovë, me vendim të Qeverisë, janë të mbyllura të gjitha lokalet, qendrat tregtare e shkollat, si masë mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit të ri.
Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur lokali, me ç‘rast janë gjetur dhe konfiskuar dy qese me narkotikë të llojit kokainë, me peshe prej 0.59 gramesh. Me vendim te prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe Policia ka arrestuar edhe katër persona të tjerë në Viti, meqë janë gjetur duke luajtur bixhoz.
“Janë arrestuar katër të dyshuar, meshkuj kosovarë, pasi janë hasur në një lokal duke lozur me letra bixhozi, ku në tavoline kanë pasur edhe para të gatshme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit pronari i lokalit dërgohet në mbajtje, ndërsa tre të dyshuarit tjerë lirohen”, thuhet në raport.
Aktualisht në Kosovë, me vendim të Qeverisë, janë të mbyllura të gjitha restorantet, dyqanet, lokalet e qendrat tregtare, si masë parandaluese për mospërhapje të koronavirusit.
Ndërsa qytetarët lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm 90 minuta një herë në ditë sipas numrit të parafundit në letërnjoftim.