Rritje shqetësuese të rasteve nga coronavirusi po shfaqen në Evropën Jugore dhe në rajonin e Ballkanit, tha të mërkurën, Mike Ryan, kreu i programit të emergjencave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Sigurisht që SHBA-ja është ende pika kryesore e kësaj pandemie, por kemi parë edhe rritje të rasteve në Afrikë”, u shpreh Ryan.
“Kemi disa rritje shqetësuese në Evropën Jugore dhe në Ballkan, duhet të tregohemi vigjilentë”, tha ai.
Ndryshe, vetëm në Kosovë 241 raste të reja u konfirmuan të mërkurën, derisa numri i përgjithshëm i rasteve u rrit në 6,286, ndërsa 150 persona kanë vdekur.
Raportohet se numri i rasteve globalisht nga coronavirusi është afër 15 milionë, kurse deri më tani kanë ndërruar jetë rreth 600 mijë njerëz.