
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga nesër do të hapen kufijtë tokësorë të Kosovës.
Vitia ka treguar se cilat pika kufitare do të hapen.
“Nesër hapen kufijtë tokësorë, ashtu siç përmenda, por jo të gjithë. Do të hapen pikat kufitare tokësore si në vijim: Merdare, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë”, ka thënë Vitia.
Ai ka shtuar se personat që do të hyjnë në territorin e Kosovës do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore.
“Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës obligohen që t’i nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat kundër COVID-19”, ka thënë Vitia.
Personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë një test negativ për COVID-19 jo më të vjetër se 4 ditë, në të kundërtën, Vitia ka thënë se ata do të obligohen që të vetizolohen për 7 ditë.