Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjendja me COVID 19 në vend ka dalur jashtë kontrollit, derisa rastet po rriten me shpejtësi. Në këtë situatë, Nagavci thotë se Qeveria ka dështuar në kujdesin ndaj shëndetit publik.
“Viktimat nuk janë vetëm numra, nuk është e rëndësishme raportimi i moshës së tyre e as se a kanë pasur dhe sëmundje tjera. Secila e secili nga ta janë jetë njerëzish, janë persona me historitë, familjet , ëndrrat e dhimbjet e tyre. Të gjitha viktimat lënë pas vetes mall e dhimbje për humbjen, ashtu si dhe brengë e dëshpërim se ndoshta kujdesi i munguar është një nga shkaqet që po i humbim”.
“Gjendja ka dalur krejtësisht jashtë kontrollit, Qeveria po dështon në kujdesin ndaj shëndetit publik, ndaj ruajtjes së jetës së qytetarëve si e drejtë apsolute dhe po ashtu ka bllokuar Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 që kemi inicuar që në muajin prill. Ndërkaq studimet po tregojnë se Covid-19 mund te kthehet tek i njëjti person edhe pas shërimit, fatkeqësisht raste të tilla të konfirmuara për herë të dytë kemi dhe në Kosovë. Pra të gjithë jemi të rrezikuar, pa marrë parasyshë moshën, dhe pasojat mund të jenë të rënda”.“Në këto rrethana, më e rëndësishmja është të ruani shëndetin personal, të familjarëve dhe të gjithë atyre me të cilët keni kontakte. Ruani distancën fizike, kujdesuni për higjenën, përdorni maskat dhe shmangni qëndrimet në ambiente të mbyllura”, ka shkruar Nagavci në rrjetin social Facebook.