Brenda dy ditësh pritet të ndodh takimi mes Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, ku pritet të diskutohen raportet mes dy partnerëve të koalicionit, të cilat së fundi kanë pësuar lëkundje.
Madje në këtë takim do të merr pjesë edhe Kryeministri, Avdullah Hoti.
Takimin e ka konfirmuar për gazetën Objektiv vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Me z. Haradinaj pres te takohemi këto dy tre dite në koordinim me Kryeministrin”, ka thënë shkurt Mustafa.
Ditë më parë Mustafa kishe paralajmëruar takim me Haradinajn, për t’i diskutuar përçarjet që janë shfaqur ditëve të fundit në media, nga partnerët e koalicionit.
Ai e ka komentuar edhe çështjen e rrugës Deçan-Plavë, punimet e së cilës u ndalën para pak ditësh nga Kryeministri Hoti, pasi ato kishin nisur pa paralajmërim nga kryetari i Deçanit, që vjen nga radhët e AAK-së, Bashkim Ramosaj.
Mustafa tha se Ramosaj po e shpërfill ligjin dhe aktgjykimin e Kushtetueses sa i përket kësaj çështje.
“Sa i përket rrugës te Manastiri i Deçanit, unë nuk shoh asnjë mosmarrëveshje ndërmjet Kryeministrit Hoti dhe Kryetarit të Komunës së Deçanit z. Ramosaj. Por shoh mosmarrëveshje dhe mospërfillje të Ligjit mbi zonat e veçanta dhe të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kryetari i Deçanit. Sa kam vërejtur unë, Kryeministri iu ka referuar respektimit të Ligjit, asgjë tjetër, dhe kërkimit të një zgjidhjeje për qytetarë”, ka përfunduar Mustafa.