Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar sot komunën e Fushë Kosovës, ndërsa me kryetarin Burim Berisha kanë folur për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Zemaj në një postim në Facebook shkruan se kjo komunë është ndër të mbingarkuarat në Kosovë dhe për këtë duhet një përkrahje e veçantë.
Lexoni të plotë postimin:
“Me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berishën biseduam për shqetësimet e shkaktuara nga Covid19, për përgatitjet që po bëhen për fillimin e viti të ri shkollor në këtë komunë, sikurse për projektet që do të realizojmë në të ardhmen.
Fushë Kosova është njëri ndër qytetet më të mbingarkuar në Kosovë dhe për këtë duhet një përkrahje e veçantë.
Konfirmova se kjo komunë do të jetë në prioritetin e angazhimit tim dhe do të mbështes projektet e caktuara, e do të ofrohet ndihma për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
Po ashtu, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare/QKMF pashë nga afër kapacitetet dhe angazhimin e stafit mjekësor. Me drejtuesit biseduam për menaxhimin e situatës dhe ndihmën logjistike që do t’i ofrojmë kësaj qendre.
Mjekëve dhe infermierëve iu shpreha mirënjohje të thellë dhe i falënderova për sakrificën dhe punën e palodhshme që po bëjnë në këtë kohë të vështirë”.