×
  • Lajme
  • Front TV
  • Front TV

    Masat ndaj Covid-19, mbyllen 20 lokale dhe shqiptohen 30 gjoba ndaj bizneseve

    FrontOnline
    05 Gusht 2020

    Me vendosjen e masave të reja kufizuese nga Qeveria e Kosovës në luftën ndaj pandemisë me Covid-19, nga inspektimet në terren nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI)  janë shqiptuar rreth 30 gjoba për mosrespektim të masave.

    Ministri i këtij dikasteri qeveritar, Vesel Krasniqi në një intervistë për Front Online ka thënë që deri më tani si pasojë e mosrespektimit të masave janë mbyllur 20 lokale.

    “Kemi diku rreth 30 gjoba, ndëshkime dhe për momentin kemi mbi 20 lokale që janë mbyllur, për shkak të moszbatimit të masave. Pastaj sigurisht një pjesë lirohen pas procedurave tjera gjyqësore. Ka pasur hezitim nga bizneset që t`i zbatojnë ato masa dhe udhëzime të IKSHPK-së dhe moszbatim të vendimeve qeveritare. Sigurisht që ka ardhur deri tek mbyllja apo zbatimi i gjobave”, ka deklaruar për Front Online, Vesel Krasniqi.

    Megjithëkëtë, shefi i MTI-së, deklaroi që ditëve të fundit gjendja në terren është më e kënaqshme.

    “Të gjitha masat të cilat i nxjerr me vendim të Qeveria e Kosovës janë duke u inspektuar edhe në terren se sa po zbatohen ato dhe deri tani mund të them që në ditët e fundit mund të konsiderojmë që gjendja është më e kënaqshme. Kjo për faktin që ne kemi ndërtuar një trup ndërministrore do të thotë nga niveli qendror dhe ai lokal në kuadër të Asociacionit të Komunave. Java e parë ka qenë më shumë këshillëdhënëse ndërsa tani jemi duke shqiptuar edhe gjoba”, ka thënë Krasniqi.

    Ministri i MTI-së, theksoi se Policia e Kosovës tani është duke shqiptuar gjoba prej 20 euro për ata që nuk po i respektojnë masat, teksa dënimet e inspektoratit sanitar shkojnë deri në 8000 mijë euro.

    “Tek dënimet sigurisht që tani kanë filluar edhe policët qe të japin dënime për gjoba prej 20 euro. Pastaj kemi gjoba të tjera që inspektori sanitar ka të drejtën që t`i përcjell për dënim në Gjykatë, ku dënimet mund të jenë dhe mesatarja sillet te 8000 euro. Sigurisht që ka më pak, por edhe më shumë”, ka thënë ai për Front Online.

    Dogana kthen mbrapsht 50 mijë maska nga Kina, ministri tregon arsyen e vërtetë

    Pavarësisht që një ndër tri rregullat për mbrojtje nga Covid-19, është vendosja e maskës, së fundmi Dogana e Kosovës ka kthyer mbrapsht 50 mijë maska me vend origjine Kinën, që për destinacion kishin tregun kosovar.

    Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi ka thënë për Front Online, që arsyeja e kthimit mbrapsht të këtyre maskave është mungesa e testit për cilësinë e tyre.

    “Ne kemi inspektuar jo 500 por 50 mijë maska. I kemi bllokuar që të mos futen në tregun tonë për shkak që nuk kanë pasur test. Ato kanë qenë me origjinë nga Kina. Për këtë arsye edhe jemi çdo ditë në terren dhe në ditët në vijim presim masa edhe më të shtuara për sa i përket cilësisë së maskave”, ka thënë ministri për Front Online.

    Shefi i MTI-së, për Front Online ka thënë që nga Dogana e Kosovës është kërkuar që të mos lejohen që të futen në Kosovë maska pa teste.

    “Ne kemi kërkuar përmes Doganës që të mos lejohet që të futen maska të cilat nuk e kanë testin dhe në këtë aspekt ne kemi ngritur dyshimet tona më herët, kemi inspektuar dhe kemi verifikuar dhe kanë dal që nuk janë të përshtatshme për tregun tonë dhe për qytetarët”, ka thënë ai.

    E për verifikimin e cilësisë së maskave dhe mjeteve tjera, Kosova nuk ka laboratorë.

    “Nuk kemi laboratorë këtu në Kosovë, por kemi në shtetet fqinje”, ka thënë Krasniqi për Fron Online.

    Ministri sqaron mashtrimin me djathin nga Maqedonia e Veriut

    Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka konstatuar dje mashtrimin me sasinë në dy lloje të djathit të prodhuara në Maqedoninë Veriore. Ministri i këtij dikasteri qeveritar, Vesel Krasniqi ka thënë për Front Online, që në këtë rast kanë hasur në shkelje ligjore nga ana e prodhuesit.

    “Ne kemi vërejtur dhe kemi bërë analizat tona. Pas analizave dhe pas marrjes së rezultateve rezulton që ka shkelje ligjore për faktin që në kuadër të përmbajtjes, sasia e caktuar nuk përkon me realitetin pas analizave. Në këtë rast ne kemi konsideruar që ka shkelje ligjore dhe e kemi urdhëruar kompanitë distribuese për Kosovën që ta tërheqin sasinë e këtyre dy lloje të djathërave që vend origjine e kanë Maqedoninë e Veriut’, ka thënë ai.

    Ndaj këtij rasti, MTI, ka hapur rast gjyqësorë.

    “Në këtë rast ne kemi proceduar në Gjykatë edhe procedurat e tjera që të merren me këtë rast” , ka konfirmuar ministri për Front Online.

    Ministri i MTI-së: Do të vendosim reciprocitetin ndaj cilitdo shtet që praktikon masa

    Ministri i Tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqi nuk e ka përjashtuar vendosjen e reciprocitetit për Serbinë, në rast se ky shtet vendos masa kufizuese për Kosovën. Por, Krasniqi një opsion të tillë nuk e ka përjashtuar edhe për vendet e tjera.

    “Jo vetëm unë por si Qeveri e Kosovës, jo vetëm me Serbinë por me të gjitha shtetet e tjera konsiderojmë që është e nevojshme që nëse një shtet praktikon një masë, atëherë edhe ne do ta praktikojmë reciprocitetin jo vetëm me Serbinë”, ka thënë ai për Front Online.

    Për sa i përket heqjes së taksës ndaj shtetit serb, Krasniqi ka thënë që është bërë me qëllim të hapjes së rrugës për vazhdimin e dialogut.

    “Kur jemi tek Serbia ne jemi në fazën e dialogut për këtë arsye edhe është tërhequr taksa 100%, për t`i hapur rrugë dialogut, mirëpo nuk do të thotë që të bëhen shkelje ligjore dhe të importohet çdo gjë apo të mos lejohet të eksportohet një produkt nga Kosova. Sigurisht që ne do të marri çdo masë të reciprocitetit e veçanërisht me Serbinë”, ka thënë ai.

    Ministri i Nisma-s: Dialogu s’mund ta prish koalicionin me LDK-në e AAK-në

    Ministri i Nisma-s, Vesel Krasniqi i është kundërpërgjigjur kritikave të kreut të AAK-së dhe partnerit të koalicionit, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit, mbrëmë në televizionin publik, dha shenja se koalicioni mund të prishet nëse nuk koordinohen për negociatat finale me Serbinë.

    “Edhe nga e kaluara edhe tash është shumë normale qoftë nga këndi i opozitës, qoftë edhe brenda koalicionit mund të ketë zëra, mund të ketë mospajtime dhe janë krejtësisht normale. Nuk ka diçka që mund ta prish koalicionin. E ka ngritur një shqetësim sigurisht për shkak që ne jemi në procesin e një dialogu teknik mirëpo ne kërkojmë që të kemi një proces të dialogut përfundimtar ku do të rrumbullakoheshin të gjitha ato marrëveshje të cilat janë nënshkruar në të kaluarën”, ka thënë Krasniqi për Front Online.

    Krasniqi theksoi se Nisma është për marrëveshje finale me Serbinë dhe jo më për dialog teknik.

    “Edhe ne si Nisma dhe lideri ynë Fatmir Limaj ka konsideruar dhe ka thënë që ne nuk pajtohemi që të kthehemi mbrapa dhe të bëjmë një dialog teknik sepse në këtë rast do të favorizohej vetëm Serbia dhe sigurisht ne nga e kaluara e hidhur në marrëveshjet e arritura me Serbinë e dimë mirë që pjesa dërmuese e tyre nuk janë zbatuar dhe në këtë rast ka përfituar vetëm Serbia në raport me BE-në”, ka deklaruar ai. /Front Online/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.