Gjuha:
×
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Kosova, “në fund të pusit” në rajon me masa për shpëtimin e ekonomisë

    FrontOnline
    27 Korrik 2020

    Kosova, krahasuar me vendet e rajonit, i ka dalë më së paku në ndihmë bizneseve dhe ekonomisë, për të rikuperuar humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë COVID-19, thonë ekspertë dhe përfaqësues të bizneseve.
    Derisa disa nga vendet e rajonit kanë filluar me zbatimin e pakos së tretë, e cila i ndihmon qytetarët dhe bizneset, Kosova ende nuk ka zbatuar në tërësi Pakon e parë emergjente fiskale, në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh.
    Për shkak të mungesës së buxhetit, deri më tani nga kjo pako janë shpërndarë te qytetarët vetëm rreth 80 milionë euro.

    Sipas një platforme të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila ndjek politikat ekonomike që qeveritë po ndërmarrim për të kufizuar ndikimin e pandemisë COVID-19 te qytetarët dhe ekonomitë, vë në pah se:
    Serbia ka përgatitur një paketë masash ekonomike për të luftuar krizën e shkaktuar nga koronavirusi në vlerë prej rreth 3 miliardë euro.
    Ndërkohë, Qeveria e Malit të Zi më 23 korrik ka njoftuar se ka miratuar një paketë prej 1.2 miliard euro për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë në zbutjen e efekteve të pandemisë së koronavirusit.
    Pakoja prej 1.2 miliard eurosh, është pakoja e tretë e miratuar nga Qeveria e Malit të Zi, pasi paraprakisht ishin edhe dy pako të tjera në vlerë prej 320 milionë euro.
    Qeveria e Shqipërisë ka miratuar dy pako mbështetëse për qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia e koronavirusit, me një madhësi të kombinuar prej afër 400 milionë euro.
    Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me qëllim zbutjen e pasojave nga koronavirusi, që shkakton sëmundjen COVID-19, ka ndihmuar me rreth 550 milionë euro kompanitë dhe shtresat e rrezikuara të qytetarëve.
    Kosova ka miratuar Pakon emergjente fiskale në mars , që është në vlerë prej afër 180 milionë euro dhe Pakon për rimëkëmbje ekonomike në vlerë prej rreth 380 milionë euro. Por, Pakoja për rimëkëmbje ekonomike nuk mund të zbatohet pa miratimin e Projektligji për rishikimin e buxhetit 2020.
    Ky projektligji është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik dhe është proceduar në komisione parlamentare, në mënyrë që i njëjti të sillet në kuvend për votimin përfundimtar.
    Kosova u vonua në zbatimin e masave të ndihmës
    Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se në krahasim me shtete e Ballkanit Perëndimor, Kosova është relativisht vonë në zbatimin e masave në përkrahje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të afektuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19.
    “Qeveria e Maqedonisë (së Veriut) ka ndërhyrë me një pako monetare në vlerë prej 550 milionë euro, pa i përfshirë këtu lehtësirat fiskale, diçka që në vendin tonë ende nuk e kemi parë. Po ashtu, Mali i Zi i cili para pak ditëve ka paralajmëruar pakon e trete në vlerë 1.2 miliard euro, ndërsa dy pakot e para kanë pasur një shumë prej 320 milionë euro”, thotë Zeka.
    Ai shton se nëse krahasohen këto dy shtete me Kosovën, shumë lehtë mund të shihet sesa larg është Kosova që të zë hapin për të rikuperuar ekonominë nga pasojat që po i shkakton pandemia.
    “Situata që ndodhemi konfirmon të gjitha parashikimet tonë, parashikimet e zymta sa i përket rikuperimit ekonomik. Ne si OEAK kemi thënë se vonesa e shtetit edhe në miratimin e këtyre pakove dhe zbatimin e masave, do të bëjë që Kosova të humbasë hapin edhe sa i përket rimëkëmbjes ekonomike dhe zhvillimit ekonomik në përgjithësi”, thotë Zeka.
    Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se fakti që Kosova ende është në zbatim të Pakos emergjente fiskale tregon se është shumë vonë në rimëkëmbjen ekonomike krahasuar me vendet e rajonit.
    “Jemi dëshmitarë që vendet e rajonit kanë bërë shumë hapa, progres, për të ndihmuar sektorin privat dhe qytetarët. Në Kosovë shumë më shumë flitet sesa veprohet. Kur kemi gjendje emergjente duhet që të gjithë akterët relevantë të orientohen në një qëllim, që të minimizojnë pasojat e pandemisë në aspektin ekonomik dhe social, por në Kosovë edhe më tutje vazhdohet avazi tjetër, që për qëllime politike dhe për pushtet shkatërrohet shteti dhe shoqëria”, thotë Gërxhaliu.
    A do të shpëtohet ekonomia?
    Gërxhaliu shton se me këtë trend të zbatimit të Pakos emergjente fiskale dhe atë të rimëkëmbjes ekonomike, do të jetë shumë sfiduese shpëtimi i ekonomisë nga pasojat që po i shkaktohen nga pandemia COVID-19.
    Ai thotë se dëmet janë të mëdha dhe se Kosovës i duhet një infuzion financiar në vlerë prej 1.4 miliard euro për të ndihmuar ekonominë.
    “Nëse nuk do të ketë mbështetje të bizneseve dhe qytetarëve dhe nuk do të aktivizohet indikatori i konsumit, vërtet do të jetë sfiduese të flitet për rimëkëmbje ekonomike”, thotë Gërxhaliu.
    Rikthimi i masave për mbrojtje nga COVID-19, humbje e madhe për ekonominë
    Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se sipas parashikimeve, ekonomia e Kosovës do të ketë një tkurrje ekonomike në vitin 2020 minus 3 për qind, por që një kalkulim i saktë, sipas saj, do mund të bëhet në fund të vitit.
    Ndërkaq, sipas parashikimeve të mekanizmave ndërkombëtarë, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, ekonomia e Kosovës mund të shënojë rënie ekonomike mbi 5 për qind.

    KEDS njofton se këto vende do të mbesin pa rrymë
    Nga Rubrika
    Ekonomi27 Maj 2023
    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se formimi i Fondit Sovran do të jetë projekt i dështuar dhe barrë...
    Ekonomi27 Maj 2023
    Partitë opozitare në Kosovë po vlerësojnë se statistikat e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, që për 21 muaj në Kosovë janë punësuar...
    Ekonomi26 Maj 2023
    Ikja e të rinjve kosovarë nga vendi paraqet një situatë alarmante. Për këtë arsye duhet të krijohen kushte më të mira për...
    Të tjera
    Lajme28 Maj 2023
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përsëritur qëndrimin e QUINT-it të datës 26 maj rreth situtatës së krijuar në tri komunat...
    Lajme28 Maj 2023
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se çfarë ka biseduar me eurodeputeten, Viola von Cramon, pasi kjo e fundit e ka...
    Bota/Rajoni28 Maj 2023
    Rivali i Rexhep Tajip Erdogan, Kemal Kilicdaroglu, ka mbajtur një fjalim, duke thënë se zgjedhjet nuk kanë qenë fer. Kilicdaroglu është shprehur...
    Bota/Rajoni28 Maj 2023
    Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar homologun e tij, Recep Tayip Erdogan për zgjedhjen e tij si president i Turqisë për...
    Lajme28 Maj 2023
    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, i ka reaguar eurodeputetes, Viola von Cramon, pasi kjo e fundit në Zveçan iu tha forcave...
    Sport28 Maj 2023
    Në Allianz Stadium zhvillohet ndeshja e javës së 37-të në Serie A ndërmjet Juventusit dhe Milanit. Zonja e Vjetër pozicionohet në vend...

    FrontOnline, © 2023 Të gjitha të drejtat e rezervuara.