Emisari amerikan, Richard Grenell, ka qenë i prerë. Në këtë fazë, që ai e quan faza e parë, duhet të arrihet normalizimi i raporteve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai për një gjë të tillë thotë se i ka informuar edhe francezët dhe gjermanët. Pastaj, faza tjetër, ajo politike, sipas Grenellit, duhet të udhëhiqet prej evropianëve.
Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, emisari i posaçëm i Presidentit Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, e ka hedhur një kofë me ujë ftohtë mbi gjakrat e nxehura se me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë (që dikush e vizaton edhe me ngjyra të tjera) do të nxirren hartat dhe thikat për të prerë hartën e Kosovës, ose për të prerë çkado tjetër.
“Ka shumë zhurmë atje, njerëzit që nuk dinë, por që pretendojnë që dinë, po e hutojnë publikun”, ka thënë Grenell, lidhur me pretendimet se në Shtëpi të Bardhë do të diskutohet për tema të rënda politika. Ai i ka porositur njerëzit në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë që t’i dëgjojnë vetëm ata që janë kompetentë për këtë temë, e jo spekuluesit.
“Nuk e di sa herë duhet ta them, edhe pse kam qenë jashtëzakonisht i qartë, që ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi të bindur që konflikti 20-vjeçar në mes të Kosovës dhe Serbisë, mund të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik”, ka thënë ai.
Sipas përfaqësuesit të lartë amerikan, kjo do të duhej të ishte faza e parë e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Ai ka thënë që në fazën tjetër, në hapin e dytë, evropianët do ta udhëheqin procesin. Mirëpo kjo gjë, sipas tij, duhet të ndodhë vetëm kur të fillojnë të vijnë efektet e para të ekonomisë. Grenell ka insistuar që të kërkojë prej evropianëve që të fillojnë t’i liberalizojnë vizat për Kosovën, sepse, sipas tij, pa liberalizim të vizave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.
I N T E R V I S T A
Zotëri Grenell, herën e fundit kur biseduam, kryeministër i Kosovës ishte Albin Kurti. Pas mocionit të mosbesimit, ai tha se me ndihmën tuaj u rrëzua nga pozita. Cili ishte kontributi juaj në këtë, zotëri Grenell?
Shikoni, unë nuk do ta shikoj këtë. Këto janë çështje për popullin e Kosovës. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të kenë mundësi ta përcaktojnë politikën e vet amerikane dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara deri të Departamenti i Shtetit, Këshilli Kombëtar i Sigurisë, Shtëpia e Bardhë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte e unifikuar për atë që ne nuk dëshirojmë t’i çojmë dëm dollarët tanë të taksave dhe nuk kemi qenë të obliguar për të dhënë të holla për shtetet që kanë politika të cilat do ta çojnë dëm përkrahjen tonë. Pra, ne e patëm një politikë shumë të thjeshtë, që ishte: nëse ka taksa dhe reciprocitet nga cilado qeveri në Kosovë, ne nuk do të ishim në gjendje ta ofrojmë përkrahjen tonë financiare, sepse ne menduam se ishte diçka e çuar dëm. Kjo nuk kishte të bënte asgjë me zotëri Kurtin apo me ndonjë qeveri tjetër. Ishte politikë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara që ta pezullojmë përkrahjen tonë përderisa Kosova kishte politika që e dëmtonin vetë atë. Pra, ne nuk jemi përfshirë aspak në “karriget muzikore” për atë se kush përfshihet në qeveri. Ne kemi qëndruar shumë të vendosur në politikën tonë që nuk duam t’i çojmë dëm të hollat tona. Mua më duket se është shumë shokuese që njerëzit t’i presin dollarët e taksapaguesve të Shteteve të Bashkuara, pavarësisht cila ishte politika e tyre dhe kjo nuk është diçka që e bën Administrata Trump. Ju nuk mund thjesht të thoni se i merrni automatikisht dollarët e ShBA-së, pa marrë parasysh çfarë lloj politikash krijoni. Ka pasoja për çfarëdo politike qeveritare, kur është fjala për përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Nuk duhet të supozohet se ne gjithmonë do të shkruajmë çeqe të zbrazëta dhe ishte një politikë nga USAID-i, nga MCC-ja, nga të gjitha agjencitë tona qeveritare se politika e taksës 100 për qind dhe reciprocitetit ishin duke e dëmtuar vetë ekonominë e Kosovës, e cila tashmë ishte e brishtë dhe prandaj ne nuk deshëm t’i çojmë dëm të hollat tona, prandaj ne thjesht qëndruam anash. Nëse njerëzit e përfshirë në qeverinë e Kosovës vendosën që prania e qeverisë së Shteteve të Bashkuara anash ishte problem i vërtetë për ta, atëherë ky është momenti kur ata e kanë të drejtën të bëjnë çfarëdo rregullimi që duan. Ne ia bëmë të qartë në mënyrë të përsosur Albin Kurtit se kjo është politika e Shteteve të Bashkuara. Ai do të mund të shkonte përpara pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte zgjedhja e tij. Ne nuk kërkuam asgjë tjetër, përpos që thamë se nëse ju e dëshironi përkrahjen tonë, atëherë nuk mund të keni taksë 100 për qind dhe reciprocitet.
Po, por ju nuk do të kishit bashkëpunuar me të derisa të mos e hiqte taksën. Pra, ai nuk do të mund të vinte në Shtetet e Bashkuara, në Shtëpinë e Bardhë, në asnjë kombinim, pa e hequr…?
Albin Kurti kishte shumë mundësi të punonte me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ai vendosi që nuk e dëshiron këtë, sepse ai e kishte një politikë që ishte në kundërshtim me politikën tonë. Ai do të mund të provonte të shkonte përpara dhe të thoshte se politika e tij është më e mirë. Nuk do të zgjatem. Kjo është e tëra që do të them për Kurtin.
Pyetja e fundit rreth kësaj çështjeje. Ai tha në një intervistë se edhe pasi është shkarkuar nga detyra, ju të dy keni vazhduar të shkruani me njëri-tjetrin. A është kjo e vërtetë apo jo?
Nuk besoj se kjo është e vërtetë, do të më duhej të kthehem dhe ta shikoj. Një gjë që do ta them është se unë kam pasur komunikim shumë shumë të kufizuar me të. Një herë ishte personalisht, mund ta kem takuar dy herë. Sa herë kam shkuar në Prishtinë, e kam takuar shkurtimit, më duhet ta them. Pra, sa herë kam qenë në Prishtinë, jam takuar me të shumë shkurtimisht.
Por në fillim dukej se ju patët pritje të mëdha rreth tij.
Jo, kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk e kam njohur fare.
Në rregull, sepse ju e patët një shkëmbim me kryetarin e atëhershëm të Kuvendit, tash kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli…
Ka shumë thashetheme. Më lejoni të jem shumë i qartë. Kur erdha në Prishtinë, u takova me të gjithë shkurtimisht. Më pas e pata një bisedë telefonike në Shtëpinë e Bardhë mes Robert O’Brien, meje dhe Albin Kurtit. Ishte një bisede telefonike shumë e gjatë, ku ai ishte shumë i vendosur se nuk do t’i ndryshojë politikat e veta dhe ai ende e dëshironte përkrahjen e Shteteve të Bashkuara dhe ne e bënë të qartë në atë bisedë telefonike se ne jemi miq të shkëlqyeshëm me Kosovën, ua duam të mirën, por nuk ishim në një pozicion për të dhuruar të holla dhe për të ofruar përkrahje financiare, kur ju ishit duke bërë politika që po e dëmtonin vetë ekonominë tuaj. Pra, ne e bëmë këtë të qartë në mënyrë të përsosur. Ai e diti këtë dhe megjithatë zgjodhi të vazhdonte me politikën e vet. Ai tha: “Nuk mund të bëj asgjë për këtë. Kjo është politika ime.” Ai ishte shumë mirë i vetëdijshëm. Unë e takova atë kur isha në Prishtinë, një bisedë telefonike me Robert O’Brien në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj disa mesazhe shumë të kufizuara. Unë kurrë nuk fola me më të. Ishte diçka shumë minimale. Ai bëhej sikur kemi folur tërë kohën dhe sikur unë i kam bërë presion. Kjo nuk është e vërtetë. Ne kishim komunikim shumë të kufizuar, sepse e bëmë të qartë saktësisht se cila ishte politika jonë dhe ai e dinte këtë. Nuk kishte ndonjë mister për këtë.
A mendoni se zotëri Hoti tash si kryeministër do të jetë kryeministër legjitim…
Ne nuk do të përfshihemi në atë se kë e zgjedh për lider populli i Kosovës. Kjo nuk është çështje e Shteteve të Bashkuara dhe dua ta bëjmë këtë shumë të qartë. Ne nuk jemi të përfshirë në politikën e kësaj çështjeje. Ne veprojmë për ta mbajtur fuqishëm pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara është që ne kemi vullnet të ofrojmë ndihmë për rritjen e ekonomisë, nëse ju nuk e dëmtoni ekonominë tuaj. Neve nuk na bën kush është kryeministri apo presidenti. Nëse ata vendosin të zgjedhin një kryeministër të ri, një president të ri, përderisa ne mund të sigurohemi se ekonomia është duke u rritur, atëherë ne nuk kemi problem.
Në Kosovë është duke u zhvilluar një debat disi i tensionuar për atë se kush do ta udhëheqë delegacionin tonë. Pyetja ime për ju është: a do të dërgoni ftesë për ta bërë të qartë se kush duhet të jetë udhëheqësi i delegacionit apo kjo është çështje e jona?
Ju e keni pak ide për atë se cila është përfshirja e Shteteve të Bashkuara këtu. Ne nuk e kontrollojmë Kosovën. Ne jemi një aleat i Kosovës. Ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne i ftojmë personat që janë të ulur në karriget e presidentit dhe kryeministrit. Kjo është ajo që ne bëjmë. E kemi bërë për Kosovë, e kemi bërë për Serbinë. Ne i ftojmë personat zyrtarë që janë të ulur në ato karrige, ju e caktoni delegacionin tuaj. Ne nuk jemi aspak të përfshirë në këtë.
Në rregull. Atëherë, pritjet e popullit të Kosovës janë të ndryshme. A mund të na tregoni, ju lutem, çfarë duhet të presim rreth datës 27 të këtij muaji?
Unë mendoj se ju duhet të prisni vetëm biseda për çështje ekonomike. Ka shumë thashetheme për atë se në lidhje me çka janë këto bisedime dhe njerëzit që nuk e dinë po pretendojnë se e dinë dhe janë duke e hutuar publikun dhe unë vërtet shpresoj se publiku në Kosovë, në Serbi, në Evropë ta kuptojë se ata duhet t’i dëgjojnë vetëm njerëzit që e dinë se për çfarë po flasin, sepse janë disa raporte dhe komentues egoistë që po pretendojnë se e dinë çfarë është duke ndodhur. Nuk e di sa herë më duhet ta them, por kam qenë i qartë në mënyrë të përsosur ndaj të gjithëve që janë të përfshirë që ne, Shtetet e Bashkuara, qëndrojmë fuqishëm se kjo luftë 20-vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhet vetëm përmes normalizimit ekonomik, vendeve të punës për të rinjtë dhe një ekonomie që rritet. Të gjitha çështjet politike, para të cilave po vazhdojnë të hidhen të gjithë njerëzit politikë në Evropë dhe në Kosovë… Arsyeja pse këto çështje nuk janë zgjidhur për 20 vjet është sepse ju nuk jeni të fokusuar te njerëzit që kanë nevojë të përfitojnë nga normalizimi ekonomik. Shumë të rinj po e braktisin rajonin dhe po shkojnë në Gjermani ose Hungari ose Holandë, sepse ata nuk po ndiejnë se ka shpresë në Kosovë. Kjo nuk do të zgjidhet përmes shtyerjes së menjëhershme të një çështjeje për normalizim në një farë mënyre. Meqë ra fjala, kjo është në një pjesë të madhe problem për Evropën. Ka qindra njerëz që thonë se amerikanët dhe evropianët nuk janë në rrugën e njëjtë.
Po, Lajçak tha sot në Prishtinë.
Kushdo që e thotë këtë, ju nuk duhet ta dëgjoni, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë jam koordinuar shumë herë me këshilltarin francez për siguri kombëtare, Emmanuel Bonne, dhe me këshilltarin gjerman për siguri kombëtare, Jan Hecker. Ata të dy e dinë se cili është roli i kufizuar i Shteteve të Bashkuara. Roli ynë i kufizuar është që të shtyejmë drejt normalizimit ekonomik, të ofrojmë ndihmë për të krijuar vende pune, të ofrojmë ndihmë që t’i lehtësojmë disa nga çështjet politike. Secili që vazhdon të parashikojë çështje politike ose që pretendon se ne do të bisedojmë për çështjet e vështira politike javën e ardhshme, e ka gabim. Vizioni im, për të cilin kam biseduar me këshilltarin francez dhe këshilltarin gjerman, i ka dy hapa. Hapi i parë është normalizimi ekonomik. Nuk e di sa herë Shtetet e Bashkuara dhe Administrata Trump e thonë këtë. Njerëzit duhet të dëgjojnë. Ne jemi të fokusuar në normalizim ekonomik. Ne po përpiqemi të krijojmë besim dhe çështje. Për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përmbyllen marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor. Kështu zhvillohet tregtia.
Kjo është shtylla e marrëveshjes së re, hekurudhat, autostrada dhe transporti ajror, apo jo?
E saktë. Njëkohësisht, rruga e evropianëve me Kosovën dhe Serbinë drejt integrimit në Evropë është tërësisht e udhëhequr nga Evropa, por kjo nuk mund të bëhet derisa të arrihet normalizimi ekonomik. Kjo është pikëpamja e Shteteve të Bashkuara dhe ky është vizioni i Shteteve të Bashkuara. Ne qëndrojmë fuqishëm se përpjekja për t’i shtyer këto çështje që janë shtyer për 20 vjet, arsyeja pse nuk kanë funksionuar është sepse nuk ka përfitim për popullin. Populli ka nevojë të shohë një ekonomi që po rritet në mënyrë që të flitet për bisedime. Pra, është shumë e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë dhe ne kemi thënë se ky nuk është lajm në zhvillim, nuk është lajm i ri. Ne jemi të fokusuar në pjesën ekonomike dhe kjo është pjesa e vetme për të cilën do të flasim në Uashington, ka të bëjë me ekonominë. Francezët e dinë këtë, gjermanët e dinë këtë dhe ata e kanë miratuar këtë, sepse hapi i dytë, i cili do të marrë ca kohë. E dini, nuk do të flisni për çështje politike derisa të shënoni përparim në ekonomi, derisa njerëzit të shohin vende pune dhe kjo merr kohë të gjatë që është një tjetër goditje e drejtpërdrejt kundër këtyre thashethemeve se Administrata Trump po kërkon një marrëveshje të shpejtë. Kjo është plotësisht e gabuar, kjo kurrë nuk ka qenë pjesë e ekuacionit. Ne nuk kemi afate kohore. Ne kurrë nuk kemi kërkuar diçka të shpejtë. Albin Kurti vazhdimisht e thoshte këtë dhe ai gjithashtu vazhdimisht thoshte se ne duam shkëmbim territoresh. Unë po ju tregoj se nuk do të flasim për këto çështje të vështira politike. Fokusi i Shteteve të Bashkuara është në normalizim ekonomik. Transporti ajror, hekurudhor dhe çështjet kufitare. Pra, ardhja në tavolinë për të biseduar për këto çështje është saktësisht fokusi. Për këtë arsye, francezët dhe gjermanët e kuptojnë plotësisht se kur e kalojmë pjesën ekonomike dhe kjo do të marrë ca kohë përsëri, kur vendet e punës të fillojnë të kthehen, kur ekonomia fillon të përmirësohet, atëherë mund të filloni të bisedoni për çështjet politike dhe atëherë evropianët do të udhëheqin.
Pra, ju do të bashkëpunoni ngushtë me evropianët për çështjet politike?
Dëgjoni, janë dy faza të ndryshme për këtë. Shtetet e Bashkura janë të fokusuara në fazën ekonomike. Të gjitha çështjet politike janë çështje evropiane. Ajo vjen e dyta. Ajo nuk do të jetë e suksesshme dhe vizioni që e ndajmë me francezët dhe gjermanët është se ju nuk do të jeni të suksesshëm në çështjet politike pa krijuar vende pune për të rinjtë dhe pa krijuar normalizim ekonomik. Si mund të pretendoni se jeni duke e bërë një marrëveshje finale, kur kufijtë nuk janë të hapur dhe kur nuk ka një fluturime mes Prishtinës dhe Beogradit për komunitetin e biznesit që të bëjë një normalizim ekonomik? Ky është mashtrim. Ka qenë i lidhur dhe i ndrydhur për vite dhe Shtetet e Bashkuara besojnë se kurrë nuk do të ndodhë, derisa ju të krijoni shpresë dhe vende pune për të rinjtë. Ne jemi të përqendruar në këtë. Dhe më lejoni gjithashtu të them se si pjesë e këtij fokusi ekonomik, me qëllim të nxitjes së rritjes së ekonomisë, një ndër gjërat për të cilat kam folur me kancelaren Merkel disa herë dhe për të cilat kam folur me dy këshilltarët e sigurisë kombëtare është të them atë që besoj se evropianët do të duhej të ishin duke e bërë tani me qëllim të ndihmës për normalizim ekonomik, hapi i parë, dhe unë dua që të flisni për hapin e parë dhe hapin e dytë, që hapi i dytë është politika, hapi i parë është ekonomia. Ne jemi të ngarkuar me hapin ekonomik. Pjesë e këtij hapi të parë për normalizim ekonomik është që evropianët duhet të ofrojnë viza në mënyrë që bizneset të mund të rriten. Si mundet një biznes ndërtimi apo një firmë inxhinierie apo çfarëdo lloj biznesi që dëshiron të zgjerohet jashtë Kosovës. Ato kanë nevojë të marrin trajnime në Gjermani apo vende të tjera, ato kanë nevojë të shkojnë te zhvillimi i biznesit, ato kanë nevojë për viza dhe ajo që kemi kërkuar ne është që të fillohet me gjëra të vogla.. Përsëri, mos thoni se ne po mundohemi t’i heqim të gjitha vizat. Ne po përpiqemi të bëjmë gjëra të vogla dhe të fillojmë ngadalë. Ne i kemi shtyrë evropianët që të mendojnë për llojin ekonomik të vizave, që janë për njerëzit e biznesit kështu që kjo mund të ndihmojë për hapin e parë.
A keni folur me ta për këtë?
Po, e kam ngritur këtë çështje shumë herë dhe po vazhdoj t’i shtyejë ata që të ofrojnë ndihmë në aspektin ekonomik duke ofruar viza të shënjestruara për sektorë të caktuar të biznesit. Vizat turistike janë për të gjithë, por të fillohet me viza të shënjetruara për biznes në të njëjtën kohë në të njëjtën kohë që Shtetet e Bashkuara janë duke bërë zhvillim ekonomik. Meqë ra fjala, evropianët janë duke bërë gjithashtu zhvillim ekonomik. Ne jemi duke udhëhequr në fazën e parë, ata do të jenë duke udhëhequr në fazën e dytë.
A do ta shohim hapin e dytë para nëntorit?
Ju jeni duke e bërë një pyetje të pamundur dhe nuk po e dëgjoni atë që thashë. Hapi i dytë nuk fillon para se hapi i parë të jetë i suksesshëm.
Shiko, njohja reciproke nuk mund të jetë e suksesshme derisa të keni ekonomi që rritet dhe biznese që rriten dhe të rinj që janë atje dhe evropianët duhet të jenë në krye të kësaj sepse kjo është pjesë e Evropës. Ngjashëm me çështjet politike janë një rrugë dhe ne nuk jemi të përfshirë në këtë. E kemi bërë shumë të qartë. Nuk jemi të përfshirë, është totalisht Evropë. E kemi bërë të qartë te francezët dhe gjermanët se posa të fillojë të rimëkëmbet ekonomia, posa të kemi marrëveshje për transportin ajror, hekurudhor dhe tokësor, posa t’i shohim bizneset duke u rritur, atëherë do të jetë më e lehtë për evropianët për çështjet politike. Ekziston një shprehje në Shtetet e Bashkuara “ta vendosësh qerren para kalit”.
E di, e përdorim edhe ne në gjuhën tonë.
Ju nuk mund ta bëni këtë. Pjesa e parë, puna e vështirë që duhet të kryhet është puna e vështirë për rritjen e ekonomisë.
A do të marrë pjesë në takim presidenti Trump, zotëri Grenell?
Më duhet të shkoj, prandaj ju e keni edhe një pyetje.
Po, a do të marrë pjesë në takim presidenti Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë?
Në këtë pikë, nuk ka plan që ai të marrë pjesë në këtë takim. Do të jenë Robert O’Brien dhe Rick Grenell.
Në rregull, faleminderit shumë, zotëri Grenell!