Infeksionet e reja kanë arritur nivel rekord në gjashtë shtete të Shteteve të Bashkuara, duke e shënuar një valë të re të rritjeve për javën e dytë radhazi.
Arizona, Florida, Oklahoma, Oregoni dhe Teksasi kanë raportuar shifra rekorde të rasteve të koronavirusit të martën pasi javën e kaluar u shënuan rekorde të reja. Nevada gjithashtu e ka raportuar numrin më të madh ditor të rasteve të martën.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është duke e planifikuar një tubim të madh në mjedis të mbyllur në Oklahoma këtë fundjavë, pavarësisht se në këtë shtet janë regjistruar 591 raste të reja të hënën, shifër që paraqet rritje prej 7.7 për qind dhe shifrën më të lartë në Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë Reuters, rastet e koronavirusit në Oklahoma kanë shënuar rritje për 68 për qind javën e kaluar.
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha se zyrtarët janë duke e shqyrtuar mbajtjen e tubimeve në mjedis të hapur në Tulsa, që do të ishte tubimi i parë i Trumpit që nga përhapja e virusit në mars, shkruan “The Guardian”.
Zyrtarët shëndetësorë në Oklahoma u kanë bërë thirrje të gjithë njerëzve që synojnë të marrin pjesë në tubim që të testohen për koronavirus para se të shkojnë atje dhe më pas të vetizolohen dhe të testohen përsëri. Komisioneri për shëndetësi kërkoi nga personat mbi moshën 65-vjeçare që të qëndrojnë në shtëpi.