
Shkëlzen Gashi, ish këshilltar i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, iu ka kundërpërgjigjur një deklarate të mbrëmshme të Presidentit Hashim Thaçi për të.
“Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime»”, është shprehur ai përmes Facebook.
Gashi në postimin e tij ka thënë se UCK ka bërë gabime dhe ka theksuar, sipas tij, gabimin kryesor të saj.
“Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin”.