
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, pas votimit të Qeverisë “Hoti” përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se pse nuk e ka votuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
Ajo ka thënë se, në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehet rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime.
Kadaj Bujupi ka thënë se LDK-ja e ka anashkaluar Vjosa Osmanin e cila në zgjedhjet e fundit ka qenë më e votuara nga kjo parti.
Postimi i plotë i saj:
Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore.
Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë.
Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër.