Hulumtime

Degradimi mjedisor nga hidrocentralet

Degradimi mjedisor nga hidrocentralet
16:53 | 04 Nëntor 2021

Punimet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe futja e ujit në gypa në disa nga fshatrat e Deçanit dhe Shtërpcës kanë shkaktuar pasoja të shumta. Ato janë ndërtuar në parqet kombëtare, të cilat janë zona të mbrojtura me ligj. Shumë hektarë të shtretërve të lumenjve janë degraduar dhe është pakësuar niveli i ujit në lumë. Ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta ligjore. Disa prej tyre janë duke operuar kundërligjshëm

Ndërtimi i hidrocentraleve në disa komuna të Kosovës ka shkaktuar dëme të shumta mjedisore, si dhe ka shqetësuar banorët në zonat ku janë ndërtuar ato. Ata fillimisht nuk kanë qenë të informuar se cilat janë pasojat e punimeve që janë bërë afër lumenjve dhe futjes së lumenjve në gypa.

Preportr ka vizituar disa fshatra në Komunën e Deçanit dhe të Shtërpcës për të parë nga afër punimet që janë bërë buzë lumenjve dhe në ambientin përreth.

Gjurmët e punimeve në shumë prej vendeve janë ende të freskëta. Në shumë vende shihen hapësira të shumta të degraduara, rrëshqitje të dheut si dhe vende ku janë prerë pyjet për t’u ndërtuar kanali për futjen e gypave.

Bajram Tahiraj banor i fshatit Beleg të Komunës së Deçanit, thotë se për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve në grykën e Deçanit janë degraduar me qindra hektarë mal përgjatë rrjedhës së lumit, pasi që gjatë ndërtimit të hidrocentraleve janë prerë lisat përreth.

Tahiraj që thotë se e frekuenton shpesh atë pjesë, tregon se kanë probleme me ujë të pijshëm për shkak të futjes së ujit në gypa.

Ai thotë se rrjedha e Lumbardhit ka qenë gjithmonë me prurje të madhe të ujit, sidomos gjatë stinës së pranverës, ndërsa tash pasi që hidrocentralet e marrin ujin nga lumi, prurja e tij është shumë e vogël, e ndonjëherë edhe nuk ka fare.

“Dallimi i prurjes së ujit vërehet tek vendi ku janë gypat që e marrin ujin, në ato vende ka prurje më të madhe, ndërsa përgjatë rrjedhës së lumit prurja është më e vogël. Pra humb uji”, thotë Tahiraj.

Tutje ai shton se në bjeshkët e Deçanit, veçanërisht përgjatë rrjedhës së Lumbardhit ka pasur turizëm ndër vite, e që me ndërtimin e hidrocentraleve është shuar edhe turizmi, pasi që në ato vende është gërmuar dhe tashmë nuk është vend i përshtatshëm për një aktivitet të tillë rekreativ.

“Përpara ka pasur shumë peshq gjatë rrjedhës së lumit, kurse tash nuk ka si pasojë e këtyre hidrocentraleve”, u shpreh Tahiraj.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Preportr përmes platformës ECR ka publikuar një pyetësor për të marrë përgjigje nga qytetarët lidhur me ndikimin që e kanë pasur hidrocentralet në mjedis dhe rrjedhimisht në përditshmërinë e tyre.

Nga të dhënat e gjeneruara nga pyetësori, rezulton se 72 për qind e respondentëve i konsiderojnë hidrocentralet të dëmshme për mjedisin dhe vendin ku ata jetojnë.

Aktivistët e mjedisit thonë se për të gjitha hidrocentralet në Komunën e Deçanit dhe ata të Shtërpcës, diskutimet publike për vlerësimin e ndikimit në mjedis janë zhvilluar formalisht pa transparencën dhe informacionet e duhura si dhe me pjesëmarrje minimale, ose pa pjesëmarrje të publikut.

Edhe rezultatet që kanë dalë nga pyetësori tregojnë një gjë të tillë. Rreth 82 për qind e respondentëve janë përgjigjur se nuk kanë qenë pjesë e diskutimeve publike pasi që nuk ka pasur njoftim për këtë gjë. Ndërsa 17 për qind e tyre kanë marrë pjesë. Por në pyetjen se sa janë marrë parasysh qëndrimet e banorëve në këto diskutime, 60 për qind prej tyre kanë deklaruar se nuk janë marrë fare parasysh.

Shumica e respondentëve kanë deklaruar se dëmet më të mëdha që janë shkaktuar nga hidrocentralet janë: Degradimi i mjedisit përreth, degradimi i shtratit të lumit, degradimi i vendeve turistike etj.

16 hidrocentrale operojnë në mënyrë ilegale

Përveç dëmeve mjedisore, një raport i publikuar muaj më parë nga një grup punues i themeluar nga Ministria e Mjedisit, tregon për shkelje të shumta ligjore dhe administrative sa i përket ndërtimit dhe funksionit të hidrocentraleve (HC).

Ky grup punues ishte themeluar në maj të vitit 2021 me vendim nga ministri i MMPHI, Liburn Aliu, me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë si dhe aspekteve procedurale dhe administrative të lejimit të këtyre HC-eve. Në kuadër të grupit ishin përfshirë ekspert nga MMPHI dhe agjencitë vartëse të saj.

Në këtë raport ndër të tjera thuhet se përkundër faktit se me ligj është rregulluar që për shfrytëzimin e ujit për qëllime afariste duhet të sigurohet koncesioni, Ministria e Mjedisit si autoritet përgjegjës për dhënien e të drejtës ujore nuk e ka zbatuar dhënien e koncesionit, por dhënien e të drejtës ujore e ka bërë me leje ujore, që paraqet shkelje të Ligjit për Ujërat e Kosovës.

Dallimi bazë ndërmjet lejes ujore dhe koncesionit qëndron në faktin se koncesioni jepet përmes një procesi konkurrues, ndërkaq leja ujore jo.

Leja ujore jepet për shfrytëzim të ujit për konsum të përgjithshëm si dhe për aktivitete të tjera që ndikojnë në regjimin ujor ndërsa koncesioni jepet për shfrytëzimin e ujërave për veprimtari afariste, si, shfrytëzimi i fuqisë së ujit për prodhimin e energjisë elektrike etj.

Sipas raportit, të gjitha hidrocentralet janë ndërtuar në afërsi të drejtpërdrejt të ujë-rrjedhave nga të cilat gjenerojnë energjinë, duke qenë kjo në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës, me të cilin ndalohet ndërtimi në distancë më të vogël se 30 metra prej vijave të plota.

“Nga 20 HC në operim, vetëm katër prej tyre posedojnë leje mjedisore, ndërsa 16 të tjera operojnë në mënyrë ilegale, pa leje mjedisore, në kundërshtim me ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit”, thuhet ndër të tjera në raport.

Raporti thekson se lëshimi i pëlqimit mjedisor për të tri HC-et: “Lumbardhi II”, “Belaja” dhe “Deçani” është kundërligjor. Kjo për faktin se të tri HC-et janë trajtuar në mënyra të ndryshme në aktet e ndryshme administrative sipas preferencave të operatorit. P.sh. pëlqimi mjedisor është dhënë për të tria bashkë, njëjtë edhe pëlqimi komunal, kurse lejet ujore dhe mjedisore janë dhënë ndaras. Lejet urbanistike janë dhënë për dy HC bashkë, ndërsa për një veçmas.

Grupi punues që e ka përpiluar këtë raport ka konsideruar se lëshimi i lejes ujore për HC “Deçani’’ dhe “Belaja” është bërë pa e verifikuar prurjen e pranueshme ekologjike.

Në raport thuhet se konstatimi i komisionit për leje mjedisore se “shtigjet e peshqve janë funksionale” është joprofesional pasi që është bërë pa u kryer një monitorim adekuat për mënyrën e funksionimit të shtigjeve të peshqve.

“Me ndërtimin e HC “Lumbardhi” lokacioni “Zalli i Rupës” është degraduar skajshmërisht si rezultat i eksploatimit të zhavorrit nga ana e poseduesit të lejes ndërtimore. Po ashtu, rruga për në këtë lokacion ka shembje të dheut si rezultat i punimeve, gjë që paraqet vështirësi të kalimit në këtë pjesë të rrugës”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raport thuhet se në lokacionet ku janë zhvilluar punimet në Grykën e Deçanit, vendi ka mbetur i degraduar, shtegu i peshqve nuk është i zbatuar në mënyrën e duhur, ka hedhje të palejuara të betonit të tepruar në brigjet e lumit, nuk ka matje të nivelit/prurjeve të ujit as para as pas veprave ujë marrëse, traseja e tubacioneve shtrihet nëpër sipërfaqe publike, strukturat e betonit në veprat ujë marrëse janë në shpërputhje të plotë me peizazhin etj.

Pavarësisht gjetjeve të shumta që ka ky raport, Shpresa Loshaj aktiviste për mjedis dhe themeluese e organizatës për mbrojtën e mjedisit “Pishtarët”, thotë se aty do të duhej të përfshihej edhe moszbatimi i kontratës që Kelkos e ka pasur me Komunën e Deçanit.

Ndër pikat kryesore të kontratës është edhe rehabilitimi i vendeve ku operon kompania gjatë ndërtimit të hidrocentraleve dhe infrastrukturës përcjellëse.

Preportr ka dërguar pyetje në Komunën e Deçanit lidhur me moszbatimin e kontratës mes kësaj komune dhe Kelkosit, degradimet e mjedisit, transparencën lidhur për këtë çështje etj., por nuk ka marrë përgjigje.

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, ka folur për këtë çështje vitin e kaluar kur ishte formuar një Komision Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve.

Në mbledhjen e këtij komisioni, Ramosaj ka thënë se normat për ndërtimin e hidrocentraleve të parapara në kontratën e nënshkruar nuk janë respektuar në rastin e hidrocentraleve të ndërtuara nga kompania Kelkos dhe se ambienti nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme.

“Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje me gjithë këtë dokumentacion, sepse pos asaj, nuk iu ka përmbush asnjë obligim, asnjë premtim, asnjë e drejtë që buron nga marrëveshja fillestare që është nënshkruar”, ka thënë Ramosaj.

Duke folur për dëmet mjedisore, ai ka thënë se nga punimet e hidrocentraleve janë humbur dy burime të ujit.

Degradime të shumta mjedisore

Shpresa Loshaj ka qenë shumë e zëshme ndaj pasojave mjedisore që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve nga kompania “Kelkos”.

Ajo thotë se ndërtimi i hidrocentraleve ka ndërruar gjeografinë e Grykës së Deçanit dhe se dëmet kanë filluar që nga viti 2013, kur edhe kanë filluar ndërtimet. Ajo thotë se pavarësisht dëmeve që janë shkaktuar ndër vite, pak është ditur lidhur me hidrocentralet dhe se njerëzit përgjithësisht kanë pasur frikë të flasin për këtë çështje.

“Vitin e kaluar te vendi që njihet si “Zalli i Rupës” nuk ka pasur asnjë pikë ujë në lumë. Ai vend dukej si shkretëtirë”, thotë Loshaj.

Edhe fotografitë që janë bërë në atë periudhë kohore dëshmojnë për degradimet mjedisore që janë bërë në këtë vend.

Loshaj thotë se për shkak të punimeve, është ngritur niveli i rrugës në raport me lumin, sepse nuk kanë mundur t’i fusin gypat shumë nën tokë, por i kanë mbuluar me dhe. Për këtë arsye lumi ka mbetur shumë poshtë, pra ka një pjerrtësi të madhe aty.

“Për këtë arsye nuk mund të dalësh më në piknik afër lumit, siç kanë dalë njerëzit para së të vendosen gypat. Ajo pjesë ka qenë e qasshme para se të punohet aty,”, ka thënë Loshaj.

Këtë e ka vërejtur edhe ekipi i Preportr gjatë vizitës në Grykën e Deçanit. Për kilometra të tëra është shumë e vështirë për t’u qasur në lumë, pasi që distanca në thellësi mes rrugës dhe lumit tashmë është rreth dy metra.

Shpresa Loshaj thotë se në vendet ku është gërmuar për t’i futur gypat, tani nuk ka pisha e dru, por kanë dalë verrat dhe në këtë mënyrë është shkatërruar habitati i drunjëve.

“Ne kemi parë disa herë dhe kemi fotografi dhe video që tregojnë se lumi nuk ka pasur ujë. Pra lumi nuk ka peshq më, sepse nuk mbijetojnë ata nëse një ditë e ndalë ujin e pas disa ditëve e lëshon dhe mendon që aty vazhdon jeta”, thotë Loshaj.

Pavarësisht dëmeve që janë bërë në mjedis, Loshaj thotë se institucionet në nivel qendror dhe atë lokal në vazhdimësi e kanë mbrojtur Kelkosin, duke mos ofruar të dhëna mbi punimet që janë kryer në Grykën e Deçanit.

Ajo thotë se organizimi për të mbrojtur Kelkosin ka qenë shumë i madh dhe në vazhdimësi është tentuar që të heshtën zërat kundërshtues.

“Posterët që janë nga 2-3 metra i kemi vendos në Deçan me mesazhet për mbrojtjen e Lumbardhit të Deçanit, dikush i heq natën. Edhe para derës së shtëpisë ka ardhë dikush natën ma ka heq posterin. Heqja e posterave natën nuk e ka vetëm qëllimin që ta heqin posterin, por të dërgojnë porosi që të kesh kujdes”, u shpreh Loshaj.

Për shkak të aktivizmit lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve në Grykën e Deçanit dhe deklaratave publike lidhur me këtë çështje, në qershor të vitit të kaluar, kompania Kelkos ka bërë padi civile për shpifje ndaj Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferrit.

Përgjigje në padi kësaj kompanie i ka bërë koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile. Nga ky koalicion kanë thënë se qëllimi i padisë asnjëherë nuk ka qenë që Kelkos ta fitojë rastin, por qëllimi ka qenë frikësimi i aktivistëve që kritikojnë operimet e kësaj kompanie në atë zonë.

Por me 18 tetor të këtij viti, përfaqësuesit e Kelkos e kanë njoftuar avokaten Rina Kika se i kanë tërhequr paditë ndaj dy aktivistëve.

Shpesa Loshaj shprehet e pakënaqur me veprimet e qeverisë aktuale, pasi që ka pritur se do të ndërmerren masa ndaj Kelkosit për shkak të shkeljeve të shumta që i ka bërë. Ajo thotë se vetëm po kërkojnë të zbatohet ligji.

“Nëse Kelkosi i ka marrë lejet kundërligjshëm në dhjetor, atëherë kanë thënë se do t’ua tërheq lejet. Lejet e mëhershme mos t’i heq, por ligji thotë që nëse operatori ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme, si p.sh nuk ka studim të ujit, nuk ka matës të ujit, nuk e ka rehabilitu ambientin, nuk mundet të operojë më, sepse nëse operon i bënë lumit dëme të pariparueshme. Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu duhet ta ndalë punën e Kelkosit në këtë rast dhe t’ia jep një kohë për t’i bërë këto punë”, ka thënë Loshaj.

Pasojat në ujin e pijshëm dhe rrjedhën e lumenjve

Edhe ndërtimi i hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës ka ngjallur reagime të shumta të qytetarëve. Kundërshtimet kryesore ishin për degradimet mjedisore dhe për pasojat nga “varrosja” e lumit duke e futur në gypa.

Preportr ka vizituar disa lokacione në këtë komunë, për të parë nga afër punimet që janë bërë. Banorët e kësaj pjese që nuk dëshironin të prononcoheshin me identitet, thonë se janë bërë dëme të shumta mjedisore. Në atë zonë janë ndërtuar disa ujëmbledhës të cilët e mbledhin ujin edhe nga përroskat e vogla.

Granit Berisha ka qenë i angazhuar si aktivist për t’i ndihmuar banorët e fshatrave të Komunës së Shtërpcës për të artikuluar kërkesat dhe kundërshtimet e tyre lidhur me dëmet mjedisore që janë shkaktuar dhe po shkaktohen për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve.

Ai thotë se njëra nga pasojat është reduktimi i orarit të ujit të pijshëm në qytetin e Shtërpcës dhe  ndotja e burimeve të ujit.

“Që dy vite uji në këtë qytet nuk është i pijshëm dhe kjo ka ardhur si rezultat i ndërtimit që ka bërë Matkosi me hidrocentralin ‘Shtërpca” , thotë Berisha.

Ai thotë se shumica e rrjedhave të lumit Lepenc janë duke u futur në hidrocentrale shkaku që gjenerojnë shumë energji kinetike, sepse kanë rënie shumë të madhe. Sipas tij, kjo ka pasur për pasojë, shkatërrimin e tyre, rënien e vegjetacionit sidomos te rrjedha e lumit, që është si peizazh i mbrojtur në zonën e parkut.

“Kemi marrë shumë ankesa nga ai komunitet. Ata ankohen për sasi të vogël të ujit që është i pamjaftueshëm për aktivitetet bujqësore që ata janë duke e zhvilluar”, thotë Berisha.

Për më tepër ai thotë se ka pasur shumë ankesa vetanake nga banorët për shkak se në shumë prona operatori ekonomik ka filluar të operojë pa marrë leje nga pronarët. Për këtë arsye janë bërë padi civile nga qytetarët me kërkesën që operatori t’i ndalë punimet.

Gjithashtu, komuniteti i banorëve nga fshatit Biti e Shtërpcës është në kontest administrativ me Ministrinë e Mjedisit lidhur me dhënien e lejeve mjedisore ndaj kompanisë Matkos, kryesisht në mos përfshirjen në vendimmarrjen mbi projektet të cilat e prekin mjedisin dhe komunitetin.

Banorët e këtij fshati kishin protestuar disa herë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentralit në Lumin Lepenc.

Granit Berisha thotë se nuk ka pasur diskutim publik me banorët lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve, përkatësisht dëmeve mjedisore.

“Ne kur kemi kërkuar qasje në dokumente publike, procesverbali i takimit ka qenë në një fletë A4 e shkruar në vetën e parë nga zyrtari i ministrisë. Në listën e pjesëmarrësve janë katër zyrtarë prej ministrisë”, thotë Berisha, duke shtuar se vendi i mbajtjes së takimit ka qenë njëri prej restoranteve që e ka në Brezovicë pronari i hidrocentraleve dhe se ky takim është mbajtur shumë larg prej qytetarëve.

Edhe raporti i grupit punues ka gjetur shkelje të shumta ligjore që janë bërë gjatë pajisjes me dokumentacionet përkatëse për kompaninë Matkos.

Sipas raportit, nuk është zbatuar procedura e koncesionit për dhënien e të drejtës për shfrytëzim të ujit siç kërkohet me Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe se pëlqimi ujor është lëshuar pa i përmbushur asnjë prej kushteve ujore.

Raporti gjithashtu thekson se në leje ujore nuk ka të dhëna për veprat ujë marrëse, lokacionin e tyre, tubacionet, prurjet ekologjike për secilën prej profileve ujë marrëse etj.

Leja ndërtimore për HC “Brezovica” është lëshuar në pronë ujore, në afërsi të drejtpërdrejt të lumit, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës që përcakton distancën prej minimum 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave.

“Në asnjërën prej profileve të veprave ujë marrëse nuk ka matje të prurjes së ujit, siç kërkohet me kushte ujore dhe me leje ujore. Dhënia në shfrytëzim e pronës ujore nga Komuna e Shtërpcës për “Matkos Group” me vendim është në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës”, thuhet në raport.

Pëlqimi mjedisor është lëshuar për ndërtimin e HC-ve gjeneruese përgjatë Lumit Lepenc nga Komuna e Shtërpcës pa i specifikuar ngastrat kadastrale.

“Edhe pse leja mjedisore nuk është lëshuar për këto dy hidrocentrale, HC-të janë duke operuar”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti për HC Brezovica dhe HC Viça nuk ka shteg të peshqve në asnjërën prej veprave marrëse, traseja e tubacioneve shtrihet nëpër sipërfaqe publike, nuk ka matje të nivelit/prurjeve të ujit as para as pas veprave ujë marrëse, investitori nuk ka informacion se sa është prurja ekologjike që duhet të lëshohet në lumë, strukturat e betonit në veprat ujë marrëse janë në shpërputhje të plotë me peizazhin, ndërtesa e hidrocentralit është në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit – në pronën ujore etj.

Përveç dëmeve të kësaj natyre, punimet për ndërtimin e hidrocentralit kanë shkaktuar dëme edhe në rrugën rajonale.

Ministria e Infrastrukturës që në atë kohë udhëhiqej nga Lumir Abdixhiku, me 10 shkurt të vitit 2020 i ka dhënë një pëlqim kompanisë Matkos që të vendosë një gyp nëntokësor në trupin e rrugës rajonale Shtërpcë – Brezovicë. Edhe pse kanë kaluar mbi 20 muaj që kur është dhënë ky pëlqim, rehabilitimi i rrugës nuk është bërë plotësisht.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Infrastrukturës thonë se kjo rrugë është në pritje të shtrimit të shtresës së fundit me asfalt.

“Para se të bëhet kjo fillimisht është duke u punuar në rregullimin e trotuareve të cilët janë dëmtuar gjatë ndërhyrjeve të kompanisë Matkos. Sapo të përfundojnë këto sanime, menjëherë do të fillojë asfaltimi i kësaj rruge”, thuhet në përgjigje.

Pavarësisht gjetjeve që janë bërë në raportin e grupit punues lidhur me ndërtimin e HC-ve në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë, nga kjo ministri thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë masë dhe nuk kanë dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ndërmerret diçka.

Duke marrë parasysh ankesat e banorëve se ndërtimi i hidrocentraleve ka ndikuar në pakësimin e ujit dhe rrjedhimisht edhe në reduktimin e ujit të pijshëm, nga  Ministria e Mjedisit thonë se deri më tani nuk kanë bërë një vlerësim të tillë.

Hidrocentralet u ndërtuan në zonat e mbrojtura

Zonat e mbrojtura, përkatësisht Parqet Kombëtare krijohen për të siguruar ruajtjen dhe ripërtëritjen e habitateve natyrore, të llojeve biologjike, të pasurive të tyre dhe të peizazheve natyrore dhe janë vendbanime për lloje bimore dhe shtazore të lartpërmendura dhe llojet tjera të cilat do ta kishin të vështirë të mbijetonin në mjediset jashtë tyre për shkak të ndërhyrjes së njeriut.

Hidrocentralet e lartpërmendura janë ndërtuar në zona të mbrojtura, përkatësisht në parqet kombëtare. Në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit thuhet se “nuk ka hidrocentrale që janë ndërtuar në zona të mbrojtura, por ka vepra të marrjes së ujit të ndërtuara, të cilat janë të lejuara sipas ligjit të ujërave”.

Por nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, thonë se hapësirat ku hidrocentralet u ndërtuan në Grykën e Deçanit dhe në Shtërpcë janë territore të parqeve kombëtare.

Ata thonë se në këtë proces nuk është përfshirë as Instituti për Mbrojtjen e Natyrës (pjesë e AMMK), që është përgjegjës për monitorimin e gjendjes se resurseve natyrore ne zona të mbrojtura.

“Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar Sharri dhe as Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna, nuk janë kontaktuar dhe as konsultuar asnjëherë rreth dhënies së lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve”, thuhet në përgjigjen e AMMK-së.

Nga ky institucion thonë se ndërtimi i hidrocentraleve brenda zonave të mbrojtura në përgjithësi dhe Parqet Kombëtare në veçanti, shoqërohet me ndikime të drejtpërdrejta në vlerat e përgjithshme natyrore, florën dhe faunën ujore dhe tokësore, peizazhin, habitatet specifike, e veçanërisht mbi faunën ku më të rrezikuarat janë llojet ujore, si peshqit, vertebrorët të tjerë ujorë etj.

“Devijimi i ujit nga rrjedha natyrore për nevoja të hidrocentraleve ndikon në ndryshimin e lagështisë së ajrit dhe mikroklimës e që për pasojë do të sjellë reaksion zinxhirë për shumë lloje shtazore ujore, si peshq, insekte të ujit, molusqe, flutura, bretkosa, triton, shpendë ujorë, por edhe për bimët që gjenden në vet shtratin e lumit”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AMMK-së.

Sipas AMMK-së, ndërhyrjet gjatë ndërtimit të hidrocentraleve përveç ndikimeve në prishjen e baraspeshës ekologjike me pasoja për biodiversitetin dhe vlerat tjera natyrore përcillet edhe me ndikim në klimën lokale të zonës.

“Një shembull i tillë i shkatërrimit të këtyre vlerave natyrore është funksionimi i Hidrocentralit në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, pjesë e Grykës së Deçanit, ku është degraduar shtrati burimor i lumit dhe mund të thuhet se është shkatërruar e gjithë fauna që lidhet më rrjedhjen e Lumbardhit të Deçanit”, thuhet në përgjigjen e AMMK-së.

Lidhur me këto pasoja dhe shumë dëme tjera, AMMK thotë se nëpërmjet Institutit për Mbrojtjen e Natyrës së  Kosovës dhe drejtorive të Parqeve Kombëtare ka kërkuar që këto veprimtari të ndalohen në parqet kombëtare.

“Këto shkresa i janë drejtuar kryeinspektorit, sekretarit dhe ministrit të MMPH-së, por që fatkeqësisht nuk janë marrë për bazë rekomandimet dhe vërejtjet tona”, thuhet në përgjigjen e AMMK-së

Lidhur me çështjet e lartpërmendura, Preportr ka dërguar pyetje edhe te kompanitë Kelkos dhe Matkos, por asnjëra nga këto kompani nuk kanë kthyer përgjigje./preporter.cohu.org/

 

Loja e madhe ka filluar nga 31 Janar dhe vazhdon deri me 2 Shkurt në Petrol Company

Të tjera