Në Maqedoninë e Veriut, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë finalizuar tashmë marrëveshjen e bashkëqeverisjes.
Ditët e fundit, negociatat mes tyre u zhvilluan në nivelin e Sekretarëve të Përgjithshëm, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi, teksa në një pjesë të medias janë përhapur zëra se dy partitë kanë rënë dakord për një model 3+1 të drejtimit të qeverisë, përkatësisht tre vitet e para kryeministri të ishte i Social-demokratëve ndërsa vitin e fundit posti i kreut të qeverisë t’i lihet integristëve, me kusht nëse pushteti do të zgjaste katër vjet. Por, këto zëra i kanë hedhur poshtë si të pavërteta eksponentë të Lidhjes Social Demokrate.
Vetë LSDM-ja me 4 deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende në parlament dhe me 15 deputetët e BDI-së bëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash për ta miratuar kabinetin qeveritar. Në koalicion pritet të jetë edhe Partia Demokratike Shqiptare me një ligjvënës në parlamentin prej 120 vendesh.
Por një koalicion i tillë megjithatë nuk konsiderohet i qëndrueshëm dhe qeveria e re, sipas disa analistëve, do të përpiqet të afrojë deputet të opozitës si maqedonase edhe shqiptare.