Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka dështuar të dërgojë listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit në seancë për votim.
Kjo pasi nuk pati kuorum në momentin e votimit për shkak të largimit të dy anëtarëve të komisionit nga radhët e LVV-së.
Arsye për këtë u bë kandidati, Enver Hasani i cili sipas pikëve rezulton të jetë i katërti me radhë. E për shkak se kandidatja Edona Hajrullahu si e para dhe Naim Qelaj si i dyti janë me pika të njëjta u kërkua që në seancë të dërgohen katër kandidatë dhe jo tre siç parashihet.
Pasi u tha nga kryetarja e komisionit, Duda Balje se rregullorja e Kuvendit e mundëson që edhe nëse dy kandidatë kanë pikë të barabarta, pavarësisht cilën pozitë janë, duhet të dërgohen katër kandidatë.
Por kundër u shprehën anëtari i komisionit nga LVV-ja, Salih Zyba dhe ajo e AAK-së, Teuta Haxhiu. Këta nuk pranuan të votojnë pa një interpretim ligjor se pse nuk po dërgohen tre anëtarë siç e parasheh ligji, por katër.
Ndërkohë, kryetarja e komisionit Balje insistoi se raporti i listës finale është në rregull edhe pas konsultave që ka pasur me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
“Raporti është i pastër juridikisht me zyrë ligjore me krejt është pastër… 3:21 unë jam e sigurt se asgjë nuk kemi prek dhe krejt është në mënyrë ligjore. Edhe me kryetaren dhe kryesi kanë kërkuar që edhe një herë me u ulë sepse nuk ka pasur qartësi ku jemi dhe çka nuk kemi kuptuar. Këtu puna është shumë qartë, pasi e kemi edhe rregulloren”, tha ajo.
Por, këtë nuk e pranoi deputeti i LVV-së, Salih Zyba i cili kërkoi interpretim ligjor zyrtar dhe jo konsulta.
“Kërkesa ime ka qenë që mos të lejojmë interpretime, por të kërkojmë interpretim zyrtar. Tash të lutem cili është ai interpretimi dhe i kujt është. Nuk mjafton të thuash se e kam konsultuar kryetaren, apo dikë tjetër. Konsulta është diçka ndryshe, dhe interpretimi për nenin është diçka tjetër”, tha ai.
Kritika të njëjta për procedurën shfaqi edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila tha se po tentohet të bëhet një kamuflazh e pakuptueshme për listën e kandidatëve për Avokat të Popullit.
“Është bërë një kamuflazh krejt e pakuptueshme. Së pari kandidatë që janë rendit, unë nuk e marrë guximin tash se kush ka qenë më i mirë, ose jo. Kjo renditje që ka ndodhur ka ndodhur prej një paneli, përfaqësuesve të subjekteve politike. Kandidatët që i kemi përpara që janë me pikë të barabarta janë kandidati një, dy. Kush është i pari e kush i dyti administrata a kush do që e ka bërë ka bërë shkelje. Nuk guxon kështu një, dy, tre, dhe një kandidat shtesë anash në të djathtë. Renditje kështu siç është bërë, nuk e di kush e ka bërë… Duhet të renditen kandidatët sipas pikëve kandidati i parë, i dytë, i tretë. Në bazë të rregullores ne i dërgojmë në seancë tre kandidatë. Edhe një herë e përsëris kemi pasur rast, në rregullore thotë shumë mirë tre kandidatë i shkojnë seancës, përjashtimisht nëse dy kandidatët kanë pikë të barabarta. Por ju lutem, dy kandidatët e parë kanë pikë të barabarta, i treti e ndalë. Po të ishte kandidati i tretë dhe i katërt kemi pasur rast që i kemi përcjellë seancës katër kandidatë”, tha ajo.
Mbështetje kësaj liste të kandidatëve për Avokat të Popullit i dhanë deputetë nga LDK-ja dhe PDK-ja.
Edhe javën e kaluar ka dështuar të shkojë në seancë për votim lista e ngushtë e kandidatëve për Avokat të Popullit