
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar, me rastin e njoftimeve të Përfaqësuesit Special të BE-së Mirosllav Lajçak se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë në qershor, se Beogradi është gjithmonë i interesuar të flasë me të gjithë, por që së pari Prishtina duhet t’i heqë taksat dhe kufizimet e tjera për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve.
“Ne do të flasim, të shohim se cilat janë propozimet e tyre dhe ku bazohet optimizimi i tyre. Është reale të ulesh në tryezë, por para kësaj është e nevojshme që të mos ketë taksa dhe kufizime për rrjedhën e lirë të njerëzve dhe mallrave. Kur ata të bëjnë këtë, unë jam gjithmonë i gatshëm të flas”, ka thënë Vuçiq.
Duke komentuar disa njoftime në media se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do të arrihet shumë shpejt, Vuçiq ka thënë se fuqitë e mëdha kanë ndërhyrë gjithmonë në çështjet e Ballkanit, por që Serbia gjithashtu do të duhet të pyetet.
“Është bukur që ata tashmë kanë vendosur dhe kanë bërë gjithçka, por në fund të fundit, vendimet do të merren nga qytetarët dhe udhëheqja e Serbisë. Edhe atë si udhëheqja e një vendi të pavarur dhe sovran”, ka pretenduar ai.
Ai ka vlerësoi se kriza aktuale në Shtetet e Bashkuara nuk do të thotë se ata do të humbin interesin për problemet e Kosovës dhe Serbisë, dhe shtoi se ai është në kontakt me të dërguarin special të SHBA Richard Grenell për atë temë pothuajse çdo ditë.
“Interesi i tyre po rritet, nuk po bie. E tash, a jam unë më i lumtur për shkak të kësaj …”, ka thënë Vuçiq./Insajderi