
Karantinimi është larguar, e qytetarët kanë filluar të dalin.
Por, vetizolimi disa mujorë që ata patën si rezultat i pandemisë s`do të kalojë, bash pa pasoja.
Shumica e tyre do të përballen me rritje të tensionit, acarimit dhe ngjallje të krizave psikiatrike e psikologjike.
Kështu po thotë Bashkim Kadriu, doktor në Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor në Amerikë, në një intervistë dhënë portalit Front Online.
“E vërteta është që pas kësaj situate, një pjesë e madhe e njerëzve, do ta gjejnë vetën në një situatë tjetër psikologjike. Mirëqenia e psikologjisë së tyre do të ndryshojë, qoftë si rezultat i një situate tjetër sociale, psiko-sociale, apo ekonomike. Të gjitha këto, ky konglomerat i ndryshimit do të ndikojë që kriza dhe kjo pandemi të këtë reperkusione psikologjike të mëtejme në te ardhmen. Do të rritet niveli i tensionit, acarimit, simptomat paraekzistuese, por edhe tek një pjesë e njerëzve të ringjallen krizat e para psikiatrike apo psikologjike”, u shpreh ai për “Front Online”.
‘Menyja’ e rekomandimeve pas Karantinës e propozuar nga doktorët
E për ata që përballen me këto simptoma, Kadriu, ka disa rekomandime.
Të tilla për shoqërim me njerëz që sjellin pozitivitet e shtim të aktiviteteve.
“Njerëzit t`i rikthehen rutinës sa më shpejtë, t`i kthehen një plani, ta planifikojnë ditën, të kenë aktivitete, e që në aspektin psikologjik e ngrit mirëqenien psikologjike. Të gjejnë aspekte, resurse për motivim, të mbajnë lidhjet me familjarët, të afërmit e miqtë, njerëzit që ju sjellin pozitivitet”, pohoi ai për Front Online.
Një këshillë e ka edhe për përdoruesit e mediave, veçmas atyre sociale.
“Them të drejtën portalet, televizionet, gazetat janë media më kredibile. Por, mediat sociale, në Facebook, Instagram, Twitter ka informacione që janë të mira dhe ka informacione që nuk kanë kurrfarë sensi e bazamenti shkencor. Për njerëzit është me rendësi që t`i qasen informatave që kanë relevancë, që vijnë nga burime të besueshme. për shkak se frika e përgjithshme e ngjall njëfarë paniku”, theksoi ai për Front Online.
“Mjekët në Kosovë dhe Shqipëri, heronjë të ditës, kryen me sukses misionin e tyre”
Kadriu tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e tij në Kosovë e Shqipëri, punën e të cilëve e lavdëroi shumë.
Ata sipas tij ishin heronjtë e ditës, duke kryer me sukses misionin e tyre, për luftimin e pandemisë.
“Mjekët në Kosovë dhe ne Shqipëri kanë qenë heronjë të ditës. Nëse është një strukturë që i ka dalë përballë kësaj pandemie dhe e ka kry misionin me sukses janë teknikët, infermierët. Të gjithë që kanë qenë në vijë të Frontit”, tregoi ai për Front Online.
Buxheti i një Instituti mjekësorë në Amerikë tri herë më i madh sesa buxheti i Kosovës
Pos, tjerash, ai foli edhe për kushtet që i kanë mjekët në Amerikë.
I cilësoi ato si më të mira se në çdo shtet tjetër.
E për ta argumentuar këtë, ai, tregoi se buxheti i vetëm Institutit ku ai punon është tri herë më i madh se buxheti i krejt Kosovës.
“Krahasimet janë të pakrahasueshme. Në Institutin ku punoj unë, vetëm një Institut e ka buxhetin tri herë më të madh se sa krejt ai i Kosovës. Amerika e ka primatin në botë. I lë mbrapa Kinën, Japoninë, për investime dhe teknologji mjekësore. S`ka shtet të dyte që i afrohet”, tha ai.
Po testohen 12 vaksina kundër Coronavirusit
Buxheti i madh doemos manifestohet e kërkon të bëhen punë të mëdha shkencore.
Gjetja e një vaksine kundër COVID-19 është njëra prej tyre.
Për zbulimin e një të tille, Instituti ku punon Bashkim Kadriu, vazhdimisht është duke punuar.
E siç thotë ai, ajo mund të jetë gati tek në vitin 2021.
“Për momentin ka studime janë në proces e sipër, disa janë në fazën që njihet si faza e dyte, kjo fazë merr deri në 3 deri në 4 muaj. E vërteta është që janë duke u testuar 12 vaksina, 4 prej tyre në Institutin tonë. Të dhënat tregojnë se do të fillojë aplikimi i tyre te personeli shëndetësor në tetor. E në masë, diku rreth pranverës së vitit të ardhshëm”, u shpreh ai për Front Online.