×
  • Lajme
  • Lajme

    Von Cramon kundër shkëmbimit të territoreve, por propozon më shumë pushtet për komunat serbe

    FrontOnline
    04 Maj 2020

    Një anëtare e Parlamentit Evropian (PE) e ka shprehur kundërshtimin e saj të fortë për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por në të njëjtën kohë është deklaruar në favor për më shumë pushtet për komunat që kanë shumicë serbe në Kosovë si një kompromis eventual midis të dy vendeve.

    Në një intervistë me agjencinë e lajmeve “dtt-net.com”, Viola von Cramon-Taubadel ka shprehur skepticizëm se me qeverinë aktuale në SHBA të presidentit Donald Trump mund të arrihet një marrëveshje afatgjate stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Von Cramon në këtë kontekst tha se e shumëpërfolura ide e shkëmbimit të territoreve është “një ide shumë e keqe dhe se ajo nuk duhet të ndodhë kurrë në asnjë formë”.

    “Ne kemi dëgjuar thashetheme shqetësuese se ideja e shkëmbimit të tokës është në tryezë, por shpresoj se ajo nuk do të shfaqet kurrë. Shkëmbimi i territoreve nuk është një zgjidhje, për të cilën ia vlen të flitet. Unë duhet të jem e qartë për këtë: një shkëmbim territoresh është një ide shumë e keqe, nuk duhet të ndodhë kurrë në asnjë formë. Ajo nuk do të zgjidhte asnjërin prej problemeve, nuk është as ajo që dëshirojnë vendasit dhe do të ishte një shembull, me të vërtetë i keq. Nuk është e vërtetë që vetëm shtetet e quajtura ‘njëetnike’ janë të vlefshme. Kjo nuk është ajo që na mëson historia. Për të mos përmendur që serbët në Kosovë nuk jetojnë vetëm në komunat veriore, kështu që qëllimi për të cilin ata thonë se përpiqen të arrijnë me një shkëmbim të tokës nuk është as i realizueshëm”, tha ajo, kur u pyet nëse shkëmbimi i territoreve është ende një opsion i mundshëm gjatë kohës së udhëheqjes së SHBA-së nga Trumpi, transmeton “Zëri.info”.

    Gjermania, por edhe një numër i madh i shteteve anëtare të BE-së dhe Britania e Madhe janë shprehur hapur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, sepse frikohen se ajo do të destabilizonte tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor e do të shkaktonte konflikte të reja.

    Por, sipas Von Cramon-Taubadel, ideja e më shumë kompetencave për komunat që kanë shumicën me pakicën serbe është një opsion që duhet të merret parasysh.

    Ky opsion ka të bëjë me marrëveshjen që Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë e kanë nënshkruar në vitin 2013 e pastaj e kanë freskuar në vitin 2015 për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS), disa pika të së cilës Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kishte shpallur në shpërpushje me Kushtetutën e vendit.

    Shumëkush në Kosovë frikohet se AKS-ja, edhe pse me emërtim tjetër, do të ishte një lloj modeli i kamufluar i entitetit serb, që do të instalohej gradualisht në Kosovë dhe do të krijonte ndarje territoriale e administrative të brendshme në Kosovë e do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional në baza etnike, ashtu siç edhe po përballet Bosnja.

    Von Cramon-Traubadel thotë se më shumë pushtet ose kompetenca për komunat serbe nuk do duhet të jetë e njëjtë me entitetin serb në Bosnjë.

    “Do të kishte kuptim të jepet më shumë pushtet për komunat (serbe), por patjetër që duhet të jetë pjesë e Kosovës si shtet. Unë nuk do ta krahasoja me Bosnjën, sepse situata atje është krejt ndryshe dhe ai sistem u krijua menjëherë pas luftës, dhe është mjaft e diskutueshme se sa mirë funksionon tani. Por një zgjidhje e qëndrueshme do të gjendet sipas hartimit të Planit të Ahtisaarit”, tha ajo për “dtt-net.com”.

    Deputetja gjermane në PE, ndërkohë, është shprehur skeptike se me Donald Trumpin në pushtet do të mundë të arrihej një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë në të mirë të stabilitetit në rajon.

    “Një marrëveshje që shërben për stabilitet afatgjatë mund të arrihet me dikë që njeh rëndësinë e multilateralizmit. Qasjet nacionaliste ose izoluese nuk kanë sjellë asnjëherë stabilitet”, u përgjigj ajo kur u pyet nëse ndryshimet eventuale të lidershipit në Shtëpinë e Bardhë, përkatësisht ardhja e një kandidati demokrat (v.j. në këtë rast, Joe Bideni) do të rivendoste bashkëpunimin midis BE-së dhe SHBA-së e në të njëjtën kohë kjo të bënte që opsioni i shkëmbimit të territoreve të eliminohet nga tavolina e bisedimeve në pritje midis Kosovës dhe Serbisë.

    Nga Rubrika
    Kronika04 Mars 2026
    Dy persona janë rrahur mes vete, si pasojë e një mosmarrëveshjeje në komunikacion në Fushë Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka...
    Lajme04 Mars 2026
    Analisti politik, Arton Demhasaj në një prononcim për “Front Online” ka folur lidhur me zhvillimet e fundit rreth çështjes së zgjedhjes së...
    Lajme04 Mars 2026
    Deputeti i Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se koalicioni politik me Lëvizjen...
    Të tjera
    Lajme04 Mars 2026
    Ish-anëtari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Blerim Burjani, për FrontOnline ka komentuar mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja në vend, duke...
    Kronika04 Mars 2026
    Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar mbrëmjen e së martës në Gjakovë. Në raportin 24-orësh të policisë, bëhet e ditur...
    Kronika04 Mars 2026
    Një person ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohej pas vetaksidentit që kishte pësuar në autostradën “Ibrahim...
    Bota/Rajoni04 Mars 2026
    Garda Revolucionare e Iranit tha të mërkurën se kontrollon Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetësore transporti për naftë dhe gaz, dhe çdo...
    Lajme04 Mars 2026
    Ish-kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur për FrontOnline për një shkuarje eventuale të vendit në zgjedhje të reja,...
    Kronika04 Mars 2026
    Një 10 vjeçar me origjinë shqiptare ka vdekur para disa ditësh në Itali. Ngjarja tragjike ndodhi para disa ditësh në Foggia, raportojnë...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.