
Qyteti i Vitisë ishte i pari që u prek nga Coronavirusi, raporton Front Online.
Ndonëse numri i të infektuarve me virusin COVID-19 u rrit dita ditës, nga kjo komunë pati edhe të shëruar. Madje nga rezultatet e fundit që janë publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, 3 të shëruar janë nga Vitia, raporton “Front Online”.
Këtë gjë për portalin e ka konfirmuar kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti.
“Për fat të mirë sot kemi edhe të shëruar në Komunën e Vitisë. Pra kemi lajme të mira. Gjatë ri-testimeve 3 persona kanë rezultuar negativ me virusin COVID-19. Nga ri-testimet, 3 kanë dalë negativ dhe një pozitiv”, ka thënë ai.
Haliti për “Front Online”, ka konfirmuar se sot janë marrë edhe mostra të reja për ri-testim për të parë nëse ka ende të shëruar nga ky virus.
“Do të kemi ri-testime edhe sot, për ata që kanë rezultuar pozitiv më herët dhe shpresojmë që do të kemi rezultate negative ende. Gjendja e të infektuarve është stabile. Shëndetin e kanë të mirë. Janë nën përkujdesje dhe janë vetëpërmbajtur”, ka thënë ai për Front Online.
Në total në Kosovë sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik, me virusin COVID-19, janë prekur 780 persona. Prej tyre 201 janë shëruar teksa zyrtarisht janë regjistruar edhe 22 vdekje./Front Online/