
Mostrat e fundit nga IShPK-ja për personat e fundit të dyshuar në komunën e Malishevës kanë rezultuar negative për Covid-19.
Këtë e ka konfirmuar për Front Online, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj.
“Në Malishevë në 4-5 ditët e fundit nuk ka pasur të prekur me Covid-19, gjendja është stabile, por nuk do të thotë se nuk mund të ketë, kemi edhe fshatin Banjë të Malishevës ku pritet të dalin rezultatet për dy familje”, tha ai për Front Online.
70-të i infektuarit me COVID-19 në këtë komunë, që është ndër më të prekurat në Kosovë, janë në gjendje stabile.
“Të gjithë janë mirë. Jemi në kontakt të përditshëm me familjet e të prekurve me Coronavirus, për momentin të gjithë janë mirë, në gjendje stabile”, tha kryetari i kësaj komune për Front Online.
Begaj deklaroi se kjo komunë ka përkrahje nga Ministria e Shëndetësisë.
“Ndihmat nga ana e Ministrisë nuk janë të mjaftueshme në krejt Kosovën, por kanë sjellë disa në Malishevë iu ka ra ndërmend që jemi edhe ne diku dhe për 10 ditët e ardhshme jemi të furnizuar mirë”, potencoi ai.
Komuna e Malishevës, që nga 14 marsi është futur në karantinë.
Në Kosovë deri më tani kanë vdekur 12 persona, të prekur nga virusi janë 561, ndërsa të shëruar janë 102./Front Online/