Gjatë 24 orëve të kaluara, në Ukrainë janë regjistruar 2,495 raste të reja të koronavirusit. Kjo është shifër rekorde për shtetin e Evropës Lindore që nga fillimi i pandemisë.
Një ditë më parë, në Ukrainë u regjistruan 2,481 raste të personave të prekur nga Covid-19, që gjithashtu ishte rekord, por që u thye të mërkurën, shkruan The Guardian.
Ukraina ua ka ndaluar hyrjen në vend të huajve nga shumica e vendeve të botës deri më 28 shtator dhe e ka shtyrë afatin e masave kufizuese deri në fund të tetorit për shkak të rritjes së numrit të rasteve në ditët e fundit.
Deri më tani, në Ukrainë janë regjistruar mbi 125,000 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa sëmundjes së re nuk i kanë mbijetuar rreth 2,600 njerëz.
Në fazën e hershme të përhapjes së koronavirusit në Evropë, Ukraina ishte një ndër vendet me më së paku raste të infektimeve për një milion banorë.