×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi nderon presidentin Trump me urdhrin më të lartë shtetëror dhe e fton ta vizitojë Kosovën

    FrontOnline
    18 Shtator 2020

    Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Po ashtu, presidenti Thaçi ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën në të ardhmen e afërt.

    I pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump, ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kjo është letra e plotë e presidentit Thaçi drejtuar presidentit amerikan, Donald Trump:

    I dashur z. President,

    Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike.

    Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot.

    Më lejoni të ju siguroj që Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë.

    Është më e qartë se kurrë, që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj.

    Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë.

    Marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington.

    Në emër të popullit të Kosovës, kam kënaqësinë t’ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe të bindeni për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë.

    Sinqerisht,

    Hashim Thaçi

    Nga Rubrika
    Sport03 Mars 2026
    Mërgim Vojvoda ka humbur një mundësi të artë të kalonte Comon në epërsi ndaj Interit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Mbrojtësi...
    Sport03 Mars 2026
    Barcelona ka synim që sonte ta bëjë “të pamundurën, të mundur”, në përballje me Atletico Madridin. Në ndeshjen që luhet sonte me...
    Sport03 Mars 2026
    Real Madridi pësoi humbjen e katërt nën drejtimin e Alvaro Arbeloa kundër Getafes të hënën mbrëma, një rezultat që i lë “Los...
    Të tjera
    Lajme03 Mars 2026
    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se i ka thënë Bedri Hamzës se nëse kandidon për President,...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Marina e SHBA-së do të fillojë shumë shpejt të shoqërojë cisternat që kalojnë nëpër Ngushtica...
    Lajme03 Mars 2026
    Kreu AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se një numër i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë premtuar votën nëse ai do të kandidojë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Asambleja e Ekspertëve të Iranit këtë të marte ka zgjedhur liderin e ri suprem të vendit. Mediat iraniane raportojnë se lideri i ri është...
    Vip03 Mars 2026
    Rogerti është kthyer në shtëpinë e Big Brother VIP Albania. Pasi u përplas me Monika Kryemadhin për sjelljen e tij, Rogerti vullnetarisht...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se një dron ka goditur një parking në afërsi të Konsullatës Amerikane në Dubai,...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.