×
  • Lajme
  • Lajme

    Stefanoviq: Pse njerëzit mendojnë se njohja nga Serbia do ta bënte Kosovën vërtet të pavarur?

    FrontOnline
    26 Qershor 2020

    Pavarësisht se u duk se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, do te rifillonin këtë herë me ndërmjetësimin e SHBA në një takim në Uashington, ato sërish stopuan.

    Këtë herë u anuluan nga pala kosovare për shkak të aktakuzës së ngritur ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

    Euronews Albania ka zhvilluar një intervistë me ish-kryenegociatorin serb të vitit 2011, Borisllav Stefanoviq. Sipas tij procesi, duhet të udhëhiqet nga BE, jo nga administrata Trump, që do ta përdorë çështjen e Kosovës si trofe politik, para zgjedhjeve.

    Intervista e plotë :

    Kur nisi dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ne 2011, ju përfaqësuat palën serbe si ish-kryenegociator. Prej atëherë kane kaluar 9 vite dhe dialogu ka kaluar ne disa faza, ka vijuar e ka ndaluar shumë herë. Sa progres ka bërë dialogu përgjatë këtyre viteve?

    Stefanoviq: Duhet të them se fatkeqësisht nuk është bërë shumë progres. Në thelb ne kemi arritur 7 marrëveshje dhe më pas kur Vuçiç erdhi në pushtet, ata arritën të bënin të ashtuquajturën “Marrëveshja e Brukselit. Por, kur i shfletoni këto faqe, do të shihni se ato nuk kanë shumë esencë.

    Lajmi i mirë është se kemi nisur dialogun, kemi njohur nevojën për të biseduar dhe për të zgjidhur problemet e njerëzve në terren dhe që të nisim çtensionimin e situatës, në rrugën tonë drejt pajtimit. Mendoj se ishte historike nisja e bisedimeve “kokë më kokë”, dhe ne kemi prodhuar disa marrëveshje, nga të cilat, ndoshta 3 apo 4 janë aktualisht në fuqi.

    Të tjerat kanë mbetur thjesht në letër, të paimplementuara, që do të thotë se nuk kanë zbatimin e tyre në terren. Sa i përket Marrëveshjes së Brukselit, deri më tani fatkeqësisht ajo është vetëm një letër, sepse nuk është implementuar kurrë, përveçse pjesërisht. Është e rëndësishme të vijojmë me dialogun. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin tonë dhe për të qetësuar situatën në rajon, por ne nuk besojmë se çështja e Kosovës mund apo do të zgjidhet me një regjim jo-demokratik dhe autokratik në Beograd.

    Mendoni se SHBA kanë ndërmarrë tashmë rolin kryesor në procesin e dialogut mes dy vendeve duke lënë në hije SHBA?

    Stefanoviq: Mendoj se është shumë e qartë tani. Parti te caktuara në Beograd, po e ndihmojnë këtë. Sepse nga mandati i dhënë nga OKB, dialogu duhet të udhëhiqet dhe lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Ne jemi në Evropë, duam t’i bashkohemi BE-së dhe të jem i sinqertë, nuk e di si Beogradi mund ta shmangë vijimin e këtyre bisedimeve jashtë kuadrit të BE-së.

    Njëkohësisht, pati një përpjekje të qartë nga administrata amerikane ose disa pjesë të saj, për progres të shpejtë dhe të qartë për çështjen e Kosovës, për të  pasur lajme të mira nga politika e jashtme përpara zgjedhjeve të nëntorit për presidentin Trump. Unë besoj se presidenti Trump, me afrimin e zgjedhjeve, ka gjëra më të rëndësishme për t’u marrë dhe çështje më urgjente, ndaj mendoj se në fund, do të dalë një kuadër ekonomik, por detajet dhe vijimësia e dialogut thelbësor do të duhet të vazhdojnë nën strehën e zotit Lajçak dhe Bashkimit Evropian. Ndaj, kjo përpjekje siç ju e thatë, ishte në parim, e pavlerë.

    Si i shihni dy vendet e përfshira, Kosovën dhe Serbinë. Kush prej tyre ju duket me e avantazhuar në këtë fazë të procesit?

    Stefanoviq: Nuk mendoj se ka avantazhe të vërteta, duke qenë se ne të gjithë në Ballkanin Perëndimor kemi ngecur në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Po, është pjesërisht në dorën tonë, por është edhe në dorën e çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian dhe ata kanë problemet e tyre me zgjerimin, siç e dini. Ne jemi e vetmja qeveri në rajon, qeveria e zotit Vuçiç, që nuk pranoi metodologjinë e re të propozuar nga BE dhe presidenti Macron. Ne besojmë se Serbia duhet ta pranojë menjëherë këtë metodologji të re dhe sigurisht ky dialog është shumë i lidhur me integrimin evropian, siç ka qenë gjithnjë. Nuk do të thoja që një palë ka avantazhe. Në thelb, sepse kemi ngecur. Kosova nuk ka ende të implementuar regjimin për liberalizimin e vizave. Njerëzit, në masë të madhe, po e braktisin rajonin tonë për të shkuar në perëndim.

    Vetëm nga Serbia largohen çdo vit 50 mijë njerëz. Korrupsioni është masiv dhe stabilokracia është vetëm një efekt anësor e të siguruarit të shërbimeve të mira në çështjen e Kosovës dhe në krahun tjetër, ata hapin dritën jeshile që të bëjnë çtë duan në prapaskena. Kjo është e tmerrshme. Ne nuk duhet të garojmë nëse kemi fituar gjë në projektet tona kombëtare, sepse po anashkalojmë gjenë më të rëndësishme, faktin që kemi ngecur jemi të izoluar, Ballkani po shtyhet të kthehet në geto, dhe ne duhet të dalim nga kjo.

    Ne duhet të lidhemi më shumë dhe të gjejmë një zë për Brukselin, sa më shpejt të mundet. Duhet të përqendrohemi më shumë në  çështje të përbashkëta doganore, ekonomike, kulturore, edukuese, shëndetësore, dhe shoqërore në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e ardhmja. Çdo gjë tjetër është thjesht teatër për çështjet e brendshme.

    Dhe pyetja e fundit z. Stefanoviq. Mendoni se arritja e një marrëveshje finale brenda  këtij viti, do të sjellë përfundimisht normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve? Mendoni se kjo do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia?

    Stefanoviq: Kjo është një rëndësishme siç e dini. Kur flisni me njerëz nga Bashkimi Evropian, jo në institucione, por brenda vendeve, ose kur flisni me miqtë tuaj të nderuar në Shqipëri ose kudo tjetër, njerëzit mendojnë se e vetmja zgjidhje për Kosovën është njohja e saj nga Serbia. Siç e dini, ne nuk kemi këtë mendim, sepse besojmë se Kosova nuk është një shtet i pavarur dhe nuk besojmë se zgjidhja duhet të përfshijë njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës. Në fund të fundit, ne kemi dëgjuar shpesh në kohët e fundit, që Kosova kërkon pavarësinë dhe çdo gjë do të jetë mirë.

    Dhe për shumë vende në botë, Kosova është e pavarur, përfshi këtu Shqipërinë. Pse njerëzit mendojnë se njohja nga Serbia do ta bënte vërtet të pavarur? Ne nuk e kuptojmë këtë dhe nuk besojmë se zgjidhja është tek njohja e pavarësisë. Ne besojmë se zgjidhja është tek pastrimi i çdo gjëje tjetër që do të na lejojë të funksionojmë tërësisht dhe të pajtohemi mes nesh. Nuk besojmë se aktet e njohjes do të sjellin ndonjë të re, ashtu si anëtarësimi i Kosovës në OKB, sepse, më lejoni ta them, nuk e ka Serbia në dorë faktin nëse Kosova mund apo duhet apo do të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.

    Kjo i takon Këshillit të Sigurisë dhe Asamblesë së Përgjithshme, ndaj, kjo është ajo që i them bashkëbiseduesve tanë perëndimorë. Ne duhet të distancohemi nga projektet e mëdha kombëtare dhe historitë dhe të përpiqemi të zgjidhim çdo gjë tjetër. Nëse ky është vërtetë një dialog për njohjen, unë nuk arrij të shoh ku qëndron dhe kush po i kërkon Serbisë të bëjë diçka të tillë. Më duhet t’jua them. Askush. Absolutisht askush nuk na ka kërkuar zyrtarisht ose jo që ta njohim Kosovën. As si parakusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Na lejoni të distancohemi nga pikëpamjet që thonë se vetëm me njohjen e Kosovës formalisht me një akt të qeverisë serbe, është zgjidhja e vërtetë dhe e vetme e këtij problem dhe konflikti. Ne nuk mendojmë kështu.

    Ne nuk duam të shohim Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë të ngelura në vitet ’90, nuk duam ta shohim Serbinë si Hungarinë pas marrëveshjes së Trianonit në 1921, kur kemi breza të rinjsh që po rriten me një ndjenjën e  padrejtësisë dhe thonë “ne do të rimarrim atë që na është marrë me forcë”. Nuk e duam këtë dhe nuk e shohim si të ardhmen e rajonit.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Ka vdekur Menduh Mullaademi, stilisti i parë në Kosovë – një pre ikonave të Prishtinës. Për vdekjen e ti, kanë shkruar nga...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka zhvilluar takim me grupin parlamentar ‘Bllokun e Progresit’ i kryesuar nga shefi i...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Deri në dy orë po vijojnë pritjet për të hyrë nga Jarinja në Kosovë. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kombëtar, edhe te...
    Të tjera
    Vip22 Dhjetor 2024
    Të qeshura e argëtim ka shkaktuar Laurenti, kur vendosi ta imitonte këtë herë Leon. E gjitha për frazën e tij të numërimit,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Moti nga e hëna parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Është gjetur pa shenja jete një burrë 57-vjeçar në fshatin Bruz Zallë të Malësisë së Krujës. Bëhet e ditur se ai ishte...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Xheneta ka dhënë disa doza qortimi ndaj Drilonit për siç tha ajo, se nuk di të shkruajë e të lexojë shqip. Sipas...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Këngëtarja dhe ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Ana Kabashi shpesh ndan fotografi me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Edhe sot...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.