×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    SHBA, ndryshimi i klimës rëndon gjendjen e zjarreve

    FrontOnline
    13 Shtator 2020

    Në tre shtetet perëndimore të SHBA rifillojnë sot kërkimet për viktima mes rrënojave të shkaktuara nga zjarret masive, që gjatë disa javëve kanë djegur miliona hektarë.

    Zjarret e pakontrolluara në shtetet Oregon, Kaliforni dhe Uashington kanë shkatërruar mijëra shtëpi dhe gjashtë qytete të vogla këtë verë, duke djegur një sipërfaqe me madhësinë e Nju Xhersit dhe duke shkaktuar të paktën 26 vdekje që nga fillimi i gushtit.

    Pas katër ditësh tepër të nxehta, fundjava solli një mot më të qetë e më të lagësht, me erëra që frynin nga Oqeani Paqësor, të cilat i ndihmuan ekipet të luftonin me flakët.

    Shkatërrimi që kanë sjellë zjarret nuk është i papritur. Ekspertët e klimës kanë dhënë alarmin prej një kohe të gjatë, thotë eksperti i zjarreve LeRoy Westerling në Universitetin e Kalifornisë, Merced.

    “Prej vitesh kemi bërë modelime dhe simulime që tregojnë se po vijnë sezone zjarresh me të vërtetë shkatërrimtare, përtej asaj që kemi provuar historikisht,” tha ai.

    Nxehet moti, rritet thatësira

    Zjarret kanë nevojë për bimë të thata për t’u përhapur dhe ndryshimi i klimës po ndihmon në shtimin e tyre, thotë Westerling.

    Rritja e temperaturave nënkupton që materialet bimore thahen më shpejt. Kalifornia dhe Oregoni tashmë kanë një rritje temperaturash mesatarisht 1,1 gradë Celsius që nga fillimi i shekullit të 20-të ndërsa shteti Uashington është rreth 0,8 gradë C më i ngrohtë, sipas Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën. Temperaturat e larta ekstreme po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, veçanërisht numri i netëve të nxehta.

    Ngrohja e klimës ndikon në furnizimin me ujë gjatë gjithë vitit. Shkrirja e borës në mal është një burim me rëndësi i ujit në pjesën më të madhe të rajonit. Por sasia e borës dhe e shiut është pakësuar. Kjo do të thotë se në muajt e verës ka më pak ujë.

    Gjatë viteve të fundit, stina e verës ka qenë veçanërisht e thatë. Sipas një studimi, zonat jugperëndimore në Shtetet e Bashkuara po kalojnë periudhën e dytë më të thatë në më shumë se 1.000 vitet e fundit.

    Kjo gjendje klimatike po i ndëshkon ashpër pyjet e Perëndimit amerikan. Thatësira jo vetëm që ka shkatërruar miliona pemë, por ka bërë që pjesa tjetër të jetë më e ekspozuar nga infektimi i brumbujve. Brumbujt jetojnë më mirë në një klimë të ngrohtë. Ata tani po i mbijetojnë dimrave më të butë. Rezultat i kësaj janë rreth 150 milion pemë të thara dhe lehtësisht të ndezshme në mbi gati 4 milion hektarë vetëm në Kaliforni, sipas Shërbimit Pyjor të SHBA.

    Faktorët njerëzorë

    Njerëzit po e përkeqësojnë situatën në disa aspekte.

    Zjarri është pjesë natyrore e ekosistemeve në shtetet e Perëndimit amerikan. Zjarret zakonisht përhapen në dyshemenë e pyllit, duke pastruar bimësinë midis pemëve më të mëdha, rezistente ndaj flakëve. Por prej disa dekadash, banorët dhe industritë në rajon përpiqen t’i shuajnë zjarret sa më shpejt që të jetë e mundur.

    Si pasojë, pyjet janë bërë më të dendur dhe rrjedhimisht më të prekshëm ndaj thatësirës, sepse pemët konkurrojnë për ujë, thotë zoti Westerling.

    Kur zjarri shpërthen, ai mund të përhapet më lehtë nga pema në pemë, duke u bërë më shkatërrimtar sesa zjarret që digjen në dyshemenë e pyllit, thotë ai.

    Plus, një numër në rritje njerëzish po jetojnë në zonat pranë shkretëtirës, duke rritur rrezikun e humbjes së jetëve dhe të pronës.

    Më shumë njerëz do të thotë më shumë zjarre, që vijnë nga shkëndijat elektrike, zjarret nëpër kampingje, cigaret, fishekzjarrët dhe, më rrallë, nga zjarrvënie të qëllimshme.

    Më shumë zjarre në të ardhmen

    Ky është vetëm fillimi.

    Një stinë zjarresh si kjo po bëhet gjithnjë e më e zakonshme dhe pritet të vazhdojë kështu në dekadat e ardhshme, ndërsa ndryshimi i klimës nuk ndalet, thotë Erica Fleishman, drejtore e Institutit Kërkimor për Ndryshimet Klimatike në Universitetin Shtetëror të Oregonit.

    Temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten. Reshjet e përgjithshme vjetore mund të mos ndryshojnë shumë, por pritet të përmblidhen në më pak stuhi të cilat do të jenë më të mëdha, thotë ajo.

    Vera parashikohet të jetë më e thatë. “Ne tashmë kemi pasur shumë pak reshje (në verë), por pritet të ketë edhe më pak”, thotë Jessica Halofsky, drejtoreshë në Departamentin amerikan të Bujqësisë.

    Ajo thotë se po t’i shtosh kësaj edhe pakësimin e reshjeve të dëborës, atëherë arrin në përfundimin se në të ardhmen do të ketë më shumë zjarre në Paqësorin Veriperëndimor. Sipas saj, sipërfaqja vjetore e djegur në të ardhmen do të jetë ndoshta dy deri në tre herë më e madhe se sa në kaluarën. /VOA/

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni18 Mars 2025
    Një gjykatës federal ka bllokuar administratën Trump nga ndërmarrja e çdo hapi të mëtejshëm për mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar....
    Bota/Rajoni18 Mars 2025
    Në orët e para të së dielës ndodhi një tragjedi në Koçan të Maqedonisë së Veriut. 59 persona vdiqën, ndërkaq përreth 150...
    Bota/Rajoni18 Mars 2025
    Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara dhe Arteve në Bern, të ardhurat e grave bien me 28%...
    Të tjera
    Lajme18 Mars 2025
    Pas masave të ftohta polare që sollën ulje të theksueshme të temperaturave si dhe reshje lokale shiu e bore në shkallë vendi,...
    Bota/Rajoni18 Mars 2025
    Një zjarr masiv ka përfshirë një stallë bagëtish në fshatin Barbullojë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë. Top Channel bën me dije se...
    Lajme18 Mars 2025
    Fundi i mandatit për ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, po përcillet edhe me një gjobë nga Agjencia për Informim...
    Lajme18 Mars 2025
    Sot është varrosur Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi. Djali i ish-presidentit, Endrit Thaçi sapo ka njoftuar se e pamja për...
    Lajme18 Mars 2025
    Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka pritur në takim Drejtuesin e Sektorit për prokurorët Ndërlidhës në Ambasadën Britanike...
    Kronika18 Mars 2025
    Policia e Kosovës e ka gjobitur një shofer në rrugën Ferizaj – Kaçanik me 200 euro, pasi gjatë udhëtimit i njëjti e...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.