Deri në mesnatën e 8 korrikut, kur skadoi afati për paraqitje për votim, në KSHZ janë paraqitur gjithsej 697 persona të infektuar me coronavirus dhe persona që ndodhen në vetizolim.
Për votim gjithashtu janë paraqitur edhe 9.020 persona të sëmurë dhe dobët, njofton Telegrafi Maqedoni.
Personat që ndodhen në karantinë në shtëpi për shkak të coronavirusit dhe personat që u është dhënë masa e vetizolimit me vendim nga Inspektorati Shëndetësor Sanitar do të votojnë më 13 korrik nga shtëpitë e tyre.
Personat që do të infektohen me coronavirus pas 8 korrikut apo do të vendosen në vetizolim pas kësaj date, nuk do të mund të paraqiten për votim.
Të sëmurët, të sëmurët kronikë dhe personat e dobët do të votojnë një ditë para zgjedhjeve, përkatësisht më 14 korrik.
Ende zgjat paraqitja për votim të personave qv ndodhen në paraburgim shtëpiak ndërsa afati përfundon më 11 korrik.
Ndryshe, vendvotimet do të hapen në ora 7, ndërsa votimi do të zgjasë deri në orën 21:00, dy orë më shumë se zgjedhjet tjera.