
Se ka ardhur koha për arritjen e një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, po thonë edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një intervistë për Front Online, ka thënë se dy shtetet duhet të arrijnë marrëveshje për t`i hapur rrugë njëra-tjetrës, në arenën ndërkombëtare.
“Tashmë kemi ardhur në një periudhë kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë në një marrëveshje finale, përfundimtare që do t`i hapte Kosovës rrugën që të anëtarësohet në OKB dhe në instanca tjera të BE-së, si dhe në NATO. Në anën tjetër do t`i hapte rrugë edhe Serbisë që nuk do të ishte peng i agjendës së Kosovës në orientimet e saj drejt BE-së”, ka thënë Tahiri për Front Online.
Megjithatë Tahiri, për Front Online ka thënë se nga PDK-ja, nuk do të pranohet asnjë marrëveshje e cila do ta cenojë sovranitetin dhe territorin e Kosovës.
“PDK-ja nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila e cenon territorin tonë, sovranitetin tonë, e cila është e dëmshme për Kosovën. Pra, ne do të angazhohemi fuqishëm që çfarëdo marrëveshje që do të vie në Kuvendin e Kosovës, të jetë një marrëveshje e favorshme dhe të jetë marrëveshje që do t`i duartrokasin të gjithë qytetarët e Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të sillen dhe të votohen marrëveshjet të cilat do të jenë të dëmshme për vendin tonë”, ka thënë ai për Front Online.