×
  • Lajme
  • Lajme

    Pas më se 20 muajsh Kosova dhe Serbia takohen në Bruksel

    FrontOnline
    16 Korrik 2020

    Pas më shumë se dy vjetësh dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të vazhdojë sot (16 korrik) në Bruksel me takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Dialogu do të mbahen në selinë e Bashkimit Evropian me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Në fakt, dialogu virtualisht rifilloi më 12 korrik, ku palët biseduan përmes një video- konference, por takimi i sotëm paraqet bisedimet e para të drejtpërdrejta pas 20 muajsh.

    Ky, gjithashtu, është takimi i parë në të cilin nuk do të marrë pjesë ish-bashkëbiseduesi kryesor i Brukselit nga Prishtina – presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

    Derisa ky raund i dialogut, i paralajmëruar të fillojë në orën 4 pasdite, do të zhvillohet në Bruksel, Thaçi do të vazhdojë të dëshmojë para Prokurorisë Speciale në Hagë, kundër të cilit është dërgur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Pas njoftimit nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë se kanë paraqitur aktakuzën te një gjyqtar i procedurës paraprake, zyrtarët e BE-së e ndërprenë komunikimin me Thaçin dhe e kthyen vëmendjen e tyre te kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

    Hoti e përfaqësoi Kosovën, në një seri takimesh të nivelit të lartë të organizuar javët e fundit.

    Takimi i parë midis Hotit dhe Vuçiqit

    Kryeministri Hoti do të takohet për herë të parë ballë për ballë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në një video-konferencë të mbajtur më 12 korrik, palët kanë rënë dakord për një agjendë të takimit.

    Ata njoftuan se, ndër të tjera, do të diskutohet për të pagjeturit, por zyrtarët e BE-së të përfshirë në dialog nuk i konfirmuan këto pretendime, duke theksuar vetëm se, “ekziston një agjendë për bisedimet”.

    Përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës do të mirëpriten në fillim nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, ndërsa i dërguari i posaçëm i BE-s për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të marrë pjesë në negociata.

    Sipas njoftimit nga selia e BE-së, zyrtarët evropianë fillimisht do të zhvillojnë bisedime të ndara dypalëshe me delegacionet, dhe më pas do të kalojnë në të ashtuquajturin takim trepalësh.

    Çfarë duhet të dini në lidhje me dialogun e Brukselit?

    Dialogu në Bruksel filloi në mars të vitit 2011. Ideja ka qenë të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e Kosovës dhe ata të Serbisë.

    Në tetor të vitit 2012, procesi kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga kryeministrat e atëhershëm, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi.

    Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013.

    Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve.

    Kosovën e përfaqësonte presidenti Thaçi ndërsa Beogradin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Derisa dialogu i Brukselit po zhvillohej, Serbia vazhdoi të udhëheqë një fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të vendit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

    Sipas zyrtarëve të Beogradit, 15 vende e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

    Pas shkak të mospranimit të Kosovës në UNESCO, në nëntor të vitit 2018, qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj vendosi një taksë 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina, duke e kushtëzuar tërheqjen e këtij vendimi me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.

    Ky vendim shkaktoi një ngërç në procesin e negociatave, sepse Beogradi zyrtar nuk pranoi të kthehej në Bruksel derisa të shfuqizohet vendimi për tarifat.

    Pasardhësi i Haradinajt, Albin Kurti, i cili drejtoi Qeverinë e Kosovës për rreth një muaj e gjysmë, e shfuqizoi vendimin për taksat dhe e zëvendësoi atë me masa të reciprocitetit. Ky vendim nuk gjeti mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, e cila u kërkoi palëve të angazhohen për të krijuar një klimë pozitive për rifillimin e dialogut.

    Qeveria e re e Kosovës, e formuar në qershor të këtij viti dhe e kryesuar nga Avdullah Hoti, e shfuqizoi vendimin për reciprocitetit në ditët e para të punës së saj, duke deklaruar se kështu u larguan pengesat në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Cilat janë rezultatet e procesit të Brukselit?

    Gjatë negociatave në Bruksel Janë arritur më shumë se 20 marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Të gjitha buronin nga dialogu teknik. Asnjë marrëveshje e arritur në të ashtuquajturin dialog politik nuk etiketohet “e zbatuar”.

    Sidoqoftë, marrëveshjet kryesore mbeten marrëveshjet që mundësojnë integrimin institucional të veriut të mbizotëruar nga serbët në sistemin e Kosovës. Këto janë marrëveshje në lidhje me funksionimin e unifikuar të Gjyqësorit dhe Policisë.

    Raporti i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) shënoi si “të zbatuara”Marrëveshjen për Vulat Doganore (e arritur më 2 shtator 2011), Marrëveshjen për mbledhjen e të ardhurave doganore (e arritur më 17 janar 2013), Marrëveshjen e ndërsjellë për njohjen polisave të sigurimit të automjeteve (e arritur më 25 qershor 2015), Marrëveshjen e Brukselitpër njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura me emrin ADR (arritur në 19 prill 2016).

    Në gusht të vitit 2018, presidentët e Serbisë dhe të Kosovës deklaruan se ata janë të gatshëm të diskutojnë për çështjen e shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

    Gjermania ishte ndër vendet e para që e kundërshtoi këtë ide, dhe në pranverën e vitit 2019, ajo filloi të ashtuquajturën nismë gjermano-frënge në mënyrë që të hiqte nga tryeza këtë ide.

    Franca dhe Gjermania organizuan një samit në Berlin, nga i cili u prodhuan pak apo aspak rezultate, pasi palët nuk pranuan të lëvizin nga qëndrimet e tyre: Prishtina nuk hoqi dorë nga taksat dhe Beogradi nuk donte të negocionte ndërsa ishte në fuqi kjo masë.

    Në tetor të po atij viti, presidenti amerikan, Donald Trump, emëroi Richard Grenellin si Përfaqësues të Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.

    Cilat janë rezultatet e misionit të Grenellit?

    Ai ndërmjetësoi arritjen e tri marrëveshjeve ekonomike, të cilat kishin të bënin me krijimin e një linje ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe ndërtimin e një autostrade midis dy kryeqyteteve.

    BE-ja u përjashtua plotësisht nga ky proces.

    Grenell organizoi një takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë, i cili ishte paraparë të zhvillohej më 27 qershor, duke paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

    Presidenti Hashim Thaçi ishte duke shkuar për në Uashington kur u konfirmua nga Haga se ai kishte një për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Njoftimi shkaktoi anulimin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, duke e nxjerrë jashtë loje bashkëbiseduesin kryesor të Prishtinës.

    Brukseli u vu në lëvizje dhe rimori rolin e tij në dialog.

    Me gjithë paqëndrueshmërinë politike në Kosovë, të shkaktuar nga njoftimi i Prokurorisë Speciale kundër presidentit të Kosovës, BE-ja këmbënguli në vazhdimin e dialogun në Bruksel.

    Më 10 korrik presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel organizuan një samit online me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

    Dialogu rifilloi zyrtarisht dy ditë më vonë.

    Si Serbia, ashtu edhe Kosova, synojnë anëtarësimin në BE, dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është një kusht kryesor për të dyja vendet në mënyrë që të përparojnë në procesin e integrimeve./rel/

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.