
Në Komunën e Prishtinës deri më tani 75 persona janë infektuar me Covid-19, 63 prej tyre janë shëruar dhe 2 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktualisht në kryeqytet janë 10 raste aktive, 3 prej tyre e kanë përfunduar periudhën e izolimit dhe presin të testohen nga IKSHPK-ja. Ndërkohë, sonte pritet testimi i 16 personave të tjerë.
Vetëm në dy ditët e fundit në kryeqytet janë paraqitur tri raste të reja të infektuara me coronavirus.
Kjo ka bërë që zyrtarë të Komunës së Prishtinës të paralajmërojnë edhe rifutjen në karantinë të kryeqytetit.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Muhedin Nushi në një intervistë për “Front Online” këtë deklaratë e ka arsyetuar me shtimin e numrit të rasteve me Covid-19 ditëve të fundit, pasi siç thotë ai, një vendim i tillë merret nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK).
“Paralajmërimi ynë për futjen e Prishtinës në karantinë rrjedh nga frika për rritjen e numrit të rasteve të të infektuarve. Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës atë vendim nuk mundet me marrë, atë vendim merret Ministria e Shëndetësisë me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Prandaj, Komuna e Prishtinës po frikësohet dhe po i lutë qytetarët që të qëndrojnë edhe më tutje në shtëpi, të mos dalin në këtë masë siç po dalin në këmbë si dhe me automjete në mënyrë që ta parandalojmë eskalimin e situatës. Jo rastësisht e kemi thënë këtë dje, unë dhe kryetari”, thotë Nushi për “Front Online”.
Sonte pritet testimi i 16 personave për Covid-19 në Prishtinë
Duke ju bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë edhe më tutje në shtëpi, Nushi thekson nevojën e madhe të kujdesit që duhet ta kenë prishtinasit kundrejt pandemisë.
“Nuk duhet të lejojmë që të eskalon situata tashmë që jemi para fundit të pandemisë. Qytetarët tanë i kanë vetëm tri obligime: Me i mbajt dorezat, maskën dhe me qenë të dezinfektuar. Asgjë tjetër. Për gjerat tjera kujdeset shteti, niveli qendror por edhe ai komunal”, ka pohuar nënkryetari i Prishtinës.
Ai ka thënë po ashtu se 16 personave u janë marrë mostrat për testim dhe sonte pritet rezultati i tyre.
“Aktualisht Prishtina i ka 75 persona të infektuar me COVID-19, prej tyre 63 janë të shëruar. Për fat të keq kemi pasur 2 raste me fatalitet. Tani kemi aktive 10 raste aktive, prej tyre 3 janë veç se të shëruara. Vetëm presin ftesën prej IKSHPK-së për testime. Dy testime radhazi nëse dalin negative atëherë supozohet që qytetari është i shëruar. Prandaj, me këto 3 raste që po i përmendi që veç se e kanë kaluar periudhën e izolimit prej 14 ditësh ne mbesim me vetëm 7 raste aktive. Këto 7 raste janë paraqitur nga data 8 maj deri mbrëmë me 11 maj”, ka deklaruar, Muhedin Nushi.
Si u rikthye Coronavirusi pas 8 ditëve në Prishtinë?
Rasti i parë i përsëritur mbas 8 ditëve, Nushi thotë se ka rrjedhur nga një spital privat gjinekologjik.
“Duhet të cekim që me datën 8 maj e kemi pasur rastin e parë të përsëritur mbas 8 ditëve kur nuk kishim asnjë rast në Komunën e Prishtinës. Ky rast ka ndodhur pozitiv ka ndodhur në Klinikën Private Gjinekologjike “Sirona” e cila ndodhet gati në kufirin administrativ në mes të Lipjanit dhe Prishtinës. Nga aty duket që ka pasur infektime. Janë infektuar edhe punëtorët dhe qytetarët e komunave tjera që kanë punuar në atë spital. Zonja e parë që është identifikuar pozitive, pastaj janë identifikuar edhe tre anëtarët e familjes së saj pozitiv, rrjedhin nga ai spital”, tha ai për “Front Online”.
Kontaktet me familjarët e të infektuarve, sipas Nushit janë të vazhdueshme.
Ai madje thotë se ekipet vullnetare të Komunës së Prishtinës i furnizojnë ata me pako ushqimore dhe higjienike.
“Ne deri më tani çdo ditë i kemi kontaktuar të gjitha familjet e infektuara me coronavirus. Edhe shtatë rastet e fundit, i kemi kontaktuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm. Ekipet e vullnetarëve vazhdimisht ju dërgojnë dhe i furnizojnë me pako ushqimore dhe higjienike. Ka ndodhur edhe kur janë kërkuar edhe medikamente dhe i kemi siguruar ato medikamente me gjithë vështirësitë që i kemi pasur për ta gjetur atë. Shumicën e rasteve ka ndodhur që ato medikamente janë paguar nga vullnetarët”, tha Nushi teksa theksoi humanizmin e madh të shprehur të vullnetarëve të Prishtinës gjatë kësaj kohe të pandemisë.
Frekuentimi i madh i qytetarëve në rrugët e Prishtinës, Nushi thotë se është i paarsyeshëm, pasi sipas tij lufta kundër Covid-19 ende nuk ka përfunduar.
Në lidhje me këtë, ai thotë se ka diskutuar edhe me kryetarin Shpend Ahmetin që të ndërmarrin masat të reja në kryeqytet.
“Disa masa janë diskutuar edhe me kryetarin Ahmeti. Disa masa të ndalimit të hyrjes në qytet. Mirëpo ato masa nuk mund të ndërmerren menjëherë. Sepse ato janë masa pak më të gjata. Por, që janë paraparë në kuptimin që me përfundimin e muajit maj fazës së tretë të masave lehtësuese që është më 2 qershor, nuk përfundon lufta kundër Covid-19. Prandaj, këto janë masa pak më afatgjata të cilat i kemi paraparë. Po do të implementimet patjetër”, tha Nushi për “Front Online”.
26 patrulla të Policisë në hyrje-dalje të kryeqytetit
Për mungesën e patrullave të policisë në rrugët e Prishtinës duke i kontrolluar qytetarët për masat e ndërmarra, Nushi thotë se edhe kjo varët nga diciplina e qytetarëve.
Sipas tij, gjatë kohës sa ishte Prishtina në karantinë, 26 patrulla të policisë së Kosovës ishin në hyrje-daljet e kryeqytetit duke kontrolluar qytetarët që kanë lëvizur gjatë asaj kohe.
“Mendoj që përveç punëtorëve të shëndetësisë që kanë qenë “top” në kryerjen e detyrave të vet, edhe policët e Kosovës e kanë kryer jashtëzakonisht detyrën e vet. Në kohën e karantinimit të Prishtinës 26 patrulla të policisë kanë qenë në pikat hyrje-daljes së Prishtinës. Edhe ditët e parafundit kur edhe ka qenë ditë jashtëzakonisht e keqe unë gati çdo të dytën ditë kam qenë në teren dhe i kam parë policët që në kohë me mot të ftohtë kanë kontrolluar automjetet që kanë hyrë në territorin e Prishtinës. Kish me qenë mirë që edhe tani të kontrollohen pak më tepër, me qenë pak më strikt në respektimin e masave që janë ndërmarrë. Por që nuk mund të vendosim ndonjë rend policor këtu, vet duhet të jemi pak më fleksibil në këtë moment.
Autobusët lëvizin prej 18 majit me numër të reduktuar të udhëtarëve
Nënkryetari i Prishtinës Muhedin Nushi për “Front Online”, ka thënë se transporti i “Trafikut Urban” do të funksionalizohet ditën e hënë më 18 maj dhe fillimisht do të operojë në mënyrë të reduktuar.
Për këtë Nushi thotë se do të jetë i reduktuar edhe numri i qytetarëve që do të mund të hyjnë në një autobus.
“Me datën 18 maj në fazën e dytë të lehtësimit të këtyre masave është paraparë që Trafiku Urban të fillojë me punën e vet. Me siguri që do të ketë edhe reduktime të numrit të qytetarëve që do të mund të hyjnë në një autobus. Stacioni i Autobusëve nuk është duke funksionar nga data 13 mars, nga futja e masave të para”, ka pohuar ai.
Po diskutohet mundësia për subvencionimin e kompanisë “Pastrimi” në Pakon e dytë “Prishtina 1”
Në intervistën dhënë për Front Online, nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi ka folur edhe për protestën e punëtorëve të kompanisë regjionale “Pastrimi” qëoperon në kryeqytet.
Në Pakon e parë ekonomio-sociale “Prishtina 1”, Nushi thotë se kësaj kompanie i janë ndarë 50 mijë euro për rrogat e punëtorëve.
Sipas tij, është duke u diskutuar mundësia se a do të ketë nevojë që serish të subvencionet kjo kompani.
“Ne kemi paraparë që Kompania “Pastrimi” që është kompani regjionale, që me Pakon e parë Ekonomiko-Sociale “Prishtina 1” ku edhe e kemi aprovuar në Kuvendin Komunal ju kemi dedikuar 50 mijë euro që t’i paguajnë pagat e punëtorëve. Prandaj, po shikojmë që edhe në Pakon e dytë të cilën jemi në përgatitje e sipër se a do të ketë nevojë që prapë të subvencionet Kompania e “Pastrimit” si dhe kompanitë tjera të cilat janë subvencionuar nga Pako e parë “Prishtina 1””, deklaroi ai për Front Online.
Pandemia, 1300 familje në Prishtinë më shumë në listën e rasteve sociale
Me fillimin e pandemisë Covid-19, në Prishtinë është shtuar numri i rasteve sociale që kanë kërkuar ndihmë për pako ushqimore dhe higjienike.
Kështu ka konsideruar nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi në një intervistë për Front Online.
Ai thotë se nga 1600 familje sa kishte Prishtina para pandemisë, ky numër është rritur në 2900 familje me raste sociale.
“Para pandemisë në listat tona në kuadër të drejtorisë së Mirëqenies Sociale, kanë ekzistuar 1600 familje në Prishtinë të cilat kanë marrë asistence sociale nga Komuna. Kemi qenë në përgatitje dhe kemi paraparë që do të rritet numri i familjeve me asistencë sociale pas aplikimit të masave gjatë pandemisë, dhe sot ne i kemi edhe 1300 familje më tepër me asistencë sociale. Kjo nënkupton që i kemi tashmë në Komunë të Prishtinës 2900 familje në tersi”, tha Nushi.
Pakot e para ushqimore dhe higjienike, ai thotë se janë shpërndarë me ndihmën e FSK-së qysh në javën e kaluar, dhe pas një muaji ato pritet të ripërsëriten.
“Asnjë qytetarë dhe asnjë familje që ka parashtruar kërkesën për furnizim me pako ushqimore dhe pako higjienike, ne nuk i kemi lënë keq. Prandaj, të gjithë janë furnizuar. Pakot ushqimore do të shpërndahen një herë në muaj. Javën e kaluar ka filluar edhe shpërndarja e pakove ushqimore me ndihmën e FSK-së dhe pas një muaj ditëve do të ri përsëritet”, deklaroi ai.
Bizneset në Prishtinë u liruan nga disa pagesa
Nënkryetari i Prishtinës Muhedin Nushi, në një intervistë për Front Online thotë se shumë biznese në kryeqytet janë liruar nga pagesat për disa taksa si dhe u shtyrë pagesën e tatimit në pronë.
“Edhe me Pako e parë kemi tentuar që t’iu dalim në ndihmë bizneseve për çka edhe shoqata e bizneseve na është falënderuar. I kemi liruar nga disa taksa, e kemi shtyrë tatimin në pronë e cila nuk ka qenë vendim i Qeverisë, sidoqoftë me tri-katër masa i kemi liruar nga pagesat e qirave për atë periudhë sa zgjatë pandemia. Kjo është pjesë e Pakos së parë “Prishtina 1”. Edhe në pakon e dytë jemi duke shikuar mundësinë, në diskutim me bizneset se si mund të ju ndihmojmë që sa më lehtë ta përballojnë këtë periudhë. Jemi të vetëdijshëm që bizneset kanë pësuar më së shumti në këtë pandemi”, tha Nushi.
Ja si do të mund të pini kafe në kafiteritë e Prishtinës pas 1 qershorit
Qysh nga 18 maji në kryeqytet do të lejohet vetëm marrja e ushqimit dhe pijeve nëpër lokale që shërbejnë ushqime.
Një numër i madh i lokaleve dhe restoranteve në territorin e Prishtinës pritet të fillojnë punën më 2 qershor, kur edhe fillon zbatimi i fazës së tretë të masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Nushi thotë se në lokale do të kenë mundësi vetëm dy persona të ulën në një tavolinë duke e ruajtur distancën sociale prej dy metrave.
“Duke pasur parasysh që shumë shtete të regjionit dhe në Evropë veç se e kanë lejuar uljen në lokale dhe restauronte, kish me qenë mirë që edhe ne ta aplikojmë të njëjtën metodë, dhe te ju mundësojmë bizneseve që sa më shpejtë të dalin nga kjo krizë”, tha ai.
Nënkryetari i Prishtinës në një intervistë për Front Online duke ju referuar edhe aplikimit të masave nga shtetet e rajonit dhe ato Evropiane, thotë se edhe në Prishtinë do të zbatohen këto masa.
“Të lejohen vetëm 2 persona të ulen në tavolinë, kështu sipas rekomandimeve të Ministrisë nuk kemi nevojë që më tepër se dy persona të mos mblidhen më shumë. Të respektohet pastaj distanca sociale prej dy metrave. Dhe kjo kishte me qenë mjaftueshëm për këtë fazën e parë. Më tutje do të shikojmë deri më 2 qershor se a do të përparojmë me implementimin e këtyre masave. Nëse kemi numër më të madh të të infektuarve atëherë mund të kthehemi në ndonjë fazë paraprake”, deklaroi në fund Nushi në një intervistë për Front Online.