
Një grua nga Gjakova ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e infektimit me Covid-19. Lajmin e bëri të ditur drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj. Pacientja gjendej në Klinikën Infektive të QKUK-së qe disa ditë në mjekimin intenziv.
“Sot kemi marrë një informacion se një paciente e jona nga Gjakova ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive të QKUK-së. Ajo sot në orët e hershme të mëngjesit ka dnërruar jetë”, ka thënë Kolaj.
Ndryshe, tani janë plot 16 të vdekur nga koronavirusi në Kosovë.
Megjithëkëtë, mbrëmë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare gjithsej janë testuar 353 mostra dhe prej tyre 37 kanë rezultuar pozitive. Gjithashtu, edhe 21 persona janë shëruar dhe numri i përgjithshëm i të shëruarve shkon në 123, raporton Gazeta Express.
Por, për dallim nga komunat e tjera kësaj radhe nuk kemi raste të reja në Malishevë, Suharekë dhe Ferizaj. Numri i të prekurve me koronavirus rritet me 9 raste në Lipjan, 8 raste në Pejë, 6 raste në Prishtinë, 5 raste në Prizren, 4 raste nga Komuna e Podujevës, 2 raste nga komuna e Zubin Potokut dhe nga 1 rast në Shtime, Viti dhe Zveçan, raporton IKSHPK.
Numri total i të infektuarve me koronavirus aktualisht është 598, ndërsa i të shëruarve 123.