
Vetëm gjatë natës së djeshme në Komunën e Vushtrrisë janë raportuar 8 raste të reja të infektimit me Coronavirus, duke e çuar në 31 numrin e rasteve aktive nga 55 sa ishin të raportuara gjithsej që nga përhapja e pandemisë.
Kështu ka deklaruar për Front Online kryetari i Vushtrrisë Xhafer Tahiri.
Ai ka thënë se pas konfirmimit të këtyre rasteve janë identifikuar edhe kontaktet e këtyre personave. Tahiri ka konfirmuar se mostrat e tyre janë dërguar për testim.
“Të gjitha janë raste kontakti. Të gjitha rastet tjera të kontaktit janë identifikuar dhe janë në vetizolim. Janë marrë mostrat e tyre dhe do të testohen”, tha Tahiri për Front Online.
Të gjithë pacientët e infektuar me Coronavirus nga Komuna e Vushtrrisë, sipas Tahirit janë në vetizolim përveç një pacienti i cili është duke marrë trajtim në Klinikën Infektive në QKUK.
“Gjendja e tyre është stabile, të gjithë pacientët janë në vetizolim në shtëpi, përveç njërit pacientë që ndodhet në Klinikën Infektive për të marrë trajtimin e duhur”, deklaroi më tutje Tahiri për Front Online.
Në ndërkohë mbrëmë është bërë e ditur që të 8 rastet e konfirmuara me Coronavirus, ishin raste kontakti.
Tahiri mbrëmë ka konfirmuar se personi i cili doli pozitiv ditën e shtunë kishte frekuentuar tri ordinanca private, por të njëjtat nuk e kanë rekomanduar për testim për Covid-19, ani pse ka pasur shenja.
Nga ai rast kanë dalur edhe 8 të infektuar me Coronavirus, teksa sot janë marr edhe disa mostra të reja për testim. /FrontOnline/