
Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Mustafa ka thënë se kryeministri në detyrë Kurti është interesuar se si mund t’i ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevës sa i përket pandemisë.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Me këtë rast kryetari i Qeverisë në detyrë u interesua për modalitetet administrative dhe teknike për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës me rastin e pandemisë Covid-19”, ka njoftuar Mustafa.
Mustafa ka thënë se ndihma institucionale e Kosovës dhe e Shqipërisë për Luginën e Preshevës është e domosdoshme.
“Ndihma institucionale e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Shqipërisë është jo vetëm e nevojshme, por e domosdoshme, në drejtim të institucionalizimit të mbështetjes së vazhdueshme politike, administrative e buxhetore, të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në përputhje me kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në bashkërendim me Qeveritë e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”, është shprehur ai.