Policia e Shqipërisë ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.
Sipas policisë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Njësisë së Posaçme të Kërkimit “Fast” me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST, si dhe pas koordinimit të veprimeve me shërbimet e Policisë Kufitare të Hanit të Hotit u bë e mundur kapja dhe prangosja e 61-vjeçarit Fan Prendi nga Fushë Arrëz, Pukë, shkruan Gazeta Shqip, transmeton Front Online.
Fran Prendi 61 vjeç, lindur në fshatin Buhot, Njësia Administrative Rrape Bashkia Puke, i dënuar me burgim të përjetshëm .
Ky shtetas me vendim Nr 18, date 05.04.1994, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, është dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale të “Vrasje me dashje për motive të dobëta”.
Dënimi i tij është bërë për arsye se me datë 09.03.1992, rreth orës 19.00, në vendin e quajtur tek rezervuari i qytetit Pukë, ka kryer krimin e vrasjes për motive të dobëta të një shtetasi.
Për këtë krim ky shtetas ishte arrestuar dhe ka qenë duke vuajtur dënimin në burgun e Bënçës Tepelene por me ngjarjet e vitit 1997, është larguar nga burgu.