Izraeli i ka kthyer disa masa kufizuese për shkak të rritjes së numrit të rasteve të Coronavirusit në ditët e fundit, përfshirë mbylljen e menjëhershme të bareve, qendrave të fitnesit dhe sallave për tubime.
Gjatë një mbledhjeje të veçantë për krizën shëndetësore, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli ishte i detyruar ta ndërronte drejtimin për të shmangur një izolim më të madh që do të mund ta paralizonte ekonominë, në kohën kur niveli i papunësisë është mbi 20 për qind. Banka e Izraelit të hënën parashikoi tkurrje të ekonomisë prej 6 për qind gjatë këtij viti.
“Pandemia është duke u përhapur – kjo është e qartë si dita. Është duke u rritur me të madhe përditë dhe po e tërheq pas vetes një grumbull pacientësh të sëmurë rëndë, në kundërshtim me atë që na është thënë”, tha Netanyahu.
Sipas një njoftimi qeveritar, përpos mbylljes së bareve, klubeve të natës, qendrave të fitnesit dhe sallave për tubime, numri i klientëve në restorante do të jetë i kufizuar në 20 për hapësira të mbyllura dhe në 30 për hapësira të hapura, shkruan “Reuters”.
Në Sinagoga mund të qëndrojnë vetëm 19 persona, ndërsa autobusët mund të transportojnë deri në 20 persona, thuhet më tej në njoftimin e qeverisë.
Pasi kishte arritur që në masë të konsiderueshme ta kontrollonte përhapjen e koronavirusit në maj dhe pas rihapjes së shkollave, bizneseve dhe plazheve, Izraeli është goditur nga një rritje e ndjeshme e numrit të rasteve.