India i ka regjistruar 16 mijë raste të reja të koronavirusit të mërkurën. Kjo është shifra më e lartë për periudhën 24-orëshe që nga fillimi i përhapjes së virusit në shtetin me 1.3 miliard banorë.
Me më shumë se 456,000 raste të infektimeve deri më tani, India është vendi i katërt në botë në këtë aspekt, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Rusisë, shkruan “Reuters”.
Pritet që numri i rasteve të rritet pasi qeveritë rajonale i kanë lehtësuar masat kufizuese, të cilat kishin hyrë në fuqi në fund të marsit.
Edhe kryeqyteti indian, New Delhi, ku banojnë më shumë se 20 milionë njerëz, e regjistroi shifrën më të lartë të rasteve të mërkurën me mbi 3,900 të infektuar.
Ministri i Brendshëm, Amit Shah, njoftoi se ushtria është angazhuar për të ofruar ndihmë gjatë përballjes me pandeminë.
Qeveria lokale pret që deri në fund të korrikut në kryeqytet të shënohen 550,000 raste të infektimeve dhe do të ketë nevojë për 150,000 shtretër nëpër spitale.