Ish-ministri i Punëve të Jashtë të Kosovës, Enver Hoxhaj, zgjedhjet e djeshme në Maqedoninë e Veriut, i ka quajtur një fitore të madhe për shqiptarët atje.
Deputeti i PDK-s, ka thënë se është lajm tejet i mirë që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut do të përfarohen me një numër të lartë të deputetëve.
“Një lajm jashtëzakonisht i mirë nga Maqedonia e Veriut. Zgjedhjet e djeshme janë një fitore e madhe për shqiptarët, të cilët do të përfaqësohen me numrin më të lartë të deputetëve. Urime mikut tim Ali Ahmetit, i cili po i prin BDI-së me fitore të njëpasnjëshme për gati dy dekada{, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin social Facebook.
Edhe në këto zgjedhje, Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit, sërish doli fituese në raport me partitë tjera shqiptare, prandaj, Hoxhaj thotë se i takon asaj roli jetik për përmbushjen e të drejtave të shqiptarëve.
“Sa më të fuqishëm shqiptarët, aq më i fortë shteti i Maqedonisë së Veriut i cili duhet t’iu shërbej të gjithëve dhe pa dallim! Sot është jetik roli i BDI-së në përmbushjen e të drejtave politike/ekonomike të shqiptarëve dhe rrugën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Hoxhaj.
Sipas rezultateve preliminare, BDI-ja do të ketë 15 deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, 12 deputetë, 4 deputetë Partia BESA dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit me vetëm 1 deputet.