Lajme

Ekspertiza për tenderin e autostradës së Gjilanit tregon shkeljet e shumta të bëra nga Pal Lekaj

Ekspertiza për tenderin e autostradës së Gjilanit tregon shkeljet e shumta të bëra nga Pal Lekaj
13:53 | 26 Shtator 2020

Të gjitha dëshmitë e deritashme tregojnë se tenderi “Ndërtimi i autoudhës A7”, i njohur si autostrada e Gjilanit është manipuluar nga ana e menaxhmentit të ministrisë që drejtohej nga Pal Lekaj i AAK-së.

Përkundër dëshmive, Prokuroria Speciale e Kosovës akoma nuk ka mundur të ngrehë një aktakuzë për katër të dyshuar në Ministrinë e Infrastrukturës, një sekser dhe tre anëtarë të Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Policia e Kosovës në vitin e kaluar ka dorëzuar kallëzim penal në prokurori duke konstatuar shumë shkelje. Pas këtij akti, prokuroria ka filluar të intervistojë disa të dyshuar dhe ka autorizuar dy ekspertë të jashtëm të saj që të hartojnë një raport mbi shkeljet e mundshme që janë bërë gjatë procesit të prokurimit të këtij tenderi.

Lajmi.net e posedon raportin e dy ekspertëve ligjor të angazhuar nga Prokuroria Speciale, i cili është hartuar në fund të vitit të kaluar. Raporti përmban 31 faqe dhe ka konstatuar se për këtë aktivitet të prokurimit, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e ministrisë dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit me veprimet tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe kanë favorizuar ofertat e kompanive të papërgjegjshme, po ashtu kanë diskriminuar kompani tjera garuese.

Po ashtu, raporti ka trajtuar edhe deklaratat e të dyshuarve që i kanë bërë në prokurori, ku është gjetur se njëri nga të dyshuarit ka deklaruar rrejshëm.

Raporti quhet “Mendimi i ekspertëve të PSRK-së lidhur me rastin Ministrisë së Infrastrukturës “Ndërtimi i Autoudhës A7.1 –Kryqëzimi në disnivel A6/A7. (Banullë) – udhëkryqi Bresalc –L 22.31 km me numër të prokurimit të brendshëm MI 17 046 551 dhe me numër të E-prokurimit 202 -17-2586 -5 -1 -1”.

Pra, sipas këtij raporti të dyshuar janë; ish-drejtori i prokurimit, Betim Reçica, I. B- kryetar i komisionit rivlerësues të ofertave, L. L-anëtare e komisionit rivlerësues, M.E -anëtar i komisionit dhe tre anëtarët e Panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Blerim Dina- kryetar dhe dy anëtarët tjerë, Nuhi Paçarizi dhe Goran Milenkoviç.

Ndonëse fituesit e këtij tenderi ishin shpallur fillimisht nga qeverisja e LDK-së, nën udhëheqjen e ministrit Lutfi Zharku, raporti ka vënë në shënjestër vetëm procesin pas rivlerësimit. Kjo, pasi me ardhjen në pushtet të AAK-së, kontratat kanë qenë të pa-nënshkruara, pasi ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit për këtë tender. OSHP-ja kishte konstatuar se kishte pasur shkelje dhe kishte urdhëruar që lënda të kthehet në rivlerësim. Më këtë rast, ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj që kishte emëruar edhe një menaxher të ri të prokurimit, kishte rrezuar të gjitha ofertat paraprake dhe kishte vendosur oferta të reja.

Sipas raportit të prokurorisë, me datë 13-15 shkurt 2018 janë nënshkruar kontratat në mes të operatorëve ekonomikë fitues dhe në mes të autoritetit kontraktues, ku kanë vënë nënshkrimin, Betim Reçica – Drejtor i divizionit të Prokurimit, Nebih Shatri – Sekretar i përgjithshëm, Pal Lekaj – Ministër i Infrastrukturës.

Ekspertët të prokurorisë, në fillim të raportit kanë treguar se si ka shkuar procesi, që nga vendimet e ministrisë, ankesat e kompanive, vendimet e OSHP-së e deri tek nënshkrimi i kontratave. Fillimisht, ata e kanë nisur ekspertizën e tyre duke theksuar shkeljet më të vogla e deri tek ato më të mëdha.

“Autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me dosjen e tenderit të përgatitur për këtë aktivitet të prokurimit, tek pjesa B: Draft kontrata& kushtet speciale& ankesat e ndërlidhura –Pjesa II e Kontratës Kushtet e Përgjithshme, neni 26.1 –Autoriteti kontraktues do të bëjë pagesa paradhënie Kontraktuesit të shumave të përcaktuara në NVK (kushtet e veçanta të kontratës) duke iu referuar këtij neni sipas Pjesës II e kontratës kushtet e veçanta tek Parapagimi. 25.1 nuk ceket se ka shumë që duhet parapaguar, do të thotë se në Dosjen e tenderit në këtë aktivitet të prokurimit nuk është paraparë që ndonjë shumë e caktuar të i’u parapaguhet OE fitues, apo siç ceket nëpër kontrata Avans. Me ketë rast Autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me Dosjen e Tenderit sepse në kontratat e nënshkruara me OE fitues për tetë lote, tek kushtet e veçanta në nenin 10 Pagesat në Avans ka shpreh apo potencuar se “ shuma e avansit që do t’i paguhet kontraktuesit në bazë të kësaj kontrate është 15 për qind e vlerës totale të çmimit të kontratës nga neni 2”. Për çka konsiderojmë se jo vetëm që ka vepruar në kundërshtim me Dosjen e Tenderit dhe LPP-së duke ia mundësuar OE fitues një avans prej 15 për qind të vlerës së kontratës por edhe e ka dëmtuar konkurrencën e lirë dhe të drejtë konform rregullave të parapara në Dosjen e tenderit duke bërë diskriminime dhe favorizime. Diskriminim për OE të cilët nuk janë shërbyer me kontratë sepse ofertat e tyre i kanë përgatitur duke i’u referuar Dosjes se tenderit dhe pa e ditur se në rast të shpërblimit me kontratë do të parapaguheshin me Avans prej 15 për qind që më siguri do të ndikonte në përgatitjen e ofertës financiare dhe afatizimin në përgjithësi, ndërsa favorizimi ka ndodhë edhe në këtë fazë për OE të e shpërblyer me kontratë. Gjithashtu kontratat e nënshkruar në mes të ministrisë dhe kompanive nuk i kanë të bashkangjitur specifikat teknike të detyrueshme”, thuhet në raport.

Tutje ekspertet e prokurorisë kanë gjetur se në lidhje me vazhdimin e validitetit të ofertave nga ana e AK/MI konkretisht, zyrtari kryesor i prokurimit, Betim Reçica ka bërë vazhdimin e validitetit të ofertave në kundërshtim me ligjin, ngase kërkesa për zgjatje të validitet të ofertave të tenderit duhet të behët me shkrim dhe duhet të kërkohet para datës së skadimit, ndërsa në rastin konkret, ministria në këtë procedurë të prokurimit ka bërë kërkesë për vazhdimin e validitet të ofertave me datë 19.12.2017, sipas shkresës zyrtare të dërguar nga Reçica kundër operatorëve ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa skadimi i validitet të ofertave të operatorëve ekonomik ka skaduar me datë 18.11.2017.

“Bazuar në këtë ne konstatojmë se vazhdimin i validitet të ofertave është bërë në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit sekondar për prokurimin publik, konkretisht nenit 31.4 të RRUOPP, si dhe në kundërshtim me dosjen e tenderit neni 21. Komisioni i vlerësimit i ka vlerësuar ofertat pa validitet për faktin se validiteti u ka skaduar me datë 18.11.2017, ndërsa komisioni është emëruar me datë 06.11.2017 dhe ka përfunduar raportin e vlerësimit me datë 20.11.2017, kurse zgjatja e validitetit të ofertave nga Betim Reçica prej OE është kërkuar me datë 19.12.2017, pas një muaji. Po ashtu, në këtë veprim kemi të bëjmë me veprim kundërthënës në lidhje me validitetin e ofertave sepse për të njëjtën pikë sa i përket validitet të ofertave Komisioni i vlerësimit ka bërë eliminimin e kompanive me arsyetimin se të njëjtave u mungon validiteti i ofertave, siç është OE “Tali&Zuka” pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa vet ministria kishte vazhduar rivlerësimin edhe pse OE-ve u kishte skaduar validiteti. Më pas komisioni i rivlerësimit kishte përpiluar raportin dhe me datë 20.11.2017 kishte rekomanduar për dhënie të kontratës tetë kompani tjera që nuk ishin fitues në herën e parë”, thuhet tutje në raport.

Raporti thekson se, pas rekomandimit të komisionit të rivlerësimit, u.d i zyrës së prokurimit, Betim Reçica ka bërë nënshkrimin e raportit të komisionit të rivlerësimit duke ja bashkangjitur shkesën me nr. Prot 473/17 te datës 21.11. 2017, e cila shkresë përbën arsyetimin e refuzimit të komisionit të rivlerësimit në lidhje me Lot 2, ku është ndryshuar kompania e rekomanduar për kontratë nga ana e komisionit rivlerësues, Betim Reçica ka shpallur si të përgjegjshëm dhe ka shpërblyer me kontratë për lot 2 OE “Gjoka Construksion”, me çmim 5,906, 293.67 euro edhe pse i njëjti ishte shpallur i papërgjegjshëm nga ana e komisioni të rivlerësimit në lidhje me disa nga kërkesat e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë, ku komisioni kishte konstatuar se nuk i ka plotësuar kërkesat, siç janë potencuar se ka mungesë: Tek kresat mbi mundësitë teknike dhe profesionale, Pajisjet nuk i ka të verifikuara sipas procedurës en-minutes (sipas kërkesës FDT). Tek kresat mbi mundësitë teknike dhe profesionale, kompanisë i mungon baza e asfaltit, gurëthyesit dhe betonit (sipas kërkesës të FDT-së). Tek kërkesa mbi mundësitë teknike dhe profesionale, OE i mungon inxhinieri i komunikacionit, ka ofruar inxhinier të elektros. Po ashtu i mungon certifikata e auditimit, sipas FDT-së.

“Konsiderojmë se rasti i ndërhyrjes së u.d të drejtorit të prokurimit, Betim Reçica në raportin e vlerësimit të komisionit të Rivlerësimit, respektivisht tek OE të rekomanduar për dhënie të kontratës, tek lot 2, me ç’rast komisioni kishte rekomanduar OE “Papenburg Ardiani” me çmim prej 6, 450, 212.75 euro, ndërsa është zëvendësuar me “Gjoka Construction” më çmimin prej 5, 906, 293.67 euro, dhe arsyetohet duke deklaruar (në OSHP, si dhe para hetuesisë) se më këtë veprim ka bërë që të kursehet buxheti mbi 500,000 euro. Një arsyetim i tillë nuk qëndron për faktin se OE nuk e ka pasur aktin noterial en-minutes dhe tjera mungesa të cekura më lartë të cilat i ka konstatuar komisioni i rivlerësimit si dhe është diskutabile dhe e pa kuptim nëse ky zyrtarë ka bërë një veprim të tillë duke u thirrur në atë se ka kontrolluar një ofertë më të lirë se ajo e rekomanduar nga komisioni, ofertë kjo e përgjegjshme e cilësuar, atëherë pse ky u.d i drejtorit nuk kontrolloi edhe ofertat tjera më të lira të shpallura si të përgjegjshme nga komisioni për të kursyer buxhetin”, thuhet në raport.

Sipas ekspertëve të prokurorisë, dokumenti i aktit noterial i dorëzuar nga OE “Gjoka Construksion” nuk është formatit en-minutes dhe ka tjera mungesa, andaj haptas është favorizuar ky operator nga Betim Reçica, në kundërshtim me dosjen e tenderit, LPP-në dhe RRUOPP, pasi që kriter për dhënie të kontratës ka qenë “Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”.

“Duke u bazuar në faktin se Reçica vazhdimisht deklarohej se ka ndërhyrë vetëm në lot 2 dhe ka kursyer buxhetin me mbi 500 mijë euro, atëherë shtrohet pyetja se pse ky zyrtar nuk ndërhyri në renditjen e listës nëpër lote për të renditur OE të shpallur të përgjegjshëm nga komisioni i rivlerësimit sipas kriterit për dhënie të kontratës “oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët”, ku me një intervenim vetëm në renditje të këtyre OE të shpallur të përgjegjshëm administrativisht nuk do të ishte dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në total prej 2, 070, 087.30 euro”.

Operatorë ekonomik të rekomanduar për kontratë sipas komisioni të rivlerësimit për 8 lotet kanë qenë: Lot I: Graniti&Engiginiring grup& Armendi Fa 18, 468, 426.50 euro. Lot II: Gjoka Construksion 5, 906, 293.67 euro. Lot III:Ndërtimtari&Geci 6, 850. 467.72 euro. Lot IV:2A Group& Alko Impex& Exfis&2T: 8, 700, 127.36. Lot V: Ekavatori&Abad (Abisc) 17, 899. 684.83 euro. Lot VI:Kag Asphalt& Beni Com 11, 633. 267. O1 euro. Lot VII: Al Trade& Salillari 7, 247, 086.87 euro. VIII: Base Joose Krasniqi&Pevelaku 11, 913,157.91 euro. Total 88, 618, 511.95 euro.

Sipas ekspertëve të prokurorisë, duke u bazuar në raportin e vlerësimit të datës 20.11.2017 dhe letrave standarde të dërguar tek OE pjesëmarrëse dhe atyre të përgjegjshme nga Autoriteti kontraktues dhe çmimet e ofertave nga OE të klasifikuara të përgjegjshëm për lot 8, nëse ishte respektuar kriteri për dhënie të tenderit “tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, renditja me OE të shpallur fitues, sipas ekspertëve të prokurorisë do të duhej të ishte në këtë formë: Lot I:Al Trade& Salillari 16, 024, 128.20. Lot II:2AGroup& Alko Impex& Exfiks&2T 4, 275, 806.22 euro. Lot III:Ndërtimtari&Geci 6, 850.467.72 euro. Lot IV: Fanis Co& Gjikuruia 9, 204, 989.00 euro. Lot V: Eskavatori&Abad 17, 899, 684.83 euro. Lot VI: Papenburg Ardiani 13, 987, 411.81 euro. Lot VII: Pevelaku&Base Joss Krasniqi 6, 829, 173. 64 euro. Lot VII: Kag Asphalt&Beni Com 11, 476, 763.18 euro. Totali: 86, 548, 424.60 euro.

“Nëse të gjithë këta OE që janë shpallur të përgjegjshëm administrativisht nga ministria, pa hyrë në atë se sipas ofertës të tyre të dorëzuar janë të përgjegjshëm ose të papërgjegjshëm, pra dhe të marrim si të mirëqenë vlerësimin e ministrisë mbi përgjegjshmërinë e tyre dhe rekomandimin e tyre për shpërblim me kontratë (komisioni rivlerësues dhe ud. Drejtorit të prokurimit Betim Reçica), Ministria e Infrastrukturës si dhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së, po të ishte bërë kombinimi i renditjes së OE të shpallur të përgjegjshme administrativisht nga AK-ja nëpër të gjitha lotet nuk do të ishte dëmtuar buxheti në vlerë prej 2, 070, 087.30 euro”, kanë konstatuar ekspertët ligjor të prokurorisë.

Shkeljet e komisionit të ministrisë sipas ekspertëve të prokurorisë

Po sipas këtyre dy ekspertëve, në këtë aktivitet të prokurimit ka pasur diskriminime dhe favorizime të ofertuesve në shumë raste sikurse nga ana e Autoritetit kontraktues, po ashtu edhe nga ana e Panelit të OSHP-së. Nga ana e Autoritetit kontraktues duke u bazuar në raportin e vlerësimit të tenderëve të datës 20.11.2017, si për shembull: Në ofertën Lot 1 –Në faqen 13 të raportit të vlerësimit tek kresat teknike dhe/apo aftësitë profesionale tek kolona e tetë “Lista e kontratave” për OE “Graniti&Enginering Group& Armendi Fa” e potencoj se nuk e plotëson faqen 14 të tabelës me JO dhe tek kolona e fundit ku ceket se tenderi i përgjegjshëm me po/jo për këtë OE e shënojnë me JO dhe në fund të vlerësimit ku listohet OE të përgjegjshëm, komisioni e vendos si të përgjegjshëm dhe e rekomandon për kontratë.

“Gjithashtu në raportin e vlerësimit ceket se OE kanë validitetin e ofertës dhe sigurimin e tenderit në formën e kërkuar në dosje të tenderit, por e vërteta qëndron ndryshe për faktin se intervali kohor prej fillimit të rivlerësimit nga komisioni e deri sa e kanë nënshkruar raportin e rivlerësimit OE kanë qenë pa validitet dhe pa sigurim të tenderit me afat”.

Sipas ekspertëve të prokurorisë, është totalisht vlerësim jo-profesional dhe konfuz kur kemi të bëjmë me kërkesën e Dosjes se tenderit që ka qenë shumë diskutabile dhe e përdorur në mënyrë jo të drejtë dhe njëjtë për të gjithë OE, si për shembull, nëse i referohemi vlerësimit për OE “Sallahu” që ka marrë pjesë në 7 lote. Komisioni në asnjërin lot nuk e vlerëson njëjtë sa i përket këtij dokumenti (akti noterial) përderisa i njëjti dokument i është i prezantuar për të gjitha lotet, për lot 1, 2,3,4,5,6 dhe 7 në raportin e tyre të vlerësimit me JO (që nuk e ka) ndërsa në lot 2 dhe 3 e vlerësojnë me PO (që e ka) dhe krejt në fund të raportit ku japin arsyeje për OE të përgjegjshëm pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit për OE “Sallahu” japin këtë shpjegim: Në bazë të dokumenteve të kërkuara të FDT-së në dosjen e tenderit, OE i lartcekur ka mungesë të dokumentacionit. Tek kresat mbi mundësitë teknike dhe/profesionale, pika 7-mjetet, stabilimentet dhe pajisjet teknike që janë të domosdoshme për realizimin e projektit-OE pajisjet nuk i ka të verifikuara sipas procedurës en-minutes. “Është shumë e pakuptimtë dhe e pakuptueshme se si është e mundur që i njëjti dokument për pesë loto të jetë i pranueshëm dhe jo sipas FDT-së, ndërsa për dy loto të jetë i pranueshëm dhe në rregull. Kur jemi tek kjo pikë, konstatojmë se edhe OE-të të shpallur të përgjegjshëm sa i përket kësaj kërkese dhe njërit fitues (nga komisioni vlerësues, ud. Drejtorit të prokurimit si dhe Panelit të OSHP) këtë dokument (akt noterial) e kanë të formatit dhe përmbajtjes së njëjtë me atë çfarë e ka ofruar edhe “Sallahu” apo cekim disa prej tyre “Kag Aslhalt&Beni Com”, “Al Trade&Salillari, “Eskavatori&Bad”, do të thotë se autoriteti kontraktues ka vlerësuar me standarde të dyfishta duke diskriminuar OE sa i përket kësaj kërkese të dosjes së tenderit me ç’rast ka favorizuar OE të caktuar apo të shpallur fitues”.

Raporti tutje thekson se, edhe bazuar në kallëzimin penal të paraqitur nga hetuesia të cilët kanë prezantuar se edhe shumica e OE fitues, ofertat e tyre janë të papërgjegjshme, duke u bazuar në kopjet e ofertave krahasuar me origjinalin që e kanë bërë në Ministrinë e Infrastrukturës, ku shihet se Autoriteti Kontraktues ka vepruar në kundërshtim me LPP-në duke diskriminuar, favorizuar dhe duke vlerësuar jo-drejtë, nga komisioni i rivlerësimit dhe ud. i drejtor të prokurimit, Betim Reçica.

Ekspertët e Prokurorisë Speciale në dy faqe raport, kanë përmendur nenet e Ligjit të Prokurimit të cilat janë shkelur gjatë rivlerësimit të këtij tenderi. Sipas tyre janë shkelur neni 1 –Qilimi, neni 6, ekononimiciteti dhe efikasiteti, neni 7 barazia në trajtim /jo diskriminimi, neni 41 njoftimi për dhënie të kontratës, neni 42, publikimi i njoftimit, neni 59 ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 kriteret për dhënie te kontratës, RROUPP, neni 31, validiteti i tenderit, neni 55 mënyra e komunikimit, kodi etik i prokurimit –neni 7 marrëdhënia me operatorët ekonomik, dosja e tenderit –draft kontrata&kushtet specifike&anekset e ndërlidhura. Ekspertet kanë shkruar në detaje se çka përmbajnë këto nene.

Raporti thekson se u.d i drejtorit të prokurimit, Betim Reçica sipas kallëzimit penal, deklaratave të dëshmitarëve dhe vetë të dyshuarit ku së bashku me personat tjerë kanë zhvilluar e mbajtur takime me OE pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit jashtë formatit zyrtarë, pra pas orarit të punës dhe jashtë objektit të institucionit gjatë kohës së evaluimit të procesit në fjalë, që është në kundërshtim me deklaratën nën betim.

Mendimi i eksperteve për Panelin e OSHP-së

Disa faqe në raport kanë të bëjnë edhe me dyshimet se Panelit Shqyrtues i OSHP-së vendosi në favor të ministrisë, duke hedhur jashtëligjshëm ankesat e kompanive.

“Paneli shqyrtues në vendimin e nxjerr në lidhje me ankesën e parashtruar nga OE ankues, konkretisht OE ankues Famis Co, lidhur me kompaninë e rekomanduar për kontratë për lot 2 “Gjoka Konstruksion”, nuk është përgjigjur në pretendimet ankimore, siç kërkohet me LPP, por paneli shqyrtues është thirrur në konstatimet se ka plotësuar kërkesë e dosjes se tenderit dhe njoftimit për kontratë. Bazuar në njoftimin e panelit shqyrtues, si dhe sqarimet e dhëna në vendim, vlerësojnë se i njëjti panel ka vepruar në mënyrë kundërthënëse, në një formë duke përdorur si arsyetim për refuzim të ankesës të OE Famis Co, konstatimin ekspertit shqyrtues të OSHP, por në anën tjetër paneli ka vepruar me vendim në kundërshtim me ekspertizën e ekspertit të OSHP-së duke hedhur poshtë rekomandimet e ekspertit shqyrtues për të kthyer në rivlerësim lot 2 sipas rekomandimit të bërë nga ana e ekspertit shqyrtues të OSHP-së. Me këtë veprim të panelit, konstatojmë se është munduar të përdorë ekspertizën e ekspertit vetëm në disa konstatime të ekspertit ku kanë qenë të përshtatshme për ta përdorur si arsyetim në vendimin e marr gjatë refuzimit të ankesës të OE ankues dhe të njëjtat konstatime i kanë përdorur në vendim për të arsyetuar kinse OE të rekomanduar për kontratë nga ana e ministrisë janë të përgjegjshëm, ndërsa konstatime e ekspertit në lidhje për të gjeturat e OE të shpërblyer me kontratë nuk janë marr parasysh nga ana e panelit shqyrtues, sepse rekomandimi i ekspertit të OSHP-së ka qenë që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim për shkak të gjeturave se janë shkelur dispozitat e LPP-së”, thuhet ne raport.

Po ashtu, raporti thekson se edhe ekspertit i OSHP-së në konstatimet e tij në ekspertizë është munduar që në koordinim me panelin të paraqesë sa më pak fakte dhe të pozicionohet në disa të gjetura më të vogla lidhur me ofertat e OE të shpërblyer me kontratë, për t’i mundësuar panelit që të ketë më të lehtë për të marr vendim që të refuzojë ankesën e operatorëve ekonomik si të bazuar.

Duke pasur parasysh të gjitha veprimet e Panelit Shqyrtues me rastin e vendimmarrjes për këtë aktivitet të prokurimit dhe kallëzimit penal të datës 14.06.2019 me nr. Ref 06/03-169/2019 nga DSAK, sipas ekspertëve të prokurorisë, ekziston dyshimi se Paneli shqyrtues i OSHP-së, Blerim Dina –kryetar, Nuhi Paqarrizi –referues dhe Goran Milenkoviq- anëtar, kanë marre vendim jo të drejtë duke pas parasysh të gjeturat nuk kanë arritur të përmbushin detyrimet e veta me qëllim implementimin e ligjit të prokurimit dhe parimin bazë të prokurimit publik si barazia e palëve, kursimi i buxhetit apo parasë publike.

“Paneli shqyrtues i OSHP-së, edhe pse ankesat e OE për shumë pika kanë qenë shumë të sakta dhe konkrete sa i përket ofertave të OE fituese, sikurse në vendimin e tyre ashtu edhe në deklaratat e dhëna në hetuesi cekin se kanë qenë pretendime ankimore gjenerale e disa edhe të pa qëndrueshme, por pa i trajtuar në mënyrë specifike si do të duhej të ishte, apo edhe konstatimet e ekspertit shqyrtues nuk i kanë marrë për bazë në të gjitha rastet, por vetëm aty ku kanë pasur interes”.

Pas analizimit të dokumentacionit në dispozicion për këtë aktivitet të prokurimit, dy ekspertët e angazhuar nga prokuroria kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit (Autoriteti kontraktues dhe Organi Shqyrtues i Porkurimit) kanë kryer vepër penale të cilat i u vihen në barrë në kallëzimin penal të hetuesisë. Zyrtarët e dyshuar me veprimet si dhe mos veprimet e tyre kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 2 milionë euro vetëm me rastin e një mos-renditje adekuate sipas çmimit më të ulët si dhe kanë favorizuar ofertat e OE të pa përgjegjshëm dhe kanë diskriminuar të tjetër OE duke i klasifikuar si të pa përgjegjshëm me standarde të dyfishta, me ç’rast edhe kanë dëmtuar konkurrencën e lirë dhe lokale sipas LPP-së, njëherësh edhe afarizmin e OE të diskriminuar.

Andaj, ekspertet kanë rekomanduar edhe hapa të mëtutjeshëm që: Të intervistohen i dyshuari ud. Drejtor i prokurimit dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave të Autoritetit kontraktues dhe të ballafaqohen me raportin e vlerësimit dhe ofertat origjinale të OE pjesëmarrës. Të intervistohen të dyshuarit anëtarë të Panelit shqyrtues të OSHP-së, të intervistohen dëshmitarët, ekspertët e OSHP-së. Të intervistohet ish sekretari i përgjithshëm i MI Nebih Shatri dhe ish drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi. Të intervistohet ministri, Pal Lekaj. Të intervistohet i përmenduri si sekser M.P. Të intervistohen bizneset si palë ankuese dhe që kanë bërë kallëzim.

Kjo listë e emrave, sipas ekspertëve mund të ndryshojë pasi të merren deklaratat e tyre dhe kualifikimi ligjor për dyshimin e ndonjë vepre të mundshme.

Në shkrimin e ardhshëm mund të lexoni trajtimin e deklaratave nga ana e ekspertëve që të katër të dyshuarit e ministrisë kanë dhënë në hetuesi. Se si. Ud i drejtorit të prokurimit ka dhënë dëshmi të rrejshme në hetuesi, se si njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues thotë se drejtori i prokurimit u tha të nënshkruajnë raportin e rivlerësimit për ndryshe dikush po pret jashtë që t’i fus në ‘gepek’ dhe se si drejtori i prokurimit ua dërgoi listën me emrat e kompanive që duhet të shpallen fituese.

Natën e Kurban Bajramit Petrol Company shpërndan 40 pako ushqimore për fëmijët jetim në Kosovë

Të tjera