Drejtori i Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, Robert Redfield, ka thënë se rreziku shëndetësor nga mbajtja e shkollave mbyllur është më i madh sesa rreziku nga hapja e tyre.
“Si lider i shëndetit publik në këtë komb, unë jam i mendimit se mbajtja e shkollave mbyllur në fakt paraqet rrezik më të madh për shëndetin e fëmijëve sesa rihapja e tyre”, tha Redfield.
Komentet e tij erdhën në kohën kur rihapjen e shkollave e ka përkrahur edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Javën e kaluar, ai e kritikoi Qendrën për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rreth udhëzimeve për rihapjen e shkollave, të cilat i cilësoi si shumë të ashpra dhe të shtrenjta.
Sidoqoftë, Redfield tha se institucioni të cilin ai e udhëheq nuk do t’i ndryshojë udhëzimet për shkolla, por do të japë udhëzime shtesë për të ofruar më shumë qartësi. Sipas tij, në këto udhëzime do të theksohen roli i prindërve dhe rëndësia e përdorimit të maskave në shkollë.
“Unë vërtet mendoj se njerëzit po i nënvlerësojnë pasojat e shëndetit publik te fëmijët përmes mbajtjes së shkollave mbyllur. Kam besim se mund t’i hapim shkollat në mënyrë të sigurtë dhe të punojmë së bashku me organet lokale”, shtoi Redfield.