
Të premten, më 12 qershor, në datën e çlirimit të Prishtinës dhe themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti pritet që të mbajë një protestë në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës.
Njohësit e çështjeve të sigurisë në vend, po presin që kjo protestë të kalojë mirë dhe pa incidente, anispse kanë qëndrime të ndryshe lidhur me mbarëvajtjen e kësaj proteste.
Për Nuredin Ibishin, njohës i çështjeve të sigurisë, në rast se kjo parti ka marrë leje për protestë në polici, atëherë VV-ja është në rregull me ligjin.
E, lidhur me atë se a pret që kjo protestë të kalojë e qetë dhe pa dhunë, Ibishi për Front Online theksoi se është nën përgjegjësi të organizatorit, që të merret me mbarëvajtjen e saj.
“Së pari është detyrë e organizatorit të protestës që të kujdeset për mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike. Njëkohësisht edhe Policia duhet që të ndërmerrë, dhe të vlerësoj situatën në bashkëpunim me vet organizatorin dhe të paraqes kapacitetet e mjaftueshme nëse eventualisht vie deri tek eskalimi i gjendjes dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike që ata të ndërmarrin veprime që ajo të kthehet në një rend të qetësisë”, ka thënë tutje ai.
Gjatë udhëheqjes së Qeverisë “Kurti”, janë hequr rrethojat pranë këtij objekti. Për Ibishin, këto rrethoja është mirë që të mos rivendosen më.
“Tani ato janë hequr dhe mendoj që deri më tani nuk ka pasur ndonjë incident të theksuar. Pra, është çështje që Qeveria e re duhet të vendosë për të. Mirë është që ato të mos kthehen më pasi janë hequr njëherë”, ka thënë ai për Front Online.
Ibishi: Hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë mund të nxis incidente
Së fundmi nga banorë të fshatrave kufitare me Serbinë është dhënë alarmi për hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës. Lidhur me këtë gjë, Ibishi theksoi se mund të nxiten incidente.
“Po ka raste që nganjëherë ata edhe po hyjnë edhe në pjesën ku realisht është territor i Kosovës dhe ajo mund të nxit incident”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, ai tha se shpreson që incidente të tilla të mos ndodhin.
“Sido që të jetë mendoj që vet Qeveria e re, relaksimi në kuptim të raporteve dhe paralajmërimeve nga faktori ndërkombëtarë për bisedimet që do të bëhen për dialogun Kosovë-Serbi, jep gjasa që nuk do të ketë incidente”, ka deklaruar ai për Front Online.
Megjithatë, Ibishi pohoi se institucionet vendore duhet të jenë më të vëmendshme për sa i përket këtij sektori.
“Sektori i sigurisë, inteligjenca por edhe palët tjera duhet që të jenë të vëmendshëm që sidomos në këtë kohë, pas paralajmërimit të protestave mund të ketë edhe mundësi për prishjen e rendit dhe sigurisë publike. Kujdes duhet të ketë edhe në çështjen e sigurisë së jashtme në kohërat që po vijnë”, potencoi ai.
Shala: LVV-ja ta pezullojë protestën
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala, ka thënë për Front Online, që protestat e organizuara nga LVV-ja në vend, mund ta atakojnë edhe sektorin e sigurisë.
“Unë mendoj që kjo protestë ose ky tubim publik i organizuar në këtë kohë pavarësisht masave që mund t`i përdorë LVV-ja, është një koncentrim jashtëzakonisht i madh i numrit të qytetarëve në një hapësirë të caktuar publike dhe kjo në mënyrë të drejtpërdrejt mund të atakojë edhe gjendjen e sigurisë”, ka thënë ai.
Duke parë situatën e krijuar në vend si pasojë e pandemisë Covid-19, Shala ka vlerësuar se kjo protestë duhet të pezullohet për një kohë.
“Për sa i përket aspektit të sëmundjes ngjitëse që është Covid-19 dhe unë mendoj që LVV-ja duhet që për një kohë të caktuar ta pezullojë këtë aktivitet të tubimeve publike sepse kështu po rrezikohen jo vetëm qytetarët që marrin pjesë por një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Shala për Front Online.
Heqja e rrethojave afër objektit të Qeverisë, Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës, nga qeveria “Kurti”, sipas Drizan Shalës, kanë lënë të hapur një korridor për të depërtuar në institucione në rast se eskalon situata përgjatë protestës.
“Ish-ministri i Punëve të Brendshme z.Sveçla ka marrë disa vendime si heqja e rrethojave të veçorisë së veçantë, siç është Kuvendi, Presidenca dhe Qeveria. Kjo mu më lë të nënkuptojë që është një tentim i lënies së hapur të një korridori të mundshëm të ndonjë proteste e cila mund të eskalojë sepse mos të harrojmë që poralizimi i shoqërisë kosovare nga një apo ana tjetër e ka ngritur tensionin tek qytetarët të cilët me dashje ose pa dashje mund të jenë pjesë e një skenari të mundshëm të ndonjë sulmi eventual drejtuar objektit të Qeverisë apo të Kuvendi”, ka thënë ai.
Sipas tij, protesta e së premtes pritet të jetë e dhunshme, bazuar edhe në veprimet e mëparshme të protestuesve të kësaj partie.
“Protestat mund të jenë të dhunshme sepse nëse e analizojmë në mënyrë retroaktive, çdo protestë e organizuar nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje ka rezultuar me demolim dhe me shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, në Prishtinë”, ka thënë ai për Front Online.
Shala jep alarmin: Në mesin e 100 mjekëve të ardhur nga Serbia mund të ketë spiunë
100 mjekët e ardhur nga Serbia në Kosovë, për të dhënë ndihmë për trajtimin e pacientëve me Coronavirus, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë në vend, Drizan Shala, mund të ishin edhe spiunë të shtetit serb.
“Këta mjekë ka pasur dyshime dhe informacione të qarkulluara në media dhe nga kanale të ndryshme ndërkombëtare, vendore dhe diplomatë të caktuar, se këta mjekë mund të jenë pjesë e ndonjë strukture inteligjente e cila mbledh dhe përpunon informacione dhe ardhja e tyre në këtë kohë në vete ka ngërthyer disa ankthe të cilat janë paraqitur edhe në strukturat e sigurisë, se këta mjek a kanë ardhur për të mbledh informacione apo për të kryer punën humane që e kanë”, ka thënë ai për Front Online.